Fundin e garës së “X Factor” pa prekur dot finalen e lakmuar, ajo e konsideron fillim të ri për të ardhme më të zhurmshme në muzikë. Ndonëse është vetëm 18 vjeçe, tregon se jeta deri tani nuk ka qenë për të aspak fushë me lule dhe se as nuk pretendon të jetë e tillë, përderisa ka vendosur të merret me muzikë. Enxhi Nasufi në një rrëfim për jetën e saj të vështirë me prindërit e divorcuar, vargjet që do të shkruajë për veten në këngët e saj të para, lidhjen 1-vjeçare të dashurisë dhe planet për të qenë një “show-girl”
Tani që je jashtë garës së “X Factor”, e ke më të thjeshtë të veçosh fituesin?
Ndoshta kjo nuk është pyetje për mua. Derisa kanë shkuar në finale, le ta fitojë më i miri. Është vënë re që unë shoqërohem me Ergin, por unë i dua njësoj dhe Sarën, dhe Senadin.
U duk se mërzitjen e eleminimit e transmetove qetë nga skena. Qave në fshehtësi?
Kam qarë pak se ndihesha disi e mërzitur, kur mendoja se nuk do të jetoja më rutinën e spektaklit çdo të diel, ritmin e provave për 15 javë me radhë… Por njëkohësisht s’mund ta fsheh lumturinë që ndiej edhe pse s’jam në finale, për faktin se mësova shumë nga kjo eksperiencë. “X Factor” e konsideroj shkollë jo vetëm për zërin tim, por edhe për çdo gjë që mësova e që do më shërbejë në jetë: korrektësinë në punë, mënyrën e të menduarit dhe komunikimin. Jam shumë e lumtur që kam njohur njerëz të mirë gjatë këtij rrugëtimi, të cilët kanë treguar dashuri e dashamirësi ndaj meje.
Do të jesh në fokusin e Florit si kompozitor? Do t’i kërkoje bashkëpunim apo do të presësh propozim nga ai për të të dhënë një dorë?
Sigurisht, ne biseduam pak, dhe ai më shprehu dëshirën e tij për bashkëpunim. Po ashtu dëshira ime është shumë e madhe, kështu që le t’ia lëmë kohës!
Ndërkohë, bëri përshtypje falënderimi nga skena që i bëre nënës tënde. Ka sakrifikuar ajo për të të ndjekur ty në këtë pasion?
S’është shumë e vështirë për ta kuptuar pse unë ia dedikoj mamasë këtë sukses. E, ndonëse dihet se nëna është personi më i rëndësishëm për mua, unë jam rasti i raportit fëmijë/nënë në një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëra-tjetrën, pasi jam rritur paksa me vështirësi. E rëndësishme është që mamaja ime, pavarësisht kushteve të vështira që ka pasur, nuk ka reshtur së ndjekuri ëndrrën time. Ajo më ka ndjekur në orët e vona, në çdo xhirim apo ngarkesë, që jo çdo nënë do e bënte, pasi është vërtet sakrificë e madhe. Por nëna ime, pavarësisht kushteve tona të vështira, nuk është tërhequr në asnjë moment. Këto që po them, janë shumë pak krahasuar me ato çfarë ajo ka bërë për mua, dhe jam krenare për të.
Po babai sa pranë teje ka qenë? Të ka mbështetur në vendimin tënd për t’u marrë me art?
Në fakt, prindërit e mi janë ndarë që kur unë kam qenë 5 vjeç. Babai im jeton në Dibër, që është vendlindja ime. Ai më ka ndjekur gjithmonë, që kur isha e vogël në festivalet e fëmijëve ku merrja pjesë, dhe më pas me shfaqjet e “Kripëmjaltëzave”. Unë e kam takuar babain, madje kam shkuar në Dibër ku ai jeton dhe kam qëndruar atje muajt e verës. Të them të drejtën, dy vitet e fundit nuk e kam takuar shpesh, pasi kam pasur shumë xhirime dhe s‘kam mundur të shkoj. Por e ruajmë marrëdhënien dhe mbetemi në kontakt.
Bëri përshtypje ajo çfarë the në skenë në lidhje me babain, duke u shprehur “shpresoj të më ketë ndjekur”… Pse?
E thashë këtë pasi ai jeton në Dibër dhe nuk e dija nëse më kishte ndjekur. Por, pavarësisht faktit që jetojmë larg, pas çdo performance timen ai më ka telefonuar, madje ka ardhur në Tiranë e më ka takuar. Unë e kam përmendur më pak se mamanë, por kjo s’do të thotë se ai është më pak i rëndësishëm. Ai është person pozitiv e unë i ngjaj shumë edhe në fizik.
I more mendim babait për të hyrë në “X Factor”, ishte dakord?
Nuk ka pasur problem në lidhje me këtë vendim.
Pak më sipër u shprehe se ke jetuar në vështirësi. Çfarë të ka munguar?
Ndoshta e keni për faktin që më janë ndarë prindërit dhe ka qenë mungesa e babait. Por jo, s’më ka munguar asgjë, pasi kam pasur të afërmit e tjerë që më kanë qëndruar shumë afër, më kanë pasur gjithmonë pikë të dobët. Dua të them që s’më ka munguar dashuria…
Fakti që ke një histori të tillë familjare, mendon se të bën më interesante në sytë e publikut? Do e shkruaje një ditë jetën tënde në një libër?
Ndoshta, pse jo?! Kam shkruar që e vogël dhe do ishte bukur ta shkruaja historinë e jetës sime, dhe jo vetëm ndarjen e prindërve, por gjithçka tjetër që kam përjetuar deri tani. Zakonisht frymëzohem për të shkruar në momentet më të trishtuara dhe ato më të lumtura.
Edhe pse je vetëm 18 vjeç, lë përshtypjen e vajzës së rritur para kohe…
Eh, në fakt s’është se jeta ime ka qenë fushë me lule deri tani, dhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u rritur më parë. Të gjithë njerëzit mund të kenë vështirësi në jetën e tyre, por tek unë këto vështirësi kanë shërbyer për mirë. Gjithçka që kam pasur mbi supe, e kam kaluar duke bërë më të mirën për jetën time.
Në spektakël u përmend dhe fakti që je lidhur me një djalë që studion për pilot. Është kjo histori e bukur për t’u treguar?
Po, unë po jetoj një lidhje të bukur prej 11 muajsh me Obrajan, që është pak muaj më i madh se unë. Në fillim ishim shokë të mire shkolle dhe më pas u lidhëm. Kjo e bën historinë tonë të bukur, pasi e njohim mirë njëri-tjetrin dhe dimë gjithçka që duhet. Në radhë të parë jemi shokë e pastaj të dashur.
Ti je vetëm 18 vjeç, dhe për sharmin që ke, do të jesh në shënjestrën e shumë djemve edhe brenda muzikës. Fakti që ke një lidhje, do të të pengojë?
Fakti që kam lidhje është për veten time, pra diçka mes meje dhe personit që jam lidhur. Edhe nëse nuk do isha me Obrajan në krah, do isha shumë e kujdesshme në këtë pjesë. Mund të kem shumë ngacmime në këtë rrugë, por rëndësi ka të tregoj veten dhe të jem e qartë në prioritetet e mia.
Nuk jam për bashkëjetesë, megjithëse lidhja ime është serioze
Di ta përshkruash përjetimin që të jep skena?
Kur këndon dhe performon si unë, emocionet janë më të forta. Shkëmbej energji me publikun dhe kjo më bën ta përjetoj edhe më fort madhështinë e skenës.
Vargjet e këngëve të tua do i shkruash vetë?
Do shkruaj edhe vetë.
Për të rënë në sy do të jesh një ditë artistja e ekstremeve?
Jo, dhe unë nuk do ta bëj, sepse nuk më pëlqen. Publiku do atë Enxhin e vërtetë, të paqtë dhe që i bën gjërat me shumë dashuri. Do isha e lumtur të hyja në botën e artit kështu si jam.
Kur të krahasojnë me Elvana Gjatën, të pëlqen?
Kur më thonë “Elvana Gjata junior” patjetër që më pëlqen. Përveç të tjerash, qetësia e saj është për t’u admiruar.
Do të kesh një menaxher, të është ofruar dikush?
Po, por ende s’është vendosur. Mendoj që menaxheri është element i rëndësishëm i karrierës së një artisti..
Në dashuri ti je engjëlli apo grifsha?
Unë jam shumë e sinqertë dhe e dashur me partnerin tim. Kam shumë dashuri për të dhënë dhe e jap me kënaqësi madje. Ka raste që jam pak mistrece në kuptimin që jam e shkathët. Edhe pak grifshë, por s’besoj se ka diçka negative në këtë gjë, ky është tipi im.
Do e provoje bashkëjetesën në këtë moshë?
Jo. Por në lidhje me këtë pyetje mund të them vetëm diçka, unë në momentin që i hyj diçkaje e marr seriozisht, pra nuk nisem për aventurë. Çfarë ndodh më pas, janë gjëra të tjera pastaj…