Ëndrra vazhdon. Shqipëria mundi 1-0 Rumaninë dhe mban të gjalla shpresat për të vazhduar më tej në Euro 2016. Kuqezinjtë e De Biasit të cilët në mënyrë të pafat dolën pa pikë nga Zvicra dhe Franca u shpërblyen në ndeshjen e fundit në grup falë golit të Sadikut dhe sigurisht një loje shumë të kujdesshme në mbrojtje e mesfushë.
Rumania e nisi mirë ndeshjen, por lojtarët e tyre nuk arritën të shfrytëzonin hapësirat e mbrojtjes tonë në fillimin e ndeshjes. Kuqezinjtë e mblodhën veten pas 15 minutave duke marrë kontrollin e duke qenë ata diktuesit e lojës.
Lenjani humbi një rast të pastër në minutën e 23 ndërkohë që në të 43-n Armando Sadiku shënoi golin që startoi dhe festën kuqezi në stadiumin e Lionit.
Në të dytën rumunët u përpoqën me të gjitha mënyrat për të barazuar rezultatin, por gjuajtjet e Stanciu, Torje apo dhe Stancut nuk e vunë asnjëherë në provë Berishën. I vetmi rast i rrezikshëm i tyre ishte gjuajtja e Andone që për fatin tonë të mirë preku traversën.
Shqipëria e De Biasit tregoi edhe njëherë se kualifikimi i saj për herë të parë në një evropian nuk është thjesht një rastësi, ndërkohë që Armando Sadiku hyn në histori si golashënuesi i parë kuqezi në një kompeticion të tillë.