Skandali “Panama Papers” që ka tronditur botën, ka prekur edhe sportin. Kjo rrjedhje masive informacionesh konfidenciale tregon mënyrën sesi i përdorin të pasurit dhe të pushtetshmit parajsat fiskale për të fshehur pasurinë e tyre.
Plot 400 reporterë në 80 vende të botës u angazhuan për zbardhjen e tyre dhe në dokumente kanë dalë jo pak emra futbollistësh, pilot Formula 1, drejtuesish e menaxherësh.
Lista sigurisht kryesohet nga pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Lionel Messi, ndërsa pasohet nga sulmuesi i Leicester, Leonardo Ulloa, apo braziliani i Chelseat, Willian.
Në listë nuk mungojnë as emra legjendash, ish-futbollistë që kanë bërë histori me skuadrat e tyre respektive.
Bota e futbollit u trondit nga emri i Gianni Infantino, kreut të ri të FIFA-s, i cili erdhi me misionin për të pastruar institucionin më të lartë të futbollit nga skandalet e shumta, por tashmë edhe ai është një i dyshuar.