Presidenti i vendit Bamir Topi gjatë një takimi me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek kërkoi nga klasa politike shqiptare që të reflektojë, duke vendosur si prioritare në agjendën politike interesat madhore të qytetarëve shqiptarë, sot e për të ardhmen.
“Një klimë e qetësuar dhe e stabilizuar politike në vend, po ashtu dhe një bashkëveprim dhe koherencë e vendimmarrjeve të rëndësishme në këtë kuadër, do të ishin primare në këtë situatë, kur vendi ynë pret të marrë statusin e vendit kandidat për në BE” tha presidenti Topi. Topi dhe Çiçek vlerësuan nivelin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ndërsa shprehën besimin në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Më herët presidenti i vendit Bamir Topi në një konferencë të përbashkët me homologun turk deklaroi se Turqia mbetet një partner strategjik i Shqipërisë. Pas takimit kokë më kokë me Presidentin turk Abdulla Gyl, kreu i shtetit shqiptar tha se foli për intensifikimin e marrëdhënieve shumëplanëshe dhe ato në fushën e ekonomisë.
Duke iu referuar marrëdhënieve me Turqinë në fushën e arsimit, Presidenti Topi deklaroi se shkollat turke të hapura në Shqipëri janë shumë cilësore.