Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar këtë mbrëmje vendimin për taksat vendore ndaj bizneseve vetëm me votat e mazhorancës.
Me anë të këtij vendimi është miratuar mes të tjerash ndryshimi i ndarjes territoriale të zonave të kryeqytetit për efekt të tarifës për zënien e hapësirave publike. Kështu, bëhet i mundur ngushtimi i zonës A, ku aplikohen tarifat më të larta (1.500 lekë për m2) dhe kthimin e tyre në zona B, ku tarifa është sa gjysma e nivelit të zonës A (750 lekë për m2).
Gjithashtu, pjesë e këtij vendimi është dhe pika që mundëson që për muajt janar dhe shkurt bizneset të paguajnë me tarifat e vjetra.
Por vendimi në tërësinë e tij është kundërshtuar nga këshilltarët demokratë, të cilët në përfundim të mbledhjes kanë akuzuar kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj, se po miraton vendime të paligjshme në favor të segmenteve të biznesit të lidhura me qeverinë.
“Jemi para absurditeteve të Erion Veliajt, ku ligjet shpërfytyrohen”, ka thënë kreu i këshilltarëve të djathtë Leonard Olli, i cili e ka akuzuar Veliajn për tentativa për të shmangur transparencën me biznesin, që edhe sot ishte mbledhur jashtë zyrave të bashkisë.
“Është një shmangie nga përballja me të vërtetën dhe me grabitjen që ne e kemi denoncuar që në dhjetor. Këto janë veprime për interesat private të bashkisë dhe jo të komunitetit”, ka thënë Olli.
Ai ka bërë me dije se këshilltarët e djathtë kanë kërkuar gjatë mbledhjes heqjen e taksës “anti-kushtetuese” për infrastrukturën arsimore, shfuqizimin e 15 tarifave “të vendosura aforfe” dhe uljen me 30 për qind të taksave të përcaktuara në buxhetin e shtetit.
E gjitha kjo, “për të shmangur vrasjen e diktaturës dhe kthimin e njerëzve në skllevër që punojnë për qeverinë dhe bashkinë”, ka vijuar Olli.
Sipas tij, në këto rrethana kemi një “konflikt tepër të rëndë social”, pasi kryetari Veliaj kërkon 15 mijë lekë për metër katror qira mujore. “Që do të thotë se bizneseve që operojnë në këtë fushë brenda pak viteve u merret ky territor”, ka sqaruar Olli, i cili ka paralajmëruar rishikimin e pozicionit të këshilltarëve të djathtë në bashki.
“Jemi në kushtet e një paligjshmërie absolute. Do të shikojmë marrëdhëniet tona me Këshillin Bashkiak, sepse nuk mund të lejojmë të mëpërkëmbemi duke qenë përfaqësues të popullit”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, këshilltari i majtë Shezai Rrokaj ka reaguar duke thënë se, “jemi pro dialogut dhe gjetjes së një zgjidhjeje”. Ndërsa lidhur me kërkesën për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit, “në mbledhje kemi kërkuar që të zbatohet rregullorja”, ka thënë Rrokaj.