Home Aktualitet Shkodra pushtohet nga i ftohti, pas terheqjes se ujit 2000 banorë kthehen...

Shkodra pushtohet nga i ftohti, pas terheqjes se ujit 2000 banorë kthehen në banesa

589
0

Situata mund të thuhet se është drejt përmirësimit sa i përket rënies së nivelit të ujit në zonat e përmbytura, por banorëve i duhet të përballen dhe me të ftohtin e acartë. Shifrat e fundit të Shtabit të Emergjencave raportojnë për rreth 11 mijë ha tokë e përmbytur, ndërkohë që tre ditë më parë kjo sipërfaqe llogaritej 13 mijë ha. 14 210 banorë të evakuar dhe 4660 banesa të përmbytura. Banorët e evakuar nisin rikthimin në banesat e tyre, pas më shumë se një jave të larguar nga shtëpitë e përmbytura.

META: SITUATA EMERGJENTE PO KALON
Ora 14:00 Zv kryeministri Ilir Meta vizitoi sot paradite komunën e Bushatit. Njëkohësisht Ministër i Ekonomisë dhe i Energjetikës vlerësoi se “situata e emergjencës po kalon”.
“Bendin e Torovivës nuk ia lamë ujit” – nënvizoi Meta. Ai vlerësoi sakrificat e ushtrisë dhe policisë në përballimin e situatës dhe se ishte krenar se nuk u humb asnjë jetë njeriu.
Meta tha se furnizimi me ujë e ushqime për banorët në zonat e përmbytura është i garantuar dhe se parësore mbetej koncentrati për bagëtinë.

BANORET NISIN RIKTHIMIN NE BANESA
Ora 12. 45 Banorët e evakuar nisin rikthimin në banesat e tyre, pas më shumë se një jave të larguar nga shtëpitë e përmbytura.Shifrat e raportuara nga Shtabi i Emergjencave sot në mesditë flasin për 2000 banorë të fshatit Bërdicë në komunën Gur i Zi të cilët kthyer në banesa e tyre. Kjo komunë ka qenë totalisht e izoluar prej ditësh, ndërsa sot atje është ulur niveli i ujit. Edhe në komunën e Dajcit është i mundur kalimi me mjete të tonazhit të lartë.

Shtabi i emergjencave raporton për një rënie në 20 cm të nivelit të ujit. Deri në mesditë janë numëruar 11 820 ha toke nën uje dhe 4660 banesa te permbytura. Është konstatuar një rënie e numrit të banesave të rrethuara nga uji. Sot raportohen 3493 banesa nga 4630 shtëpi që ishin dje.

DEPUTETET PS SHPERNDAJNE NDIHMA NE FSHATIN TRUSH
Ora 12. 00 Deputetët e PS Ilir Beqja dhe Astrit Beci kanë udhëtuar drejt komunës së Bërdicës për të shpërndarë ndihma në fshatin Trush. Fshati me 500 shtëpi është tërësisht i izoluar nga uji dhe e vetmja mundësi lëvizje këtu është me varka. Ka familje të cilat nuk kanë pranuar të evakuohen nga banesat e tyre dhe presin të furnizohen me ndihma ushqimore.

BANORET NE KONVIKTE  PA NGROHJE
Ora 11. 44 Banorët e evakuar nga zonat e përmbytura dhe që jetojnë në konvikte thonë se kanë kaluar një natë të vështirë pa ngrohje dhe ushqim të mjaftueshëm. Tjetër vështirësi është dhe bashkëjetesa e shumë persona në dhomat e konviktit të cilat kanë sipërfaqe të vogël.

„Për të kaluar e kalojmë me shumë vështirësi pasi nuk janë kushtet e përshtatshme. Dhomat janë shumë të vogla.”- tregon një banor për tv NEWS24. Ata shprehen se mungon dhe sistemi i ngrohjes ndërsa ditët e fundit janë ndihmuar me ndihma dhe veshmbathje.

Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm të qeverisë për ti ndihmuar për tu rikthyer në banesat e tyre. Ata se fshehin dot shqetësimin për gjendjen e vështirë me të cilën po përballen dhe do të përballen nesër kur uji të tërhiqet nga banesat e tyre. Banorët kujtojnë se fondet e qeverisë për përmbytjet e janarit ishin shumë të pakta në krahasim me dëmin që iu shkaktua.
“Jam shumë i zhgënjyer nga dëmshpërblimi i janarit. Unë kam pasur shtëpinë në ndërtim e sipër dhe uji më coi dëm rreth 800 mijë lekë materiale, dhe më paguan vetëm 14 mijë lekë.”- tregon një banor tjetër i strehuar në konviktin e vajzave Safet Spahiu.

SHKODER TEMPERATURAT ULEN DERI – 2 GRADE
Ora 08.30 Që prej ditës së djeshme temperaturat janë ulur ndjeshëm. Banorët të cilët kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpitë e përmbytura, për ti mbrojtur ato nga grabitjet kanë kaluar një natë vërtet të acartë mes lagështirës dhe mungesës së ngrohjes.

Shifrat e fundit të Shtabit të Emergjencave raportojnë për rreth 11 mijë ha tokë e përmbytur, ndërkohë që tre ditë më parë kjo sipërfaqe llogaritej 13 mijë ha. 14 210 banorë të evakuar dhe 4660 banesa të përmbytura.
Në lagjen Xhabije ,aksi i së cilës shërben si dalje e detyrushme me një drejtim nga qëndra e qytetit drejt Tiranës, prania e varkave vazhdon të jetë ende edhe pse qarkullimi ka filluar tashmë jo vetëm me mjetet e larta, por edhe ato fuoristradë. Megjithatë në disa zona vazhdon të mbetet e domosdoshme lëvizja me varka. Niveli i ujit ka rënë rreth 20 cm në lagjen “Tophanë”, kurse në Kiras, 10 cm.

Mungesa e reshjeve ka filluar të japë shenjat e normalizimit edhe në nivelin e liqenit të Shkodrës, lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Në këto kushte, rrjedhja e Bunës në detin Adriatik po ndikon në tërheqjen e ujit, si në komunat e Nënshkodrës, edhe në territorin e qytetit dhe zonave përreth. Niveli i ujit ka rënë me 20 cm në Komunën Ana e Malit. Ndërkohë, situata e përkeqësuar mbetet në Obot, Goricë dhe Gur të Zi.
Vazhdon shpërndarja e ndihmave për banorët e prekur nga përmbytjet.

Tërheqja e ujit bëri që dje të ndërpriteshin evakuimet masive të banorëve por Zv kryeministri deklaroi mbrëmë nga mbledhja e Shtabit të emergjencave civile në Shkodër se situata mbetet ende emergjente. Ai vlerësoi si efikase operacionet humanitare në zonat e përmbytura

SHKODER, TEMPERATURA ME E ULET -2 GRADE
Sipas parashikime të fundit temperaturat minimale në Shkodër kanë zbritur deri në -2 gradë, ndërsa ato maksimale në 3 gradë. Në krahasim me një ditë më parë temperaturat janë ulur me 4 gradë. Moti i ftohtë dhe me temperatura të ulëta parashikohet të vazhdojë dhe gjatë javës ardhshme.

LAGJET E PAPERMBYTURA ZBUKUROHEN PER FESTA
E ndërsa çereku i qytetit ndodhet nën ujë, në pjesën tjetër të papërmbytur, jeta vazhdon normalisht dhe ka nisur të zbukurohet për festat e fundvitit. Përfaqësuesit e bashkisë kanë nisur zbukurimin e rrugëve kryesore të qytetit me dritat shumëngjyrëshe dhe zbukurimet në formën e yjeve të kostelacioneve. Bashkia bën të ditur se është parashikuar dhe vendosja e dy pemëve të mëdha bredha në dy sheshet kryesore të qytetit; në Pjacë dhe në ‘Parrucë’. Pemët do të zbukurohen secila me nga 6.700 drita.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here