Home Politike Sot takimi Rama – Basha ne Presidence. Ja opsionet e zgjidhjes

Sot takimi Rama – Basha ne Presidence. Ja opsionet e zgjidhjes

702
0

Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha do të takohen sot në Presidencë në orën 10:00 për të dialoguar për zgjidhjen e krizës. Njoftimi u bë mbrëmë nga zyra e shtypit e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Takimi u mundësua pas negociatave që faktori ndërkombëtar zhvilloi dje me Kryeministrin Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Basha, me qëllim përfshirjen e opozitës në zgjedhje.

Kreu i Partive Popullore Europiane, Xhozef Doul, dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, kanë dakordësuar një tryezë të nivelit të lartë politik, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës me ndërmjetësimin e institucionit të Presidentit të Republikës.

Dy javë më parë, Presidenti i Republikës kishte tentuar, pa sukses, të organizonte një tryezë politike mes kreut të LSI-së, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Basha. Por dje palët u panë se ishin më afër në qëndrimet e tyre.

“Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, po ndjek me shumë shqetësim përmasat që po merr kriza politike në vend. Ndaj edhe një herë i kërkon Kryeministrit të vendit dhe liderit të opozitës të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin. Presidenti Nishani ofron të gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij institucional në shërbim të këtij dialogu”, thuhet në njoftimin Presidentit të Republikës.

Kryeministri Rama e ka mirëpritur këtë ftesë të kreut të shtetit, duke u shprehur i gatshëm të ulet me kreun e opozitës.

“Z.President! Edhe unë jam i shqetësuar për përmasat që po merr kriza e PD! Jam gati t’i përgjigjem thirrjes suaj kaq të vonuar e të ulem me LB”, shkruan Basha. Negociatorët ndërkombëtarë duket se e kanë bindur Kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Basha për të pranuar një zgjidhje ku palët të kenë hequr dorë nga disa pretendime.

Mësohet se është propozuar shtyrja e zgjedhjeve për datat 23 ose 30 korrik, kohë që mund të tentohet edhe numërimi elektronik i votave. Po ashtu mësohet se Kryeministri mund të pranojë emërimin e 6 ministrave teknikë me konsensusin e opozitës. 

Ky ndryshim do të jetë në funksion të rritjes së garancive për mospërfshirjen e administratës, mësuesve, punonjësve të sektorit të shëndetësisë, të OSHEE-së apo dhe të bujqësisë në procesin zgjedhor.

Mësohet se edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i kalojë opozitës për të rritur transparencën e vendimmarrjes së këtij institucioni. Duke ofruar këto garanci, Kryeministri ka kërkuar si kusht nga opozita që të rikthehet në Parlament dhe të votojë vetingun.

Ende nuk dihet nëse do të ketë rikthim nga e para të të gjithë procesit të përgatitjes zgjedhore, që nënkupton afate të reja për regjistrimin e partive, koalicioneve dhe listave të kandidatëve për deputetë.

Mësohet se përfaqësues të partive të vogla kërkojnë lejim të krijimit të koalicioneve, të cilat e shohin të vështirë përfaqësimin e tyre në Parlament, nëse garojnë pa koalicione.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here