Fluksi i refugjatëve sa vjen dhe i afrohet Shqipërisë. Të nisur Porti i Pireut, një grup prej 150 personash, kryesisht familjarë e fëmijë, tashmë janë vendosur në Konicë të Janinës, 12 km larg kufirit me Shqipërinë nga pikëkalimi i “Tre Urave”.
Vendasit në fshatin Konicë të Janinës kanë mirëpritur kështu 3 autobusët e parë, në atë që duket se është e para zhvendosje e refugjatëve pranë kufirit me Shqipërinë, ndryshe nga lëvizja e mëparshme për në kampin e Idomenit, në kufirin greko-maqedonas.
Autobusët me refugjatët sirianë kanë mbërritur rreth orës 19 të pasdites së të premtes, ndërsa në Konicë janë mirëpritur e janë përshëndetur nga kryetari i Komunës, nga udhëheqës të tjerë lokalë, por edhe nga përfaqësues të Kryqit të Kuq. Banorët e zonës thuhet se janë përgjigjur menjëherë me ndihma me çfarë të mundeshin, përfshi këtu ushqime e veshmbathje, teksa refugjatët janë transferuar drejt qendrës komunitare të pritjes, ku do të verifikohen të dhënat e tyre.
Tipike është deklarata e përfaqësuesit të Syrizas, Gianni Stefou, i cili tha se “sot kontinenti fitoi njeriun”. Të lodhur, sirianët, kryesisht gra e fëmijë, i kanë falënderuar mikpritësit grekë për ndihmën e dhënë për ta.
E ndërkohë që, të paktën 3.000 refugjatë të tjerë presin në Portin e Pireut për t’u zhvendosur, ende nuk dihet nëse Shqipëria ka marrë ndonjë masë të përforcuar në pikëkalimin kufitar të “Tre Urave” në Leskovik, nga ku refugjatët sirianë mund të hyjnë për në Shqipëri, për të tentuar më tej kalimin drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës Qendrore e Veriore.