Home Aktualitet Veliaj shpjegon sistemin e ri elektronik per parkimin

Veliaj shpjegon sistemin e ri elektronik per parkimin

786
0

thumbnail_Veliaj-demonstron-parkimin-me-sms-5-640x427Nga sot, kushdo që do të parkojë në rrugët e qendrës së Tiranës, nuk ka nevojë të kërkojë punonjësin e bashkisë për të paguar biletën, por mund ta bëjë atë vetëm me një SMS. Është e thjeshtë: targën e makinës nise me mesazh në numrin 50500 dhe nga ky moment ke paguar vendin e parkimit për një orë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi e demonstroi mënyrën e re të pagesës së parkimit në Tiranë, theksoi se projekti shënon fillimin e një etape modernizimi për kryeqytetin.

“Jemi ndoshta i vetmi kryeqytet në Europë, i cili nuk e ka modernizuar sistemin e parkimit. Të parkosh me para’ në dorë nuk është as transparente, por as moderne. Pothuaj të gjithë qytetarët, sidomos ata që kanë makinë, e kanë patjetër edhe një celular. Ndaj, nga sot shkojmë në një sistem modern pagimi për parkimin, ku mjafton që të çosh me SMS targën në nr. 50500 dhe automatikisht e ke paguar për një orë në zonën A, e cila përfshin qendrën e Tiranës”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai sqaroi se në momentin kur orari i parkimit të paguar mbaron, atëherë qytetari njoftohet me SMS dhe do të ketë mundësi që ta rinovojë edhe për një orë tjetër vendin e parkimit. “Në mënyrë elektronike, 15 minuta përpara mbarimit të orës qytetarit i vjen një SMS, e cila e njofton se po i mbaron koha; pra, a doni ta lironi vendin për dikë tjetër apo do të paguani edhe për një orë tjetër? Kjo është mënyra e vetme se si në një qytet me 200 mijë makina dhe 4 mijë vende parkimi, mundohemi të racionalizojmë vendet e parkimit. Duke shtuar opsionin e pagesës elektronike, sot jemi në nivelin e shumicës së kryeqyteteve moderne evropiane, ku të gjitha pagesat bëhen në mënyrë elektronike”, u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë bëri të ditur se ky projekt po pilotohet fillimisht në disa nga rrugët kryesore të Tiranës, për t’u shtrirë më pas në të gjithë qytetin. “Fillimisht po fillojmë ta eksperimentojmë në rrugën “Myslym Shyri”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e mandej do të kalojmë në të gjithë zonën A”, tha Veliaj.

Ai theksoi se pagimi i parkimit me anë të telefonit mundëson shmangien e kontaktit direkt me punonjësit e bashkisë, si dhe rrit transparencën në menaxhimin e të ardhurave që vijnë prej tij. “Bashkia e Tiranës është bashkia e parë në Republikën e Shqipërisë që, edhe për pagesa modeste siç është parkimi, mënjanon kontaktin njerëzor, heq inspektorët, ul abuzimet etj. Gjithashtu, edhe kontrolli i targave do të bëhet në mënyrë elektronike. Secili prej inspektorëve të Tirana Parking ose Policisë Bashkiake pajiset me një aparat, me të cilin kontrollon targat e mjeteve që e kanë paguar ose jo parkimin. Ata fusin numrin e targës dhe menjëherë shohin sa minuta i kanë mbetur qytetarit deri sa të lirojë vendin për një qytetar tjetër, që gjithashtu ka nevojë të parkojë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se krahas zbatimit të teknologjisë në një sërë shërbimesh që ofron bashkia, përfshi këtu edhe pagesën e parkimit, në vetëm 1 vit e gjysmë është bërë e mundur krijimi i afro 2 mijë vendeve të reja parkimi nëntokësor. Ai bëri të ditur se çdo e ardhur që vjen nga parkimi do të shkojë për të bërë punë publike në qytet dhe për mbjelljen e pemëve në Pyllin Orbital. “Besoj se qytetarët e kanë parë se çdo qindarkë që shkon në Bashkinë e Tiranës përkthehet menjëherë në investim, ndaj edhe garancia për këtë është fakti sa pemë kemi mbjellë këtë vit, sa korsi biçikletash kemi ndërtuar, sa korsi të dedikuara të autobusëve kemi shtuar, për të inkurajuar qytetarët që një pagesë elektronike është transparente në marrëdhënien e tyre me Bashkinë, por është edhe mënyra ideale për të financuar projekte si pylli orbital apo gjelbërimi i Tiranës”, përfundoi Veliaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here