Gianni De Biasi do t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion për ndeshjen shumë të rëndësishme me Rumaninë, veç Burim Kukelit të pezulluar. Arlind Ajeti që doli I dëmtuar nga ndeshja me Francën nuk ka agjë serioze dhe është në dispozicion të trajnerit, po kështu edhe Ledian Memushaj nuk ka ndonjë gjë serioze.
Kombëtarja shqiptare nisi dje përgatitjet për ndeshjen me Rumaninë. Kuqezinjtë zhvilluan seancën e parë stërvitore që pas ndeshjes me Francën në fushën e stadiumit Yvves Janneau në Perros Guirec, pasi e enjtja ishte ditë pushimi.
Kjo është njëkohësisht dhe seanca e vetme stërvitore për përballjen e fundit në grup me Rumaninë, pasi të shtunën ekipi do të niset që në orën 11:00 drejt Lionit ku do të luhet dhe takimi i radhës. Ajo që ra në sy ishte fakti se Ledian Memushaj, lojtari që vrapoi më shumë në fushë në Shqipëri-Francë, duke u bazuar në statistikat zyrtare të UEFA-s e nis stërvitjen i diferencuar. Por, stafi mjekesor ka komunikuar se mesfushori nuk ka ndonjë dëmtim specifik por vetëm lodhje fizike me Memushajn që më pas, kur nga seanca stërvitore janë larguar kamerat, është bashkuar me skuadrën. Ndërkohë Arlind Ajeti, i cili pësoi një kontraktim në ndeshjen me Francën c’ka kushtëzoi dhe zëvendësimin e tij me Veselin në minutat e fundit të ndeshjes, është stërvitur rregullisht me grupin.
Në seancën stërvitore theksi është foksuar te veprimet taktike në sulm dhe mbrojtje, si dhe goditjet drejt portës me De Biasin që i duhet të ndryshojë në ndeshjen e radhës. Për trajnerin është rikthyer i gatshëm pas pezullimit Lorik Cana, ndërkohë që duhet plotësuar boshllëku i krijuar nga mungesa e Burim Kukelit, që plotësoi numrin e kartonave në ndeshjen me Francën. Trajneri pritet të bëjë ndryshime të rëndësishme dhe në fazën sulmuese, nisur nga fakti që ndaj Rumanisë i duhet vetëm fitorja në mënyrë që Shqipëria të mbajë gjallë shpresat për një kualifikim si një ndër katër skuadrat e treta më të mira të të gjitha grupeve. Pritet që në ndeshjen e fudnit të Grupit A, De Biasi të ndryshojë skemën dhe të luajë me një formacion më sulmues. A do të jetë kjo me dy sulmues të deklaruar apo do të hedhë në formacion më shumë mesfushorë me tipare sulmuese, kjo mbetet për tu parë.
Andi Lila: Ndaj Rumanisë do jetë ndeshja jonë
Andi Lila në ndeshejn me Francën aktivizua si titullar pikërisht prej karakteristikave fizike dhe aftësive në fazën mbrojtëse, por në 20 minutat e fundit trajneri De Biasi e zëvendësoi, me synimin që të përfitonte nga shpejtësia e Roshit në kundërsulm. “Kurrë nuk diskutohen vendimet e trajnerit, sepse ato merren në mënyrë që skuadra të arrijë rezultat. Sfida me Francën pati mjaft ngarkesë fizike, e skuadra e përballoi me sukses. Por, në futboll duhet edhe fati. Me mua apo pa mua në fushë nuk ka asnjë ndryshim, pasi të gjithë japin maksimumin.” Kundër Rumanisë, te Shqipëria rikthehet Lorik Cana.
Megjithatë paraqitjen e mirë të repartit difensiv përballë Francës, Lila vlerësoi rolin e kapitenit. Lila foli për sfidën me Rumaninë, ku theksoi se në finalet e Europianit, ecuria negative ndaj një rivali nuk është disavantazh dhe shprehu besim se Shqipëria do të festojë. “Asnjë ndeshje nuk i ngjan tjetrës. Në këto tre ndeshje në Europian janë të veçanta. Por, kjo është ndeshja e tretë dhe kemi ëndrrën që të vazhdojmë përpara, të qëndrojmë sa më gjatë në Francë dhe të lëmë gjurmë. Shpresoj që edhe fati të na ndihmojë, që të bëjmë atë surprizën e madhe dhe ta fitojmë ndeshjen. Kemi respekt për Rumaninë, por unë besoj se kjo do të jetë ndeshja jonë.”
Balaj: Pres debutimin tim me Rumaninë
Ai gol fantastik i Bekim Balajt në Aveiro ndaj Portugalisë i hapi rrugën kualifikimit historik të Shqipërisë në Europian, por edhe pse luajti një rol shumë të rëndësishëm në eliminatore, sulmuesi shkodran ende nuk e ka bërë debutimin e tij në Euro 2016-të. Balaj i ka ndjekur nga stoli dy ndeshjet e para të Kombëtares Kuqezi në Grupin A, ndaj Zvicrës dhe Francës, por ky fakt nuk e demoralizon 25-vjecarin, i cili po pret momentin e tij. “Të them të drejtën që në momentin që kemi ardhur këtu kam qenë në dispozicion të skuadrës për të dhënë maksimumin tim, gjithsesi është trajneri ai që vendos.
Në ndeshjen ndaj Francës mund të isha aktivizuar në minutat e fundit por dëmtimi i Ajetit prishi planet e trajnerit. Megjithatë unë po përgatiem makismalisht dhe shpresoj që ndaj Rumanisë të vijë momenti tim”. Balaj është i bindur se ndaj Rumanisë të Dielën në Lyon do të ketë minutat e tij dhe nuk mendon kurresesi se do ta mbyllë Europianin francez pa debutuar. “As që mund ta mendoj se mund ta mbyll Europianin pa luajtur fare. Kemi edhe një ndeshje tjetër për të luajtur dhe shpresoj të bëj debutimin tim.Ndeshja me Rumaninë është shansi ynë i fundit, do të japim maksimumin për ta fituar këtë sfidë, dhe më pas do të shpresojë të rezultatet e skuadrave të tjera për të tentuar kualifikimin. Mendoj se në këtë ndeshje duhet të japim akoma edhe më shumë se në dy ndeshjet e para për të marrë fitoren e parë në Euro 2016-të”.