Arrihet marrëveshja për Presidentin e Kosovës, duke u zgjidhur kështu edhe kriza institucionale. Behxhet Pacolli tërhqet nga rikandidimi, duke e bërë këtë për të mirën e vendit, dhe për të mos bërë gabimin fatal që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, sic tha ia.
Tryeza në të cilën u ulën Hashim Thaci, Behxhet Pacolli, Isa Mustafa dhe ambasadori i SHBA-ve Kristofer Dell, doli me një propozim tjetër për Presidentin konsensual. Bëhet fjalë për një kandidate femër dhe ajo është Atifete Jahjaga. Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp të këtyre liderëve të mbajtur rreth orës 21:30.
Presidentja konsensuale është propozuar nga të dyja palët politike, ndërsa emri i saj është bërë publik nga Hashim Thaci. Jahjaga aktualisht mban postin e Zëvendëskomisioneres në Policinë e Kosovës.
“Ne dominojmë Atifete Jahjagën kandidate për presidente të Kosovës. Pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Komisioni duhet ta përfundojë punën nga 6 – 9 muaj. Zgjedhjet do të mbahen jo më vonë se 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit nga populli”, tha Thaçi.
Sipas këtij memorandumi do të formohet edhe komisionin përkatës për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe që zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato lokale të mbahen në vitin 2013.
Gjatë fjalës së tij Pacolli u shpreh se “Kemi arritur të ulim në një tryezë dy liderët e partive më të mëdha. Unë jam tërhequr nga kandidati konsensuel për president. Nuk më është bërë asnjë presion, e kam bërë pasi do ishte gabim fatal ta coja përsëri vendin në zgjedhje. Kam qënë i sinqertë”,- tha Pacolli.
“Qeverisë, punoni për Kosovën, Kosova ka nevojë për ju”,- tha ai në fund të fjalës së tij.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa sqaroi se kjo marrëveshje nuk do të thotë koalicion në mes të LDK-së, PDK-së dhe AKR-së, por plotësim të disa kërkesave të LDK-së, siç është ajo për reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese.
Ai theksoi se LDK-ja do të mbetet një opozitë e fuqishme në Kuvendin e Kosovës.