Home Aktualitet Dëshmia e Selmanllarit “përplas” avokatin me Prokurorinë. Reagon PS

Dëshmia e Selmanllarit “përplas” avokatin me Prokurorinë. Reagon PS

972
0

Deklarata e avokatit të Rrahman Selmanllarit, Genc Gjokutaj ka nxitur sot reagimin e Prokurorisë dhe Partisë Socialiste. Në një deklaratë për shtyp Prokuroria e Tiranës hodhi poshte pretendimet e avokatit Gjokutaj, se Selmanllari në dëshminë e tij kishte pranuar se kishte paguar 20 përqind tek Dritan Avllaj, njohur ndryshe si Tan Lepri. Menjëherë më pas ka ardhur dhe reagimi i Partisë Socialiste, ku deputeti Taulant Balla e quajti shpifje deklaratën e avokatit Gjokutaj.

“Ky avokat paguhet për të mbrojtur persona me problematikë si Damir Fazllici apo Rrahman Selmanllari, të cilët edhe kur s’janë të akuzuar po thjesht të pyetur nga prokuroria si persona që lidhen me rrethanat e një cështjeje, shkojnë në prokurori me avokat”- tha Balla

Ai theksoi se Gjokutaj sot zëvendësoi zëdhënësit e Saliut, duke folur për dicka që sipas tij është një leje dhe aplikim që nuk egziston, dhe se e gjitha kjo bëhet për të tërhequr vëmendjen nga skandale e qeverisë Berisha.

*******************************

Rrahman Selmanllari, i njohur si miku i djalit të kryeministrit Sali Berisha, u mor dje në pyetje për rreth tre orë në prokurori. Ai hodhi poshtë akuzat e deputetes demokrate Albana Vokshi lidhur me arsyen e dhënies së 20% të aksioneve të firmës “Vizion Construction” shtetasit Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si Tan Lepuri apo miku i kryebashkiakut të Tiranës.

Selmanllari është shfaqur në hyrje të prokurorisë së kryeqytetit rreth orës 12:30 i shoqëruar nga avokati i tij Genc Gjokutaj. Përpara prokurorëve Valentin Preçi dhe Ardian Braho, ai është marrë në pyetje për rreth tre orë me cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen (deklaruesit).

Mësohet se Selmanllari është treguar i gatshëm dhe ka dhënë shpjegime të hollësishme për njohjen e tij me bashkëpronarin e firmës “Vizion Construction” Arian Tartari apo bashkëjetuesin e deputetes Vokshi, kohën e hapjes së shoqërisë “Vizion Construction” dhe kontratën e nënshkruar me katër biznesmenët e tjerë. Sipas Selmanllarit, mes tyre ka ekzistuar një kontratë ndërtuesish për çështje biznesi dhe asgjë më shumë.

Selmanllari u thirr dje në prokurori për faktin se ai së bashku me shtetasin Arian Tartari kanë hapur një shoqëri me emrin “Vizion Construction” dhe janë ortakë me nga 50 % të aksioneve. Kjo shoqëri në korrik të vitit 2008 ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi me katër ndërtues të tjerë për ndërtimin e një kompleksi banimesh dhe shërbimesh te Liqeni Artificial.

Për këtë projekt deputetja Vokshi ka deklaruar se “bashkëjetuesi” i saj Tartari është detyruar të përfshijë në biznes shtetasin Dritan Avllaj si kusht të vendosur nga kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama.

Dëshmia
“Me Arian Tartarin kam njohje të vjetra në rrethana të ndryshme. Së bashku në vitin 2007 kemi hapur një shoqëri ndërtimi që e kemi emërtuar “Vizion Construction” sh.p.k., ku administrator është Tartari. Në këtë kompani jemi vetëm ne të dy ortakë me nga 50 % të aksioneve. Në korrik të 2008-s janë afruar disa pronarë të familjes Sharra, të cilët përfaqësoheshin nga disa ndërtues me të cilët kemi rënë dakord për ndërtimin e një kompleksi banimi dhe shërbimesh në zonën e ish-kompleksit Dinamo në afërsi të Liqenit Artificial. Në këtë pronë që kishte mbi 17 mijë metra katrorë tokë, vendosëm të bashkohemi me katër investitorë të ndryshëm, me të cilët i ndamë punët dhe mbi bazën e punës, edhe aksionet në ndërtim. Kështu, firma “Vizion Construction” ku unë e Tartari jemi aksionerë, mori 55 % të aksioneve, shtetasi Fatos Skeja për punën që do të kryente do të merrte 9 % të aksioneve, shtetasi Kujtim Hasa dhe shqiptaro-maqedonasi Ylber Cami nga 8 % të aksioneve dhe shtetasi Dritan Avllaj 20 %. Me këtë të fundit kishim thjesht një kontratë ndërtimi mes investitorësh për punë të ndryshme që do të kryente secili. Nuk kemi pasur asnjë lloj presioni apo detyrimi për ta firmosur kontratën me këtë ndërtues”, tha ndër të tjera Selmanllari në prokurori.

Avokati
Pas mbarimit të pyetjes në prokurori të Selmanllarit, ky i fundit nuk pranoi të prononcohet për mediat. Ndërsa avokati mbrojtës Genc Gjokutaj, në fjalën e tij u shpreh se klienti që përfaqëson është i gatshëm të paraqitet në prokurori sa herë të jetë nevoja. “Sot (dje) klienti im Rrahman Selmanllari u pyet në lidhje me shoqërinë ndërtuese “Vizion Construction” duke dhënë versionin e tij për çështjen. Pyetja e tij u krye me cilësinë e deklaruesit dhe ai është i gatshëm të paraqitet sa herë të jetë nevoja pasi nuk i shmanget drejtësisë në asnjë formë”, tha Gjokutaj.

Dëshmon Tan Lepuri, Tartari ndodhet jashtë shtetit
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në prokurori është pyetur edhe shtetasi Dritan Avllaj i njohur si Tan Lepuri. Sipas burimeve nga njësia e Task-Forcës, e cila po heton çështjen, shtetasi Avllaj ka filluar dëshminë në ora 19:00 të darkës dhe ka vazhduar deri rreth orës 21:00 duke dhënë shpjegime para prokurorit Ardian Braho. Mësohet se Avllaj ka shpjeguar se mënyrën e bashkimit me katër aksionerët e tjerë dhe bashkëjetuesin e deputetes së PD-së, Albana Vokshi.

Ndërkaq, para pyetjes së Avllajt në prokurori është paraqitur dhe pyetur edhe shtetasi Kujtim Hasa që, sipas kontratës së bashkëpunimit mes gjashtë biznesmenëve, kishte 8 % të aksioneve të shoqërisë ndërtuese “Vizion Construction” dhe nga firmëtarët ishte caktuar administrator i kësaj shoqërie. Ky i fundit mësohet se ka shpjeguar se kontrata e firmosur mes tyre kishte mbetur vetëm në letër për shkak se ishte prishur marrëveshja mes palëve.

Ndërkohë, gjatë paradites se djeshme pritej të paraqitej edhe shtetasi Arian Tartari, por meqë ndodhej jashtë Shqipërisë, është lënë që të paraqitet ditën e mërkurë. Ndërkaq, paraditen e sotme pritet të pyeten shtetasit Fatos Skeja dhe Ylber Cami, edhe këta aksionerë në kontratën e denoncuar nga deputetja e PD-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here