Dy persona të armatosur, të cilët kanë hapur zjarr të dielën para një ekspozite të karikaturave të profetit Muhamed, që është organizuar nga një grup anti-islamik në Garland të Teksasit janë vrarë nga policia vendase.
Sulmi ka ndodhur në një vend parkimi në qendrën “Curtis Culwell”, një arenë e mbyllur në periferi të Garlandit, verilindje të Dallasit. Geert Wilders një aktivisti kundër Islamit, i cili është pjesë e një liste të Al Kaedës për t’u vrarë, ka qenë në mesin e atyre që do të mbante fjalim në këtë aktivitet.
Dy të dyshuarit kanë udhëtuar deri te ndërtesa kur ekspozita ishte afër fundit dhe kanë filluar të gjuajnë me armë në drejtim të një roje sigurie duke e plagosur në këmbë, por tashmë ai është jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Garlandit, e ndodhur aty ka gjuajtur me armë në drejtim të sulmuesve dhe i ka vrarë ata. Ndërkohë ende nuk dihet identiteti i tyre.
Menjëherë pas kësaj një ekip për çarmatosjen e bombave është thirrur në vendngjarje për të kontrolluar makinën e sulmuesve për mjete shpërthyese.
Zona afër objektit ku mbahej aktiviteti është evakuuar. Rreth 200 persona ndodheshin brenda qendrës ku po zhvillohej konferenca në momentin që ndodhi ngjarja. Ata fillimisht janë vendosur në pjesën e pasme të godinës e më pas sipas policisë u bë i mundur nëpërmjet autobuzëve të vënë në dispozicion largimi i të gjithë personave nga qendra.
Ekspozita është organizuar nga Pamela Geller, presidente e Iniciativës Amerikane për Mbrojtje të Lirisë. Organizata e saj e cila përshkruhet si grup që nxit urrejtje, deri më tani ka qenë sponsor i shumë fushata rekalamash që janë konsideruar kundër islamike. Ajo ka ofruar 10 mijë euro për punimin më të mirë artistik apo karikaturën që portretizon profetin, si dhe 2500 dollarë për atë që e pëlqen publiku më së shumti.
Sulmi me armë zjarri në periferinë e Dallasit ishte jehonë e sulmeve dhe kërcënimeve në shtete të tjera perëndimore kundër portretizimit të profetit Muhamed.
Në janar, persona të armatosur vranë 12 persona në Paris, në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo”, si hakmarrje për karikaturat e revistës me profetin Muhamed.