Kuvendi miratoi në parim me 71 vota të mazhorancës, të hënën në mbrëmje në seancë plenare, projektligjin “Për disa ndryshime në buxhetin e shtetit për 6-mujorin e dytë të vitit 2010”, që parashikon shkurtimin e shpenzimeve buxhetore me 39 miliardë lekë dhe uljen e mëtejshme të defiçitit buxhetor.
“Borxhi ynë publik është tërësisht i parrezikshëm”, tha në mbyllje të punimeve të seancës ministri i Financave, Ridvan Bode, duke kërkuar “të mbështesim këto ndryshime”, të cilat i quajti “ndryshime në të mirë të ekonomisë dhe të shqiptarëve”.
“Ne vijmë me ketë buxhet jo për të rritur taskat, sepse besojmë në kapacitetin e pafund që ka ekonomia shqiptare për tju kthyer ritmeve më të larta që ka ekonomia”, tha Bode, duke shtuar se “ky është buxheti që dëshmon vullnetin e thellë të kësaj qeverie, që i bashkangjitet të gjitha vendeve për një qëndrueshmëri ekonomike afatgjatë”.
ORA 21:48- OPOZITA BRAKTIS SALLËN E KUVENDIT
Deputetët e Partisë Socialiste, pas 12 orësh debat në Kuvend, braktisën punimet e Kuvendit duke shprehur qëndrimin e tyre kundër ndryshimeve në p/ligjin, “Për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2010”.
Duke folur në emër të grupit parlamentar socialist, deputeti i PS-së, Ilir Beqja tha se, “deputetët e PS-së, shpjeguan pse ky buxhet nuk e zgjidh krizën ekonomike por e thellon atë dhe ka vetëm një arsye pas vitesh qeverisje që është korrupsioni qeveritar”.
” Ky buxhet nuk e zgjidh asgjë, tha Beqja duke shtuar se, “PS e ka treguar të vërtetën e krizës ekonomike që në fillimet e vitit që kaloi dhe i ka paralajmëruar pasojat që do të vinin për familjet shqiptare”, duke shtuar më tej, se
“ky buxhet nuk ka qënë transparent”.
Me përfundimin e fjalës së deputetit Beqja, socialistët u larguan nga salla e Kuvendit.
ORA 20:24- MEDIU: BUXHETI PER MJEDISIN BURIM QËNDRUESHMËRIE
“Buxheti për mjedisin synon të ndërtojë një politikë të drejtë të menaxhimit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit mjedisor në vendin tonë”. Kështu u shpreh sot në seancën e posacme të Kuvendit, ku po diskutohet mbi ndryshimet në buxhetin e vitit 2010, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu.
Mediu solli në vëmendje të deputetëve rëndësinë e trajtimit të problemeve, me të cilat ndeshet mjedisi sot. “Problemet e mjedisit janë probleme të çdo shqiptari ndaj, duke mos dashur të kishte ndarje partiake, jam i hapur për për cdo sygjerim që i shërben përmirësimit të mjedisit”, tha ai.
Sipas tij, rishikimi i buxhetit, ku parashikohet të shkurtohen shpenzimet synon të ruajë një bilanc të qartë të të ardhurave dhe shpenzimeve. “Nevoja për këto ndryshime, arsyet që e nxitën qeverinë dhe synimet, që kerkon të realizojë ajo, kondicionohen nga një sërë zhvillimesh në tregjet globale, në tregjet e ekonomise rajonale, të cilat detyrojnë ndërmarrjen e një sërë masash emergjente dhe ne drejtimin e duhur”, tha ministri Mediu.
ORA: 16:30- KSERA: NDRYSHIMET NË BUXHET REDUKTOJNË SHPENZIMET
Ministri i Punës, Spiro Ksera gjatë fjalësë së tij në Kuvend prezantoi buxhetin e akorduar në fillim të vitit dhe ndryshimet që i janë bërë pas rishikimit për çdo program.
Sipas Kserës, ndryshimet në ligjin për buxhetin 2010, nuk prekin programet bazë të mbështetjes sociale, por kryesisht reduktojnë shpenzimet.
“Ndryshimi i fondeve buxhetore nuk do të prekë dhe as deformojë sektorët bazë”, duke theksuar se ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me reduktimin e shpenzimeve operative, dietat, udhëtimet, telefonatat, kursimet në energji brenda dikastereve tona etj.
Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve në vitin 2010 i është akorduar në total fondi në vlerën 42 miliarde e 596 milion lekë. Me buxhetin e rishikuar ai është në vlerën 41 miliarde e 426 milionë lekë, pra me një diferencë prej 1 miliarde e 170 milion lekë.
ORA 16:00- OPOZITA KUNDËR NDRYSHIMEVE NË BUXHETIN 2010
Deputetët e opozitës vazhdojnë të kundërshtojnë sot në Kuvend rishikimin e ligjit të buxhetit të vitit 2010, të propozuar nga qeveria duke e konsideruar atë “buxhetin e krizës”.
Nënkryetarja e grupit parlamentar, të Partisë Socialiste, Vasilika Hysi në diskutimin e saj tha se ndryshimet në buxhet, po diskutohen në momentin kur qeveria vazhdon të mohojë krizën ekonomike. “Buxheti i miratuar me eufori dhe pa transparencë 8 muaj me parë, sot shkurtohet në masën 25%. Me këtë projekt, shkurtohen 17.000 mijë vende pune, ndërkohë që qeveria një vit me parë premtoi një qeverisje të begatë dhe hapje frontesh pune të reja”, tha deputetja Hysi.
Sipas saj, p/ligji i qeverisë, “pavarësisht se synon të parandalojë thellimin e krizës, i jep mundësi drejtuesve të institucioneve të heqin nga puna punonjës të kualifikuar dhe të marrin me kontrata të përkohshme pune punonjës të tjerë, që mesa duket do t’u ofrohen vende pune si shpërblim, për shërbimet që ata do të japin në zgjedhjet e ardhshme vendore, apo si shpërblim për shërbimet që i ofrojnë kësaj qeverie”.
Ndërsa, nënkryetari tjetër i grupit parlamentar socialist, Saimir Tahiri, tha se “p/ligji e propozuar është buxheti krizës për qytetarët, të cilët nga faturat e energjisë, tashmë të papërballueshme, nga faturat e ilaçeve, të ushqimeve e deri tek rrogat e pensionet e pamjaftueshme, zhyten në krizë përditë e më shumë”.
Debati në parlament për rishikimin e ligjit të buxhetit 2010 vijon prej 6 orësh në Kuvend me diskutime të gjata dhe herë-herë të ashpra mes deputetëve të të dyja palëve. Pas miratimit sot në parim, p/ligji i qeverisë do të kthehet sërish në komisionin parlamentar të Ekonomisë për shqyrtimin e tij, nen për nen.
Ora 14.20 BALLA: BEIRISHA REDUKTON BUXHETIN, SHTON PASURINE E FAMIJES SE TIJ
Deputeti socialist Taulant Balla akuzon kryeministrin Berisha se po redukton buxhetin e shtetit për të pasuruar buxhetin e familjes së tij. Nga foltorja e parlamentit, Balla thotë se, mund të jetë koicidencë, por reduktimi i buxhetit të ministrisë së Integrimit është e barabartë, në vlerë monetare, me fitimin në një vit të djalit të kryeministrit. Po kështu dhe reduktimi i buxhetit të minsitrisë së Ekonomisë është sa vlera monetare e fitimit që ky ministër ka arritur në një vit.
“Dy ministri shumë të rëndësishme janë reduktuar buxhetet. Ministrisë së Integrimi i reduktohet buxheti me 278 mln lekë të vjera ose afërsisht me 200 mijë euro, (në këmbimin ditor të valutës). Është koecidencë por 200 mijë euro është fitimi i deklaruar nga djali i qeverisë së integrimit, i qeverisë së kapsëlluk në vit. Ministria e Ekonomisë, koecidencë, aq sa reduktohet, në vlerë monetare, buxheti i kësaj ministrie aq është fitimi që ka korrur Ministri i Ekonomisë për një vit. 2. 8 miliardë lekë i hiqen investimeve të minsitrisë dhe i shtohen pasurisë së ministrit.”- deklaroi deputeti Balla në Parlament duke vazhduar më tej. Balla akuzoi më tej kryeministrin për “supermashtrim” me kredinë 3. 2 mld euro dhe i kërkon Berishës të japë llogari për këto kontrata në Parlament. Balla akuzoi qeverinë e Berishës duke e krahasur me një “anije hajdutësh e njerëz të akuzuar për vrasje”
Ora 13.00 RULI: RISHIKIMI I BUXHETIT I DUHURI. RAMA KA BILANCE ME HUMBJE
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli deklaroi sot në Kuvend se opozita nuk e pranon impaktin pozitiv të reformave në ekonominë e vendit. Ministri Ruli, duke mbrojtur draftin e propozuar nga qeveria për rishikimin e buxhetit, akuzoi opozitën për retorikën agresive të përdorur ndaj ecurisë pozitive të ritmeve të ekonomisë së vendit. “Ishin reformat që e shkëputën Shqipërinë në vitin 2006 nga rreziku i hyrjes në orbitën e rritjes ekonomike të ulët. Në fjalën e tij në parlament Ruli reagoi dhe ndaj akuzave të vazhdueshme që kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama ka adresuar ndaj qeverisë lidhur me situatën ekonomike në vend.
“Duke qënë se ky lider po pëson humbje, në vend të ndryshojë strategjinë e taktikën përsëri po vijon sjelljen e tij të parapëlqyer që është kriza. Ju kujtoj se këshilltari më i besueshëm ekonomik për Edi Ramën nuk është asnjë nga ekspertët e ekonomisë së PS-së, por miku i tij biznesmen, i cili prej 10 vitesh u jep leksione shqiptarëve në rubrikën si “Të bëheni milioner”, ndërkohë që prej 20 vjetësh ka bilance me humbje në të gjithë aktivitetin e tij”, përfundoi ministri Ruli fjalën në Kuvend.
Ora 12. 15: BRACE: SILLNI BERISHEN E MINISTRAT NE KUVEND
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Brace i kërkon Kuvendit praninë e kryeministrit dhe të ministrave kryesore në sallën e Kuvendit gjatë kohës kur zhvillohet debate për ndryshimet në buxhetin 2010. Sipas Braces “ministrant duhet të jenë në sallë dhe nuk duhet të ikin e të mos përballen me deputetët.”. Duke replikuar me Boden deputeti Brace tha se “Nuk është sharje të përmendësh deklarimet e pasurive të ministrave si nuk është fyerje t’i kërkosh Ministrit të Financave ku i ke gjetur paratë.
Ora 12: 00 REPLIKA, FINO: KRIZA PREKU QYTETARET, BODE: ABUZIME
Deputeti socialist Bashkim Fino tha se qeveria injoroi paralajmërimet e opozitës dhe akuzoi kryeministrin si shkaktarin kryesor të krizës ekonomike. Sipas Finos “ministrat fituan miliona euro” ndërsa “krizën po vuajnë shqiptarët e bizneset.” Sipas Finos investimet këtë vit janë zero % ndërsa janë shkurtuar grantet e buxhetit vendor.
Në kundërpërgjigje ministri Bode i quajti trillime dhe abuzime deklarimet e Finos. Sipas shefit të Financave në qeveri nuk jemi ne bum ekonomik por nuk jemi as në krizë. “Investimet këtë vit janë mbi 2 herë sesa ke qenë ti në qeveri” ( Fino u vendos në krye të qeverisë prej 9 marsit 1997 deri më 29 qershor 1997 .)- deklaroi Bode duke shtuar se “Fino abuzon duke thënë se ky buxhet shkurton fondet e buxhetit lokal. Asnjë qindarkë nuk është shkurtuar nga grantet e buxhetit vendor, dhe mund të bëhej se duhej të bëhej por nuk kemi programuar në emër të pavarësisë së institucionit. Ajo që është shkurtuar është rënia e të ardhurave të buxhetit vendor. Kryetari juaj, kryetari i bashkisë Edi Rama nuk ka realizuar të ardhurat e këtij buxhetit.”-deklaroi Bode nga karrigia e ministritit ne Parlament . Bode i cilësoi “gënjeshtra” deklaratat e Finos për interesa marrëmendëse të borxhit.
Ora 11:00 MALAJ: KUJDES BORXHIN PUBLIK
Deputeti socialist Arben Malaj ripërsëriti qëndrimin se qeveria po fsheh krizën ekonomike. Ish- ministri i Financave, (në kohën e qeverisjes socialiste) i bëri apel qeverisë të bëjë kujdes me borxhin publik i cili sipas tij deri në fund të mandatit të saj mund të shkojë deri në 65 %, ndërsa përmendi dhe qëndrimin e PS-së që thotë se “aktualisht borxhi është 100%”
“Shqiptarët nuk kanë pse të paguajnë gabimet e keqqeverisjes tuaj” – tha Malaj e paralajmëroi se “nëse qeveria nuk do të veprojë sot nesër do të jetë tepër vonë”
ORA 10: 20: BODE: RISHIKIMI I BUXHETIT, I DUHURI
Nga foltorja e Kuvendit Ministri i Financave mbrojti rishikimin e buxhetit dhe i bëri thirrje deputetëve për të votuar pr/ligjin pasi është “i duhuri, sic është vlerësuar dhe nga FMN dhe insituticionet e tjera ndërkombëtare”.
Ai tha se ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 synojnë mbajtjen e ekonomisë shqiptare në ritmet më të larta të mundshme të zhvillimit ekonomik. Këto ndryshime kondicionohen nga një numer zhvillimesh në tregjet lokale dhe ato ekonomiko-rajonale.”
Zoti Bode bëri një krahasim mes ekonomive të vendeve në rajon dhe efektet e krizës globale në këto vende si dhe efektet në ekonominë shqiptare. Bode tha se parashikohet që “borxhi i prodhimit të brendshëm bruto të ulet nga 4 ne 3 % “, Sipas tij borxhi është më i lartë në vendet në rajon por është më i miri. “ Sepe kostoja është me e ulëta, se në të gjithë vendet e rajonit. 2/ 3 e borxhit publik është i brendshëm, është borxh në lekë i cili administrohet në mënyrë më të mirë dhe në paramentart më të mirë të mundshëm. Borxhi i jashtëm mbështetet në Bankën e Zhvillimit i cili ka financuar dhe vazhdonë të financojë projekte në Shqipëri. Ky borxh ka normë interesi shumë të ulët të butë dhe me një afat krediti që kalon mesatarshi 15 vite”.
ORA 10:40 PS, BRACE: KRIZEN PO E NDJEJNE QYTETARET
Nga ana e opozitës deputeti siocialist Erion Brace tha se ekonomia reale është në krizë. Sipas tij qeveria s’ka në buxhet paratë që kishte parashikuar dhe se janë qytetarët që po ndjejnë krizën, jo qeveria. “Deri tani, në 6 muaj, ka paguar duke marrë borxh; deri në 254% si hua e brendshme dhe 152% si hua e jashtme!. Ekonomia reale ka vënë poshtë Qeverinë”- deklaroi Brace.
Pr/ligji
Ndryshe nga herët e tjera, ky buxhet i rishikuar parashikon ulje drastike të shpenzimeve në masën 25 për qind dhe më shumë në sektorët jetikë të vendit, si shëndetësia, arsimi dhe në infrastrukturë.
Parashikohet që vetëm Ministrisë së Brendshme t’i ulen 25 për qind fondet e shpenzimeve dhe të investimeve. Ky dikaster ka në varësi dhe pushtetin vendor. Ndërsa shëndetësisë dhe arsimit i priten fondet në masën 22 për qind. Fondet e buxhetit social ndërpriten në masën 1 miliard lekë të reja. Në Ministrinë e Bujqësisë do të shkurtohen në masën 31 për qind shpenzimet.
Qeveria ka ndërmarrë shkurtimin e shpenzimeve me qëllim që t’i paraprihej efektit të krizës globale, por opozita e ka cilësuar buxhetin e ri, si të krizës ekonomike që po përjeton vendi.
Socialistët në komisionin parlamentar të Ekonomisë kanë kërkuar zhvillimin e seancave dëgjimore me drejtues të institucioneve shtetërore si të Tatimeve, Doganave, për të dhënë sqarime në lidhje me realizimin e të ardhurave. Por, një gjë e tillë është refuzuar nga ana e maxhorancës me argumentimin se buxhetin e mbron ministri i Financave, i cili mbron politikat fiskale të qeverisë dhe se drejtorët mbrojnë vetëm çështjet teknike në realizimin e të ardhurave.