Parlamenti i Kosovës ka zgjedhur për president të vendit një komandante të policisë së Kosovës pa ndonjë përvojë politike, duke i shmangur kështu zgjedhjet e reja pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit.
Që nga muaji shtator i vitit të kaluar, Atifete Jahjaga u bë personi i tretë që ushtron postin e presidentit të vendit të veshur me probleme ekonomike dhe me paqëndrueshmëri politike, vlerëson Reuters. Ajo është femra e parë presidente në tre vjetët pas pavarësisë së Kosovës.
“Si presidente e vendit, unë do të jem garantuese e kushtetutës dhe ligjit, një faktor unifikues, politikisht neutrale dhe do t`i mbrojë interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, do të jem përfaqësuese e të gjithë qytetarëve, pavarësisht kombësisë, fesë, racës apo gjinisë”; ka thënë Jahjaga gjatë fjalës së saj para deputetëve.
Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar nga koalicioni qeveritar PDK-AKR dhe nga partia më e madhe opozitare në vend, LDK të mërkurën, Jahjaga do të shërbejë në postin e presidentit ndërsa parlamenti të amendojë Kushtetutën në mënyrë që të mundësohet votimi direkt për president.
E lindur në vitin 1975, Jahjaga u bë police pas luftës në Kosovë, më 1998-99. Ajo u ngrit në rangje duke u bërë kështu gjenerale. Ajo ka qenë edhe ushtruese e detyrës së shefit të policisë së Kosovës ndërsa kohën e fundit ka shërbyer si zëvendëskomandante.