Shqipëria bëri detyrën ndaj Luksemburgut modest, duke fituar me rezultatin minimal 1-0 falë një kryevepre të bomberit shkodran Hamdi Salihi në minutën e 37-të pas një shërbimi të Armend Dallkut. Për Shqipërinë ky ishte rezultati i dytë rresht pozitiv pas barazimit 1-1 katër ditë më parë ndaj Rumanisë në Pietra Neamt.
Fitorja ndaj Luksemburgut, edhe pse nuk ishte e thellë në gola, ajo ishte e 11-ta në Europës në ndeshjen e 75-të jubilare të saj në ndeshjet kontinentale. Salihi edhe një herë tjetër tregoi se është ai i që ka aftësinë e cilësinë të zgjidhë problemet e Kombëtares, pasi është ai që ka shënuar në katër ng pesë fitoret e fundit të Shqipërisë (katër miqësore dhe një zyrtare).
Për trajnerin Kuzhe kjo ishte fitorja e parë në një ndeshje zyrtare pas dy barazimeve (Danimarkë, Rumani) dhe dy humbjeve (Portugali, Suedi). Nga ana tjetër, Shqipëria, në ndeshjen e 12-të me Kuzhenë në bankinë, e zgjati serinë e saj pa humbje në shtatë ndeshje, një rekord absolut. Shqipëria u ngjit në kuotën e katër pikëve, duke kapur vendin e parë, me po aq pikë sa Bosnja, që nga ana e saj barazoi 0-0 me Rumaninë.
Ndeshja e radhës për Shqipërinë në eliminatoret e Euro 2012-s është ajo kundër Bosnjës në “Qemal Stafa”, që nga ana e saj humbi 2-0 me Francën në Sarajevë. Për Francën shënuan Karim Benzema (72’) dhe kapiteni Florent Malouda (79’).
PJESA E PARË
Shqipëria e nisi me gjashtë lojtarë ofensivë takimin, duke pasur në vijën e parë Erjon Bogdanin dhe Hamdi Salihin, të mbështetur nga Ervin Skela, Gjergji Muzaka, Ansi Agolli, Klodian Duro dhe Ervin Bulku. Në vijën e mbrojtjes u rreshtuan Armend Dallku, Lorik Cana dhe Debatik Curri. Minutat e parë panë një Shqipëri shumë dinamike, madje tepër afër portës kundërshtare, duke rrezikuar e fituar menjëherë tri goditje këndi në gjashtë minuta. Në minutën e 15-të, Shqipëria fitoi një goditje të lirë në kufijtë e 25 metrave, por skema e përdorur nga lojtarët me Agollin si ekzekutues nuk funksionoi. Pak sekonda më pas, luksemburgasit u shfaqën befasisht para portës sonë, aq sa Beqaj u detyrua të dalë jashtë zonës për të bllokuar sulmin kundërshtar. Në minutën e 23-të, Mutç frenoi hyrjen në zonë të Muzakës, duke u ndëshkuar me karton të verdhë, ndërkohë që Ervin Skela, në gjuajtjen e lirë nga rreth 17 metra e përplasi topin në murin kundërshtar, duke shpërdoruar një mundësi të mirë. Pas një minute, Muzaka u shfaq në vijën fundore të zonës së Luksemburgut, duke lëshuar tokazi një silurë, por portieri kundërshtar, Xhonatan Xhubert u shndërrua sërish në heroin e skuadrës së tij.Ervin Bulku fitoi një duel me kapitenin Peters në minutën e 29-të, ky i fundit e frenoi duke shkaktuar një faull, por dhe duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Klodian Duro ekzekutoi nga rreth 19 metra, por Xhubert tregoi klasin e tij duke e grushtuar topin në goditje këndi. Muzaka u tregua dhe një herë protagonist në të 33’ kur harkoi në zonë, dhe aty Salihi ekzekutoi një rofeshatë akrobatike por pa mundur të gjejë kuadratin. Veprim inteligjent i sulmuesit shqiptar të Rapidit të Vjenës. Ky ishte veçse paralajmërimi i bomberit shkodran, pasi në të 37’, Armend Dallku krosoi nga e djathta e sulmit tonë, topi mbërriti në zonë, dhe aty “Gerd Myleri” shqiptar – nofkë e vendosur nga Oto Bariç – realizoi me një kryevepër në formë voleji golin e Shqipërisë, të katërtin e tij në pesë ndeshjet e fundit dhe të shtatin personal me fanellën e Kombëtares. Ky ishte dhe goli i gjashtë i Shqipërisë i shënuar në tri ndeshje zyrtare kundër Luksemburgut.
PJESA E DYTË
Nisi pa asnjë ndryshim në radhët e dy skuadrave. Momenti i parë i shkëlqyer i Shqipërisë erdhi në minutën e 53-të, kur pas një krosimi të gjatë të Ansi Agollit nga e majta e sulmit tonë, topi mbërriti të Muzaka, ky i fundit brenda zonës së vogël dha një asist për Bogdanin, por sulmuesi i Çezenës nuk arriti të koordinojë sferën për ta zhytur topin në rrjetë. Në të 57’, Mutç i Luksemburgut simuloi gjatë një dueli brenda zonës me Armend Dallkun, duke kërkuar penallti, por gjyqtari sllovak Trutc e ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuq. Luksemburgu me dhjetë lojtarë. Në të 63’, Klodian Duro fitoi një goditje të lirë nga një distancë rreth 25 metra, por ekzekutimi i Ansi Agollit la për të dëshiruar. Luksemburgu në minutën e 71-të një goditje të lirë nga rreth 30 metra, Peters aplikoi me zgjuarsi një skemë, duke mos gjuajtur direkt, por duke hedhur topin në zonë, ku një lojtar luksemburgas pasoi për shokun e tij që goditi shtyllën horizontale, por pozicioni i këtij të fundit ishte jashtëloje. Në minutën e 80-të, Muzaka, shumë aktiv në këtë ndeshje i la vendin fantazistit të Panionosit, Jahmir Hyka. Pas pak sekondash, Lorik Cana ishte shumë pranë golit kur goditi fuqishëm më kokë, përpara Hamdi Salihi të godiste atje ku bashkohet shtylla horizontale me atë pingule. Kapiteni Ervin Skela tregoi klasin e tij kur goditi nga larg, por portieri Xhubert – më i miri i Luksemburgut – i tha “Jo” edhe një herë tjetër golit të dytë të Shqipërisë. Ky ishte dhe momenti i fundit pikant i ndeshjes përpara se Kuzheja të bënte zëvendësimin taktik mesfushorit Klodian Duro me mbrojtësin Andi Lila.
GOLAT E HAMDI SALIHIT
Shqipëri-Maltë 3-0: 1 gol (miqësore)
Shqipëri-Milan 3-3: 1 gol (miqësore)
Suedi-Shqipëri 4-1: 1 gol (zyrtare)
Mali i Zi-Shqipëri 0-1: 1 gol (miqësore)
Shqipëri-Andorra 1-0: 1 gol (miqësore)
Shqipëri-Uzbekistan 1-0: 1 gol (miqësore)
Shqipëri-Luksemburg 1-0: 1 gol (zyrtare)
Eliminatoret e Euro 2012
Grupi D
Shqipëri – Luksemburg 1-0
Shënues: Salihi 37′
E martë, 7 shtator 2010, stadiumi “Qemal Stafa”
SHQIPËRIA: Beqaj, Dallku, Cana, Curri, Agolli, Bulku, Duro (89’ Lila), Muzaka (80’ Hyka), Skela, Bogdani, Salihi. Trajner: Josip Kuzhe.
Në bankinë: Hidi, Lila, Vangjeli, Kapllani, Vila, Hyka, Lika
LUKSEMBURGU: Xhubert, Kicinger, Blez, Hofman, Shnel, Peters, Laterca, Betmer, Da Mota, Pajal, Mutç. Trajner: Luk Holc
Në bankinë: Obervajs, Kolet, Bensi, Bukviç, Jenish, Martino, Gerson
Gjyqtar: Riçard Trutc (Sllovaki)
Kartonë të verdhë: Mutç (2), Peters/ Bogdani, Bulku
Karton i kuq: Mutç
Euro 2012, Bjellorusi – Rumani 0-0
Pas barazimit të hidhur 1-1 me Shqipërinë në Pietra Neamnt, Rumania regjistroi një tjetër barazim me Bjellorusinë (0-0)në transfertë. Mediat rumune u treguan mjaft të ashpra me Kombëtaren e tyre e sidomos me trajnerin Razvan Luçesku. Bjellorusia pas dy ndeshjeve të para ka katër pikë (fitoi në ndeshjen e parë kundër Francës), ndërsa Rumania vetëm dy pikë.