Home Shendetesi Pse të moshuarit rrezikojnë të humbasin shikimin

Pse të moshuarit rrezikojnë të humbasin shikimin

724
0

Është zbuluar sipas studimeve të bëra nga Shoqata Amerikane e Shëndetësisë se të moshuarit të cilët kanë disa gjene të caktuara janë më të rrezikuar nga një lloj humbje e shikimit, veçanërisht kur janë të kombinuar me faktorë të tjerë si pirja e duhanit dhe mbipesha. Kjo sëmundje të pashërueshme dhe që shpesh shkakton verbim. Një mjek amerikan, Dr. Stephen Pappas, viziton të paktën 150 pacientë të moshuar çdo javë në klinikën e tij pranë Ëashingtonit. Pothuajse gjysma e tyre janë diagnostikuar me një formë të rënies së theksuar të shikimit. Dr.Pappas i kuron ata me një ilaç të ri të quajtur Lucentis, përdorimi i të cilit u miratua në vitin 2006 nga Agjencia për Ushqim dhe Ilaçe. Lucentis u krijua posaçërisht për të kuruar këtë sëmundje që prek retinën e syrit duke shkaktuar një zgjerim anormal të enëve të gjakut. Athena Cokenias, një paciente e diagnostikuar me këto gjene thotë se nuk e kishte kuptuar se enët e gjakut prapa retinës po rridhnin. Humbja e shikimit qendror mund të jetë e përhershme, kështu që Dr. Pappas thotë se një diagnostikim i shpejtë është kritik dhe i domosdoshëm, sepse sipas vonesave mund të hasen edhe pengesa të pakapërcyeshme. Dyqind mijë amerikanë, kryesisht të moshës mbi 55 vjeç diagnostikohen me këtë sëmundje të shikimit çdo vit. Në shkallë botërore, ajo radhitet e treta nga sëmundjet që shkaktojnë humbjen e vështrimit. Tani për tani është e pashërueshme, por disa gjëra dihen për këtë sëmundje. Ajo prek kryesisht njerëzit e racës së bardhë, zakonisht me sy me ngjyrë të hapur. Duket se sëmundja është shpesh edhe e trashëguar. Revista e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë botoi kohët e fundit një studim me mbi 1 mijë e 500 të rritur të moshës nga 55 deri në 80 vjeç me shenja të fazës së mesme të sëmundjes. Gjatë studimit 6 vjeçar, 281 pjesëmarrësit u diagnostikuan me humbje të avancuar të shikimit.Studiuesit identifikuan gjene specifike dhe anomalitë e grupit më të vogël, që rrezikonin ata më shumë. Rreziku rritej tek njerëzit që pinin duhan, ishin mbipeshë, ose vuanin nga tensioni i lartë. Mes faktorëve të tjerë ishin ekspozimi ndaj rrezeve ultraviolet dhe mungesa e një diete të ekuilibruar me perime dhe peshk.Deri tani, Lucentis ka qenë një formë efektive kurimi. Por një ilaç tjetër i quajtur Avastin po provohet për të parë efektet. Avastin ka një kohë më të gjatë që qarkullon në treg, si pjesë e kurave për kancerin e zorrës së trashë dhe është më i lirë për t’u prodhuar.  Deri sa të vërtetohet se cili ilaç është më i mirë se tjetri, Dr. Pappas thotë se i ka bërë përshtypje efektiviteti i Lucentisit. “Është një ilaç që u krijua pikërisht për të depërtuar në retinë. U bënë shumë studime për të. Ai mund të injektohet direkt në sy, mund të depërtojë në retinë dhe është shumë i fortë”, thekson ai. Pacientët që fillojnë kurën me Lucentis shpesh fillojnë me një injeksion në muaj dhe pastaj i rrallojnë dozat, ndërsa shikimi i tyre stabilizohet, ose përmirësohet. Por studimet tregojnë se ilaçi duhet të vazhdojë, ose përndryshe shikimi i pacientit keqësohet, ose mund të arrijë në verbim.
Si të mos i dëmtojmë sytë kur jemi para kompjuterit
– Sfondi përtej ekranit të mos jetë asnjëherë krejt i errët.
– Të mos ketë reflekse në ekran.
– Kontrasti dhe drita e ekranit të rregullohen në vlera mesatare.
– Ekrani duhet të jetë rreth 50-60 cm larg syve.
– Mundësisht të përdoret filtër për ekranin kundër reflekseve.
– Të shpluhuroset shpesh ekrani.
– Gjatë punës para kompjuterit është mirë që disa herë në orë të
shkëputet shikimi nga ekrani për rreth një minutë
– Të rrotullohen sytë në ambientin përreth, ose të paktën çdo një
orë të bëhet një pushim prej 15 minutash.
Rrezet violet dëmtojnë sytë
Ekspozimi i përzgjatur ose jo i duhur nën rrezet e diellit mund të shkaktojë dëmtim të syve. Rrezatimi nga rrezet ultravjollcë B rrezikon pjesët e jashtme të syrit: korenën, konjunktivën dhe lenten kristaline, duke shkaktuar irritim, tharje, skuqje, dhe plakje të parakohshme. Rrezatimi nga rrezet ultraviollcë A është më i rrezikshëm për lëkurën dhe sytë, sepse rrezet janë më të shkurtra dhe kanë aftësinë të penetrojnë më thellë në sy, duke dëmtuar retinën. Kataraktet dhe degjenerimi okular janë sëmundjet më të zakonshme të shkaktuara nga dielli. Përdorimi i syzeve të diellit për mbrojtje duhet të fillojë gjatë fëmijërisë. Duke minimizuar ekspozimin nën rrezatimin diellor, është e mundur që të parandalohet dëmtimi i indeve okulare nga rrezet ultravjollcë.
Tingujt “nxisin” shikimin
Për të perceptuar sende apo ngjarje të botës që na rrethon njeriu vë në punë shqisa të ndryshme. Shkencëtarët kanë gjetur dëshmi mbi atë që shqisat e të parit dhe dëgjimit janë të lidhura në mënyrë të pandashme me njëra tjetrën. Neurologët kanë zbuluar se kur tingulli i një sendi të tërheq vëmendjen atëherë të shtohet edhe aftësia për ta shquar këtë send. Mund të thuhej se nëse një send apo ngjarje lëshon një tingull apo zhurmë që përpara atëherë ne do të ishim në gjendje ta shikonim atë më qartë. Studiuesit eksperimentuan me 33 vullnetarë duke dërguar dritë dhe zhurmë në fillim nga i njëjti drejtim e pastaj nga drejtime të ndryshme. Ky zbulim hedh dritë mbi mënyrën se si truri e vlerëson ambientin që na rrethon. Po ashtu ndihmon në zbulimin e llojeve të reja të kurimit për shqetësimet nervore.
Aftësia e syrit
Syri i njeriut nganjëherë krahasohet me një kamera të gjallë mahnitëse. Ai ka një lente të përkryer që mund të fokusojë imazhet që shihen në një distancë prej disa centimetrash deri në disa kilometra. Ai ka një mekanizëm që përshtatet automatikisht me ndryshimin e intensiteteve të dritës, dhe një film tepër të ndjeshëm dhe në dispozicion të vazhdueshëm. Rrezet e dritës futen në sy përmes kornesë ( thierzës), membranës së fortë të jashtme që mbulon kokërdhokun e syrit dhe i ruan formën. Rrezet kalojnë më pas përmes së çarës në iris, pjesa me ngjyrë e syrit. Kjo e carë është pupila, bebja e syrit, që ngushtohet apo zgjerohet automatikisht duke kontrolluar sasinë e dritës që futet. Imazhet e fokusuara bien mbi retinën që ndodhet prapa kokërdhokut të syrit.
Cilët janë gjenet përgjegjës për ngjyrën e syve?
Nëse do donit të bënit llogaritje për ngjyrën e syve të fëmijëve tuaj (me përafërsi) ku duhet të bazoheni? Përgjigjja do të ishte e thjeshtë nëse do kishim një gjen të vetëm në një kromozom të vetëm, por kur kemi shumë gjene që karakterizojnë të njëjtin tipar, prandaj vështirësia rritet. Ngjyra e syve është një tipar që kontrollohet nga disa lloj gjenesh që ndodhen në kromozome të ndryshme, sepse ka akoma gjene të pazbuluar që mund të ndikojnë në ngjyrën e syve. Një ndër ta është gjeni i quajtur “bey2” i cili ka dy lloj alelesh përgjegjëse për ngjyrat blu dhe kafe, si dhe gjeni qendror “bey1” përgjegjës për ngjyrën kafe. Gjeni i quajtur “key” ka dy lloj alelesh për ngjyrat blu dhe jeshil. Aleli jeshil është dominant mbi alelin blu por recesiv mbi alelin kaf.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here