Home Andrea Stefani Janukoviç në kërkim për vrasje protestuesish, Berisha akoma i lirë

Janukoviç në kërkim për vrasje protestuesish, Berisha akoma i lirë

199
0

21-janar1Një diktaturë dhe një diktator e quajnë të ligjshme të vrasin qytetarë që protestojnë kundër qeverisë. Në një demokraci, vrasja e protestuesve është krimi më i rëndë që mund të bëjë një qeveri. Është për shkak të kësaj aksiome që sot ndaj Janukoviçit, ish-presidentit të Ukrainës, është lëshuar një urdhër arresti. Ndaj Janukoviçit dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë është hapur një hetim penal, për shkak të vrasjes masive të qytetarëve në protestat që sollën rrëzimin e qeverisë. Një reagim i pritshëm ndaj një qeverie që i ka lyer duart me gjak në çdo vend që aspiron liri e demokraci. Por është një reagim që kontraston me realitetin shqiptar, ku edhe pse janë vrarë 4 protestues të pafajshëm nga qeveria e djeshme, as ish-kryeministri Sali Berisha, as ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe as ndonjë ish-zyrtar i lartë jo vetëm nuk janë arrestuar, por as nuk janë nën hetim për atë që ka hyrë tashmë në historinë e tranzicionit traumatik shqiptar si masakra e 21 janarit.

 

***

Përse ndodh kështu? Mos vallë standardet humane dhe universale të drejtësisë dhe politikës që mbrojnë jetën e qytetarëve në një shtet ligjor dhe demokratik nuk kanë fuqi vepruese në Shqipëri? Apo mos vallë jeta e një qytetari shqiptar, e një protestuesi të pushkatuar në mes të sheshit, është më pak e shenjtë se jeta e një protestuesi ukrainas? Apo mos vallë krimi është çështje sasie pra, duhet të vrasësh disa dhjetëra apo disa qindra që të quhet krim? Apo mos vallë protestuesit e 21 janarit ishin puçistë dhe meritonin të vriteshin?

 

***

Vitali Kliçko, lideri i opozitës dhe boksieri me famë botërore, në një shkrim në gazetën gjermane “Bild”, lajmëron për përpjekjet e diktatorit Janukoviç për të përligjur vrasjen e protestuesve, duke i quajtur terroristë dhe provokatorë. Për ne, kjo “këngë” është mjaft e njohur, sepse edhe ish-kryeministri Berisha i akuzoi protestuesit si puçistë dhe terroristë për të justifikuar vrasjen e tyre. Gjuha e justifikimi i diktatorëve përputhet. Por jo vetëm gjuha. Edhe taktika për mashtrimin e publikut. Duket se edhe Janukoviç dhe klani i tij, janë orvatur të mbrojnë tezën se protestuesit nuk janë vrarë nga forcat e sigurisë, se plumbat kanë ardhur nga drejtime ku nuk ka pasur forca të sigurisë. Deklarimi i Berishës dhe i kukullave të vëna prej tij, se protestuesit janë vrarë nga afër dhe jo me armë që i disponon Garda e Republikës, ngjan me pretendimet e Janukoviçëve si veza me vezën. Por ka edhe një dallim. Ndërsa Kliçko detyrohet të këmbëngulë me artikuj se plumbat vrasës u qëlluan nga armë të forcave të sigurisë, vrasja e protestuesve më 21 janar nga gardistët e Berishës dhe Bashës, është e provuar katërcipërisht, me zë dhe me figurë, për shkak të filmimeve të medias. U vërtetua edhe nga hetimet, edhe pse ish-komandanti i Gardës ndërroi tytën e pistoletës për të fshehur gjurmët, edhe pse Berisha obstruktoi hetimet, duke penguar antikushtetutshmërisht ndalimin e drejtuesve të Gardës nga prokuroria, edhe pse ngriti versionin e vrasjes së protestuesve “pa dashje” me rikoshet.

 

***

Por fakti që në Shqipëri është provuar katërcipërisht, me zë dhe figurë, vrasja e protestuesve nga qeveria dhe Garda dhe askush nuk mban përgjegjësi as penale, as morale dhe as politike, flet edhe për gjendjen e mjeruar ku ka rënë vendi, gjendjen e mjeruar të drejtësisë. Në Ukrainë, edhe pse nuk janë kryer hetimet se nga e si erdhën plumbat, ka dalë një urdhër arresti për kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë. Përse? Sepse nuk ka qeveri, kryeministër apo ministër që nuk mund të mos mbajë përgjegjësi ligjore dhe politike në rastin e vrasjes së qytetarëve me plumbat, me armët që blihen me taksat e qytetarëve. Nuk ka kryeministër në botë që nuk mund të mos përgjigjet, të paktën politikisht e moralisht, kur qytetarë që protestojnë kundër qeverisjes së tij vriten para dritares së zyrës së tij, praktikisht para syve të tij. Edhe nëse ka, ata janë kryeministra demokraturash, janë Jakunoviçër, janë diktatorë si Gedafi. Por janë edhe autokratë si Berisha që edhe pse vranë, mbeten të pandëshkuar nga drejtësia dhe sistemi sepse kanë shkatërruar drejtësinë dhe sistemin, i diktojnë vullnetin e tyre drejtësisë dhe sistemit.

 

***

Në Ukrainë nuk qe vrarë asnjë protestues që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Në Shqipëri nuk qe vrarë asnjë protestues që nga rënia e regjimit komunist. Në Shqipëri, mbi 20 vjet nga rënia e komunizmit, qeveria e Berishës vrau. Po kështu vrau edhe qeveria e Janukoviçit. Por Janukoviçi është në kërkim për t’u arrestuar dhe gjykuar për këtë krim të rëndë. Në të kundërt Berisha është në krye të opozitës dhe po tenton që, duke shfrytëzuar pasojat e krizës ekonomike që vetë i përkeqësoi me korrupsionin e tmerrshëm të qeverisjes së tij, të ngrejë një uragan pakënaqësie ndaj qeverisë së re, ende pa kaluar një vit nga rrëzimi i qeverisë së tij të vjetër. Llogarit dhe beson se shqiptarët do ta rikthejnë përsëri në pushtet, se do ta votojnë vrasësin e qytetarëve për shkak të pakënaqësive ekonomike. Dhe ndoshta nuk gabon në kalkulimet e tij të ftohta. Ka jo pak shqiptarë që, të degraduar nga mjerimi që sjell korrupsioni dhe qeverisja e dy dekadave, të fanatizuar nga padija dhe nevojat, kanë më të dhimbsur kafshatën që u jep Berisha sesa jetën e tjetrit që e merr po Berisha. Por ne kemi besim se jeta e katër martirëve të 21 janarit është e dhimbsur jo vetëm për familjet e tyre por, edhe se alarmon çdo shqiptar që beson dhe mendon se kuptimi i shtetit është mbrojtja dhe jo marrja e jetës së qytetarëve të vet. Jo, jeta e një shqiptari që proteston nuk është më pak e shenjtë se ajo e një ukrainasi që proteston! Krimi i vrasjes së njeriut është njësoj i pafalshëm pavarësisht nëse vret një, 100 apo 1000. Por standardet e drejtësisë dhe politikës shqiptare kanë degraduar në atë farë feje sa po justifikojnë atë që nuk ka fe që e justifikon: vrasjen e njeriut! Qeveritarë vrasës, kulte populiste, e kanë vënë nën këmbët e tyre shtetin, duke kërcënuar drejtësinë me hakmarrje dhe Shqipërinë me destabilitetin e turmave fanatike. Prandaj në Shqipëri nuk ndodh si në Ukrainë. Prandaj në Shqipëri ka krim dhe jo ndëshkim.

 

gazeta Shqip

Previous articleJa cfare pa interesante Leonardo di Caprio te modelja e re
Next articleEnxhi e “X FACTOR”: “Ju rrëfej dramën e familjes sime”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here