Një ditë pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Lazarat ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha si dhe u plagosën dy efektivët Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, forcat e rendit kanë mësyrë në fshatin “rebel” për të kapur anëtarët e grupit të zjarrit. Ndërkohë, burime zyrtare nga policia dje bënë me dije se si ishte organizuar plani isulmit nga ky grup i armatosur dhe qëllimin e tij.
Sipas këtyre burimeve, ka qenë ora 02:30 e së mërkurës kur kanë nisur të shtënat e para me armë zjarri që kanë vazhduar për rreth dy orë. Mësohet se breshëria me armë zjarri ishte përqendruar në tri pika kryesore: në zonën midis xhamisë e teqesë së fshatit Lazarat, në qendër të fshatit si dhe në rrugën dytësore “Lokali i Xhevahirit – shkolla e re”. Të shtënat kanë pushuar rreth orës 04:30 deri rreth orës 08:00.
PLANI I SULMIT
Gjatë kësaj periudhe “heshtjeje” nga breshëria e krismave që prishën qetësinë e natës, grupi i armatosur ka grabitur një kamionçinë markë “Mercedes”, ngjyrë portokalli me kazan vetëshkarkues duke shkatërruar edhe murin e banesës ku ka qenë automjeti. Pasi janë fshehur në kazanin e kamionçinës, pjesëtarët e grupit kriminal kanë terrorizuar me të shtëna në ajër të gjithë banorët e zonës. Në dispozicion të grupit ka qenë edhe automjeti tip “Benz” me ngjyrë të bardhë pa targa, i cili lëvizte me shpejtësi në rrugët e fshatit duke qëlluar në ajër me breshëri plumbash.
Sipas burimeve të mësipërme, plani i grupit kriminal ka qenë pikërisht ky: policia nuk duhej të futej në fshat me asnjë lloj çmimi. Për realizimin e këtij qëllimi, grupi i armatosur u pozicionua në segmentin rrugor “Lokali i Xhevahirit – shkolla e re” duke hapur zjarr në murin prej çimentoje që ndodhej në krahun e djathtë të këtij segmenti rrugor. Kjo, me synim që të kishin një fushëpamje të qartë të objektivit dhe duke llogaritur që forcat policore do të hynin në fshat nga rruga kryesore. Mësohet se grupi i armatosur, me anë të kamionçinës shkatërroi të gjithë murin rrethues të rrugës hyrëse që të çon në vendin e quajtur “Pularia” në fshatin Kordhocë.
VRASJA
Ndërsa efektivët e RENEA- s po ngjiteshin me dy blinda për në brendësi të fshatit Lazarat, në drejtim të tyre ka lëvizur makina tip “Benz” i bardhë pa targa dhe me xhamat e pasmë të errët, që drejtohej nga shtetasi Xhuliano Malo, i cili ndodhej i vetëm në automjet (i riu ishte nën vëzhgim). Malo ka arritur që t’i shmanget blindit të parëduke u larguar me shpejtësi, por është bllokuar nga blindi i dytë i specialëve. Forcat RENEA kanë ushtruar kontroll në makinën e të riut, ndërsa kanë gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh e lëndë narkotike.
Ndërkohë, forcat RENEA që ndodheshin në blind kanë kërkuar shoqërimin e personit të ndaluar në drejtori nga një tjetër grup që mbërriti aty me një furgon të tipit “Volksvagen”. Ka qenë ky momenti kur grupi i armatosur, i pozicionuar përballë forcave speciale (në vijë ajrore me një distancë prej 200-250 metër) ka hapur zjarr. Për pasojëhumbi jetën efektivi Ibrahim Basha, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur. Po të njëjtat burime sqaruan se nga këqyrja e vendit të ngjarjes u vu re se prishja e mureve anësore të banesave në fshatin Lazarat është bërë me qëllim të dyfishtë nga grupi i armatosur.
Konkretisht, agresorët kanë dashur që të kenënjë pamjeje të qartë të objektivit (goditjen e forcave policore) si dhe t’u hiqnin uniformave blu të gjitha mundësitë për të reaguar e për t’u pozicionuar në mbrojtje, duke e lënë të zbuluar këtë segment rrugor. Pra, sipas burimeve policore, ka qenë një plan i mirorganizuar dhe një vrasje e qëllimshme.