Home Aktualitet I jepet lamtumira e fundit oficerit Ibrahim Basha

I jepet lamtumira e fundit oficerit Ibrahim Basha

637
0

ibrahim-basha4Krerë të shtetit, politikanë, drejtues të Policisë dhe FA-ve, kolegë, miq e familjarë i japin lamtumirën oficerit të policisë Ibrahim Basha, i vrarë në krye të detyrës, gjatë një operacioni në Lazarat. Në nderim të 31-vjeçarit që dha jetën për rendin dhe sigurinë në vend, në Pallatin e Brigadave po zhvillohen homazhe. Në homazhe marrin pjesë qindra qytetarë, të cilët janë përulur me nderim para figurës së Ibrahim Bashës dhe arkivolit me trupin e pajetë të mbuluar me flamurin kuq e zi.

31-vjeçari Ibrahim Basha kishte vetëm 6 muaj që ishte bërë pjesë e forcave speciale RENEA. Ai kishte shërbyer më herët si pjesë e forcave tona Komando, duke marrë pjesë në misione të rëndësishme në Afganistan, së bashku me forcat ushtarake “Eagle”. Rreth 6 muaj më parë ai u bë pjesë e forcave speciale të Policisë, RENEA, ku në një ceremoni u certifikua së bashku me efektivë të tjerë nga kreu i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Familja e 31-vjeçarit i cili u qëllua për vdekje me snajper gjatë një shkëmbimi zjarri në Lazarat, ka hapur që prej ditës së djeshme dyert e mortit. Familjarët kërkojnë drejtësi dhe kapjen e autorëve.

KORTEZHI ME TRUPIN E IBRAHIM BASHËS DREJT VARREZAVE TË DËSHMORËVE

ibrahim-basha2

Ora 16:13- Arkivoli me trupin e pajetë të oficerit Ibrahim Basha, i mbështjellë me flamurin kuq e zi, është nisur drejt varrezave të Dëshmorëve ku do ti jepet lamtumira e fundit.

RAMA: NË PAQE DJEMTË VARROSIN BABALLARËT. NË LUFTË BABALLARËT VARROSIN DJEMTË

Ora 16:00- Kryeministri Edi Rama ka sjellë një varg të shkrimtarit dhe filozofit grek Herodoti gjatë fjalimit të tij në homazhet që po mbahen për nder të Ibrahim Bashës në Pallatin e Brigadave.

“Mbi 2000 vjet më parë Herodoti shkruajti. Në paqe djemtë varrosin baballarët. Në luftë baballarët varrosin djemtë. Të dashur prindër, motra e vëllezër, të afërm, miq dhe kolegë të Ibrahim Bashës. Të nderuar autoritete të larta të shtetit. Shkëlqesi ambasadorë, deputetë dhe të gjithë ju të pranishëm në këtë ceremoni lamtumire. Ibrahimi siç na e kujtoi xhaxhai i tij mbrëmë mund të ishte varrosur si dëshmor i vrarë në luftë, por ai sot do të varroset si dëshmor i rënë në krye të detyrës në kohë paqe. Egërsia në kohë paqe shfaqet në forma më pak ekstreme se në luftë”, tha Rama.

META: IBRAHIM BASHA TI E KREVE DETYRËN TËNDE. ËSHTË DETYRA JONË TË VENDOSIM DREJTËSI

Ora 15:55- Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka mbajtur një fjalim para qindra të pranishmëve në Pallatin e Brigadave të ardhur me të vetmin qëllim, për të nderuar Ibrahim Bashën, oficerin e rënë në krye të detyrës. Meta vlerësoi figurën dhe sakrificën e tij, duke theksuar se Ibrahim Basha e ka kryer detyrën e tij dhe se tashmë është detyra e shtetit të vendosë drejtësi.

“Sot nuk është një ditë e zakonshme. Askush nga ne nuk do donte të takoheshim në këto rrethana. Jemi bashkë për të ndarë dhimbjen për të shprehur solidaritetin për humbjen e Ibrahimit në një pritë banditësh. Meriton nderimin e përjetshëm. Ibrahim Pasha, Dëshmor i Atdheut. Na keni bërë krenar me misionet tuaja. Krah për krah me aleatët tanë. Keni sakrifikuar gjithçka, bashkë me kolegët për më shumë rend, siguri dhe qetësi. Mirënjohje dhe respekt për sakrificën tënde. Ibrahim Basha ti e kreve detyrën tënde. Është detyra jonë të vendosim drejtësi. Sakrificë sublime që kërkon që të jemi në mbështetje të shokëve dhe kolegëve të Ibrahimit. Është kjo sakrificë që kërkon të konsolidojmë shtetin ligjor. Nxitje për të vijuar rrugën e gjatë të forcimit të shtetit të së drejtës. Vepra e Ibrahim Bashës lavdia e tij! I paharruar dhe i përjetshëm kujtimi i heroit më të ri të Atdheut, Ibrahim Basha!”, tha Meta.

XHAXHAI I IBRAHIMIT: TË BËHET DREJTËSI

Ora 16:00- Në emër të familjes, xhaxhai i Ibrahim Bashës, Azizi falënderoi të gjithë të pranishmit në ceremoninë e lamtumirës së njeriut të tyre të shtrenjtë, ndërsa kërkoi drejtësi. “Suksesi i krimit vjen nga mosbërja e drejtësisë në rregull”.

TAHIRI-IBRAHIM BASHËS: I DHE LIRINË SHUMË POPUJVE NË BOTË, JETËN E DHE PËR VENDIN TËND

Ora 15:53- Ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri në një fjalim tejet të ndjerë i përcolli fjalët e fundit në homazhet në nder të efektivit të RENEA-s që humbi jetën ditën e djeshme gjatë një përleshje nga persona të armatosur kundër qeverisë.

Tahiri deklaroi se Ibrahim Basha luftoi për ti dhënë lirinë shumë vendeve nëpër botë, por dha jetën për vendin e vetë. Nga ana tjetër ministri theksoi se e gjithë Shqipëria ndjen sot dhimbjen për humbjen e efektivit të policisë.

“Tani që po shkon në familjen tënde të fundit, është familja jote këtu, nëna dhe babai, motrat dhe vëllai i vogël. Shokët dhe kolegët, janë çdo shqiptarë me ty, dhe përulemi ty. Fat i i pabesë të deshi dhe të mori, jo përball siç i ka hijen një trimi si ty, por fshehtas. Ka shumë dhimbje në këto 24 orë, që të shihej se sa miq ke pasur. E gjithë Shqipëria është me ty, e po të përulet me mirënjohje. Thonë se heronjtë njihen kur flenë nën dhe, por ti ishe hero edhe kur ishe gjallë. Në forcën e aleancës së bashkuar, duke luftuar në ato vende të largëta, për të bërë botën më demokratike. E gjithë Shqipëria u shtang se pse të mori jetën dora e terrorit. Disa kriminelë të morën jetën ty. Luftove të bëjë të lirë shumë popuj të tjerë, por jetën e dhe këtu në vendin tënd. Dora e pabesë që u ngrit mbi ty ka disa dekada që ngrihet në këtë vend. Në atë fshat plotë me njerëz të ndershëm ka akoma njerëz që përdoren.”, tha Tahiri.

Në fjalën e tij prekëse, ministri Tahiri tha se dora e ngritur mbi Ibrahimin goditi gjithë shtetin.

“Ti dhe shokët tuaj dini diçka që nuk e thoni kurrë, diçka që publiku nuk e dëgjon shpesh, krimit i mjafton të këtë sukses një herë të vetme, punonjësit të policisë i duhet të ketë sukses gjithë jetës. E djeshmja ishte dita jote pa fat, na vranë të gjithëve nga pak, ajo dorë goditi shtetin, na goditi të gjithëve. Këtë e di familja jote, e dinë kolegët e tij që tani janë në Lazarat dhe po bëjnë punën tënde, po ngenë dorë mbi këdo që guxoi të ngrihet kundër shtetit. Ne jemi me ty, ti nuk je vetëm! Nuk ka kurajë më të madhe për punonjësit e policisë se ajo që bërë ti”.

“Përulemi me respekt ndaj teje! Vështirësitë na e bëjnë rrugën më të qartë, sakrifica jote na e bën vullnetin më të hekurt! Atdheu nuk mund të kishte miq më të mirë se ty Ibrahim, dëshmor prej së gjalli! Prehu në paqe, të ndritët shpirti përgjithnjë”!

RAMA DHE META HOMAZHE PËR IBRAHIM BASHËN

Ora 15:30- Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda si dhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta kanë mbërritur në Pallatin e Brigadave për të nderuar efektivin Ibrahim Basha, që mbeti i vrarë në krye të detyrës.

VIJOJNË HOMAZHET NË PALLATIN E BRIGADAVE
ibrahim-basha3

Ora 15:20- Vijojnë homazhet për efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha, që prej ditës së sotme do të jetë një “Shqiponjë e artë”. Në Pallatin e Brigadave, qindra qytetarë, politikanë, krerë të shtetit shqiptarë po nderojnë figurën e oficerit të Ushtrisë dhe Policisë shqiptare.

NDERIME PËR OFICERIN IBRAHIM BASHA NË PALLATIN E BRIGADAVE

Ora 14:30- Kolegë të shumtë ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë përkulur me nderim përpara fotografisë së oficerit Ibrahim Basha dhe arkivolit me trupin e tij të pajetë, i mbuluar nga flamuri kuq e zi. Qindra qytetarë janë mbledhur për të nderuar efektivin Basha, që mbeti i vrarë mëngjesin e 24 qershorit në Lazarat.

NISIN HOMAZHET NË PALLATIN E BRIGADAVE PËR EFEKTIVIN BASHA

Ora 14:16- Nis ceremonia në Pallatin e Brigadave për efektivin e rënë në krye të detyrës, Ibrahim Basha. Në homazhe pritet të marrin pjesë krerët e shtetit, politikanë, drejtues të Policisë së Shtetit, miq, të afërm e qytetarë të thjeshtë.

TRUPI I PAJETË I IBRAHIM BASHËS, NË XHAMINË E ETHEM BEUT, QINDRA BESIMTARË I BASHKOHEN LUTJES

Ora 13:50- Trupi i pajetë i oficerit të policisë, Ibrahim Basha ka mbërritur në Xhaminë e Ethem Beut i pritur nga qindra qytetarë dhe besimtarë myslimanë. Për efektivin e RENEA-s do të mbahet një falje, që drejtohet nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, të cilës i janë bashkuar edhe miq e qytetarë të thjeshtë.

“Ibrahim Basha ra në shërbim të vendit. Po përcjellim një nga djemtë e mrekullueshëm. Lot dhe dhimbje për Ibrahim Bashën. Drejtësia të ndëshkojë autorët. Jeta është e shenjtë, të vendoset drejtësi”, ka thënë Myftiu Gurra, para nisjes së lutjes për të ndjerin Ibrahim Basha.

FALJE NË XHAMINË E ETHEM BEUT PËR IBRAHIM BASHËN

ibrahim-basha1

Ora 13:25- Në Xhaminë e Ethem Beut në Tiranë po mbahet falje për efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha që mbeti i vrarë dje në Lazarat gjatë një operacioni të policisë. Qindra njerëz janë mbledhur para Xhamisë së Ethem Beut për ti dhënë lamtumirën e fundit, inspektorit që ra në krye të detyrës. Ibrahim Basha ishte një qytetar shqiptar i besimit mysliman, edhe në momentin kur u qëllua me snajper, ai ishte duke agjëruar.

PRESIDENTI NISHANI VLERËSON IBRAHIM BASHËN ME DEKORATËN E ARTË TË SHQIPONJËS

Ora 12:40- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka vlerësuar sot Inspektorin Ibrahim Basha (pas vdekjes) me Dekoratën e Artë të Shqiponjës me motivacionin: “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftë me grupe të strukturuar kriminale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike; për trimëri dhe kontribute të spikatura në operacionet luftarake në Afganistan dhe Irak, në mbrojtje të paqes dhe lirisë, në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here