Shqipëria nuk i ka kthyer asnjë përgjigje qeverisë greke pas një propozimi që ka ardhur nga shteti fqinj i BE, për një protokoll bashkëpunimi për integrimin. Diplomatët grekë, thanë për GSH se kanë bërë propozimin që para muajit janar, duke e përsëritur atë edhe në takimin e fundit zyrtar që kanë pasur me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme shqiptare zotin Turdiu, por, deri tani, nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Greqia është e vendosur në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Pikërisht për këtë arsye, në axhendën e integrimit, gjatë presidencës së radhës së Greqisë në BE në vitin 2014, kemi vendosur edhe “Selaniku 2”, një tjetër samit për integrimin. Kemi filluar të punojmë që tani për këtë projekt madhor dhe u kemi propozuar të gjitha qeverive të Ballkanit një protokoll bashkëpunimi për integrimin. Por, deri tani, nga pala shqiptare, nuk kemi asnjë përgjigje dhe nuk dimë arsyen”, thanë dje për “GSH” burime diplomatike të qeverisë greke.
Por nuk mendojnë kështu në Tiranën zyrtare. Meqënëse formati diplomatik edhe për këtë çështje mbetet konfidencial, pas interesimit pranë ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare, burimet tona diplomatike deklaruan se deri tani nuk ka asgjë konkerte për këtë projekt, ndërkohë që “topi” është tek pala greke që ka bërë propozimin.
“Ekziston një ide për një protokoll bashkëpunimi për integrimin. Eshtë diskutuar edhe më përpara. Por një gjë e tillë nuk është diskutuar në takimet dypalëshe të këtij viti. Ky projekt propozim ka mbetur në fazën e tij fillestare” kundërshtojnë burimet diplomatike të Tiranës zyrtare, duke lënë kështu një tjetër çështje pezull në marrëdhëniet dypalëshe.
Protokolli
Për sa kuptohet, Athina zyrtare do të firmosë një protokoll të tillë bashkëpunimi për Integrimin, me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilat do të kërkojë edhe një datë për integrimin në samitin e Selanikut që do të mbahet në vitin 2014 kur të ketë presidencën e radhës në BE. Në qarqet diplomatike greke, shprehet gjerësisht mendimi se “Shqipëria dhe Greqia duhet të shohin përpara, për procesin e integrimit, larg inateve dhe nacionalizmave të vjetra”. “Sepse ishte Greqia që hapi perspektivën evropiane të këtyre vendeve, përfshi edhe Shqipërinë, drejt Bashkimit Evropian me samitin e Selanikut në 2003, dhe është po Greqia që do të organizojë një samit të dytë, ku të kërkojë qartazi integrimin e Ballkanit, (përfshi edhe Shqipërinë), duke kërkuar nga BE edhe një datë për integrimin”, thonë burimet diplomatike greke.
Për këtë arsye, është propozuar edhe një protokoll memorandumi integrimi me fokusim në tre çështje kryesore: asistencë për trajnim të zyrtarëve shqiptarë që do të merren me çështje integrimi, lektorë që do të flasin për këtë çështje, madje edhe asistencë për përafrimin e legjislacionit. Por, sipas burimeve diplomatike greke, deri tani, nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare nga Shqipëria. Ndërkohë që burimet diplomatike shqiptare, thanë për “GSH” se Shqipëria nuk është kundër një nisme të tillë, por deri tani nuk ka pasur një draft konkret mbi të cilin mund të negociohet, duke e lënë “topin” në derën e diplomacisë greke. Madje, burimet diplomatike shqiptare thanë se kjo çështje nuk është ngritur më parë gjatë këtyre muajve as nga ambasadori grek.
Ndërkohë që në qarqet e Athinës, flitej se, këto vonesa mund të kenë ardhur edhe nga mungesa e stabilitetit në Shqipëri dhe përgatitjet vendore për zgjedhjet e 8 majit, ku për qeverinë greke, kishte jo pak interesim, sidomos për situatën në zonat që ata i konsiderojnë minoritare.