Tarifat vjetore për studentët që do nisin universitetin variojnë nga 25 mijë lekë në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për ciklin e parë të studimeve, deri në 40 mijë lekë në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Shkencave Sociale.
Ndërkohë, për ciklin e dytë të studimeve studentët do të duhet të paguajnë sipas profilit që do të ndjekin nga 63 mijë deri në 204 mijë lekë.
Në universitetet publike do të pranohen 22.420 maturantë, pa përfshirë kuotat e miratuara për shqiptarët nga trojet. UT do të pranojë 5378 studentë, Universiteti i Mjekësisë 817 studentë, Politekniku 1407 kuota pranimi, 2679 studentë do pranohen nga Universiteti Bujqësor, ndërsa Artet kanë 219 kuota për studentët dhe Sportet pranojnë 300 studentë. Ndërkohë, aktualisht maturantët janë në fazën e dhënies së provimeve.
Në Universitetin e Tiranës, tarifat e studimit ashtu siç ka theksuar edhe më herët rektori Mynyr Koni, nuk do të ndryshojnë, por do të jenë në të njëjtin nivel me vitin e shkuar akademik.
Tarifat në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 25 mijë lekë, që është pagesa minimale, deri në 40 mijë lekë maksimalja.
Të gjitha programet e studimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë e kanë tarifën e shkollimit 30 mijë lekë, te Fakulteti i Shkencave të Natyrës të gjitha programet e studimit e kanë tarifën 25 mijë lekë, po ashtu dhe te Gjuhët e Huaja, tarifa është 25.000 lekë në vit.
Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Drejtësisë ka tarifën 40 mijë lekë. Ndërsa, Fakulteti i Ekonomisë për të gjitha programet e studimit përfshi edhe programin e studimit që ofrohet në filialin e Sarandës, tarifën e shkollimit për vitin e ri akademik 2016-2017 do ta ketë 35.000 lekë.
Universiteti i Arteve e ka tarifën e shkollimit për të gjitha programet e studimit 40 mijë lekë në vit. Nga universitet e tjera, ai i Sporteve e ka miratuar tarifën 35 mijë lekë në vit.
Universiteti Politeknik i Tiranës ka diversitet më të madh të tarifave, pasi tarifën më të ulëtën e ka 25 mijë lekë, më tej ka disa programe studimi me tarifë 30.000 lekë në vit ku përfshihen disa profile të inxhinierisë, si ajo Elektronike, Informatike dhe Telekomunikacioni.
35 mijë lekë e ka vetëm Inxhinieria e Ndërtimit. Ndërkohë, Arkitektura dhe Urbanistika kanë tarifat më të larta të shkollimit prej 40 mijë lekësh në vit.
Po ashtu, edhe Universitetit Bujqësor të Tiranës i variojnë tarifat e studimit nga 25 mijë lekë në vit për një pjesë të madhe të programeve të studimit që ofron, deri në 40 mijë lekë, që është tarifa më e lartë e shkollimit dhe e ka programi i studimit Mjekësi Veterinare.
Në programin Menaxhim Agrobiznesi këtë vit akademik pritet që studentët të paguajnë 35.000 lekë në vit për të ndjekur studimet, ndërsa për degën Ekonomi dhe Politikë Agrare tarifa do jetë 30.000 lekë. Tarifat më të larta të studimit në krahasim me universitet e tjera i ka Mjekësia.
Sipas vendimit të Senatit Akademik të këtij universiteti, këtë vit ato variojnë nga 35 mijë lekë deri në 45 mijë lekë në vit. Në programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, me përjashtim të Infermierisë së Përgjithshme, që e ka tarifën 40 mijë lekë, studentët e programeve të tjera do paguajnë për një vit studimi 35 mijë lekë në vit. Ndërsa tri programet e tjera Mjekësi, Farmaci dhe Stomatologji do ta kenë tarifën 45 mijë lekë.
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Durrës, si vitin e shkuar edhe këtë vit do të ruajë tarifat e unifikuara për të gjitha programet e studimit, pra pagesa që do bëjnë studentët për të studiuar në këtë universitet është 25 mijë lekë.
Po ashtu, tarifën e studimit prej 25.000 lekësh në vit për të gjitha programet do ta ketë edhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Universitetet e tjera të rretheve, Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër do ta kenë tarifën vjetore të studimit pothuajse për të gjitha programet 20 mijë lekësh. Marrë nga ata.gov.al