Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama do të zhvillojë sot një konferencë për shtyp ku pritet të bëjë me dije në lidhje me hetimet e organit të akuzës për ngjarjet e 21 janarit
Në prezantimin e kryeprokurores Ina Rama përpara medias në orën 16:30,do të jenë të pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu dhe shefja e zyrës së përfaqësisë së OPDAT-it zonja Cynthia Eldridge.
Ndërkohë ditën e sotme, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dy zyrtarë të lartë të Gardës së Republikës dhe një ekspert i IT në kryeministri me kërkesë të prokurorisë.
Tre personat janë nën akuzë nga organi hetimor për ngjarjet e 21 janarit. Seanca për masën e sigurisë është zhvilluar në gjykatë nga gjykatësja Shkëlqim Mustafa ndërsa akuza është përfaqësuar nga prokurori Ervin Karanxha.
Burime nga gjykata dhe prokuroria bënë me dije për “Ora News” se bëhet fjalë për komandantin e Gardës Ndrea Prendi, shoferin e tij dhe përgjegjësin e IT në kryeministri Armando Kasaj të cilët akuzohen për ngjarjet e 21 janarit. Masa është marrë në mungesë pasi asnjë prej personave të akuzuar nuk ka qënë në seancë ndërsa në fund trupi gjykues ka vendosur t`i mbajë në “arrest shtëpie” pavarësisht kërkesës për arrest me burg për tre zyrtarët në fjalë.
Nuk bëhet të ditura detaje në lidhje me rrethanat për të cilat ata akuzohen por pritet që të ketë të tjera veprime nga ana e akuzës lidhur me 21 janarin. Lëvizja e prokuroisë rreth kësaj çështjeje erdhi pas ekspertizës së FBI për vrasjet e 4 protestuesve dhe plumbave me të cilët janë qëlluar ata. Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të eksperizës por pritet që të zbardhë jo pak këtë ngjarje.