Home Ekonomi Kredi vetem me bilancin e certifikuar nga tatimet

Kredi vetem me bilancin e certifikuar nga tatimet

698
0

TIRANE- Nga 1 janari asnjë bankë nuk do lejohet të japë më kredi nëse bilanci i subjekteve nuk është i certifikuar nga tatimet. Në planin e masave kundër kredive me probleme, Qeveria përcakton 31 dhjetorin si afatin e fundit në të cilin bankat dhe institucionet jo bankare duhet të marrin masat për të shmangur dhënien e kredive në bazë të bilanceve të dyfishta. Në dokumentin zyrtar Qeveria ngarkon Bankën e Shqipërisë dhe Shoqatën e Bankave për zbatimin e këtij detyrimi, ndërkohë që bankat  tregtare (ashtu si të gjithë institucionet kredidhënëse) janë paralajmëruar se në rast se nuk raportojnë subjektet me bilance të dyshimta rrezikojnë ndjekjen penale. “Dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave Tatimore. Detyrim për bankat dhe IFBJ duke filluar nga 1 Janar 2018 (Mbi një dysheme ekspozimi)”, thekson dokumenti qeveritar.

Ndjekje penale
Rreth dy muaj më parë, Drejtoria e Përgjithshëm e Parandalimit të Pastrimit të Parave, ka paralajmëruar bankat tregtare se çdo rast mosdeklarimi i paraqitjes së bilanceve të dyfishta nga ana e subjekteve që aplikojnë për kredi, do sjellë ndjekjen penale të personave përgjegjës. DPPPP bëri me dije se përmes një letre u është sqaruar bankave se një veprim i tillë përbën vepër penale, si për vetë subjektin tregtar që ka manipuluar treguesit financiarë, ashtu si dhe vetë banka që nuk e raporton: manipulimi i bilanceve konsiderohet krim fiskal sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave.

​Në këtë mënyrë çdo punonjës i bankave në dijeni të ekzistencës së bilanceve të dyfishta bëhet përgjegjës për konsumimin e veprës penale që parashikon ligji për parandalimin e pastrimit të parave. Përmes letrës DPPPP vuri në dijeni bankat se nuk do të tolerohet më pranimi i bilanceve të dyfishta nga ana e subjekteve tregtarë që aplikojnë për kredi pranë tyre.

Ligji
Sipas Ligjit të parandalimit të Pastrimit të Parave, bankat kanë detyrim të raportojnë në DPPP jo vetëm rastet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, financimin e terrorizmit, por edhe rastet, kur dyshohet, apo dihet se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet vendosja/injektimi i fondeve që rrjedhin nga veprimtari kriminale, ndër të cilat janë edhe falsifikimet dhe krimet fiskale, çka esencialisht do të thotë se në asnjë rrethanë banka nuk mund të pranojë të dhëna financiare, të ndryshme nga ato zyrtare. Në rast të kundërt subjekti bankar shkel ligjin .9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, duke u bërë palë me skemën mashtruese dhe duke cenuar rëndë detyrimet që rrjedhin nga ky ligj.

Plani i masave
Në planin e masave Këshilli i Ministrave përcakton hapat që do hidhen për adresimin e kredive me probleme deri në vitin 2016, duke nisur nga ndryshimet në legjislacion, deri te raportet mes bankave e kreditorëve të këqinj. Bie në sy se në planveprim qeveria përcakton fundin e vitit 2016 si afatin përfundimtar për trajtimin e 35 kompanive të mëdha që janë përgjegjëse për 52% të totalit të kredive të këqija në vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here