Ajo që pritej më pak ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, ku struktura të Ministrisë së Brendshme janë përplasur me njëra-tjetrën duke shkuar deri në kallëzim penal. Si rrallë ndonjëherë, një drejtues policie i një prej strukturave më të rëndësishme në Policinë e Shtetit, konkretisht ajo e forcave speciale, ka kallëzuar në prokurori personin më të rëndësishëm për momentin në krye të Ministrisë së Brendshme. Drejtori i forcave speciale dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë, kryekomisar Shemsi Prençi, ka denoncuar zv.ministrin e Brendshëm Avenir Peka.
Padia ndaj Pekës
Sipas Prençit, Peka i ka dhënë urdhër të paligjshëm për të futur në incidentin e së dielës në Kamzë forcat speciale, në një kohë që kjo gjë është e ndaluar me ligj. “Sot kam denoncuar incidentin më të rëndë në raste zgjedhjesh. Për një incident që ka ndodhur në Bathore, zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka ka kërkuar që unë të shkel ligjin dhe të vë forcat speciale në atë zonë. Kam refuzuar dhe ai më ka kërcënuar dhe ofenduar. Do t’i kërkoja zotit kryeministër që standardet që mundohet të ndërtojë në Shqipëri, të mos lejohen t’i shkelin e t’i nëpërkëmbin njerëz si Avenir Peka”, ka deklaruar Prençi. Prençi tha se ai merr urdhra vetëm nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe askush tjetër dhe se nuk do pranojë t’u bindet urdhrave të paligjshëm. “Nuk do zbatoj urdhëratë e paligjshëm të zëvendësministrit Peka. Kërcënimet e tij ishin të natyrave të ndryshme, jo vetëm për vendin e punës, sepse për atë jam mësuar, por edhe fyerje shumë banale sa nuk mund të thuhen për mediat”, ka pohuar Prençi.
Mbledhje urgjente e Policisë së Shtetit
Në kohën që zëdhënësja e policisë jepte konferencën, në zyrat e Drejtorisë së policisë së Tiranës po zhvillohej një mbledhje urgjente me shefat e të gjitha komisariateve, drejtues të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të misionit ICITAP. Në lidhje me objektin e kësaj mbledhjeje nuk u dha asnjë detaj, ndërkohë që në përfundim të saj, një mbledhje e dytë është zhvilluar edhe me krerët e Policisë së Shtetit në drejtorinë qendrore të saj.
Dokle: Të largohet Peka
Pas denoncimit të kreut të forcave speciale, opozita ka kërkuar dorëheqjen e zëvendësministrit të Brendshëm, Avenir Peka. Në një deklaratë për mediat, deputeti Namik Dokle e ka akuzuar atë për shpërdorim të postit dhe lëshim të urdhrave të paligjshëm. “Ky zëvendësministër që guxon të dalë mbi ligjin duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet. Inkurajojmë organet e drejtësisë që të mbrojnë votën e lirë dhe zgjedhjet demokratike. Berisha të mbajë larg votës së popullit Pekat dhe purtekat e tij, Bashat dhe mashat, si dhe Ponet dhe Al Kaponet”, ka deklaruar Dokle.
Gjonçaj: Jo e drejtë, ndërhyja e policisë për heqjen e flamujve
Incidentet e fundit me militant të dy forcave më të mëdha politike, nuk kanë kaluar pa u diskutuar edhe në Komisionin Qendror Zgjedhor. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Genc Gjonçaj ka deklaruar se nuk është e drejtë ndërhyrja e policisë në Kamëz për heqjen e flamujve. Ndërkohë që ka kërkuar që të ketë një udhëzim për këtë çështje. Gjoncaj ka kërkuar gjithashtu shpjegime në lidhje me listat e zgjedhësve. Ndërkohë, sipas kreut të Komisionit Qendror Zgjedhor Arben Ristani, për vendosjen e posterave dhe të flamujve ekziston një udhëzim i veçantë dhe i përket pushtet vendor që të vendosë gjithçka. Gjatë mbledhjes së sotme, janë shqyrtuar një sërë ankesash në lidhje me vendimet e KZAZ-ve për mos-regjistrim të listës shumë emërore në disa rrethe të vendit.
Trendi i incidenteve mbërrin në Peqin, PD nuk lejon PS të vendosë flamuj
Trendi i incidenteve për fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale të 8 Majit mbërrin dhe në Peqin. Flamujt e fushatës janë bërë shkak i një incidenti ditën e sotme në qytetin që njihet si bastion i së djathtës. Mësohet se militantë të Partisë Demokratike nuk kanë lejuar vendosjen e flamujve të Partisë Socialiste dhe janë konfrontuar edhe me forcat e Policisë Bashkiake. Për fat të mirë nuk ka pasur përleshje dhe është kërkuar zgjidhja e situatës në mënyrë ligjore dhe konform rregullave.
Shkatërrohet zyra e kandidatit të pavarur Orikum, akuzon PS-LSI
Shënohet incidenti i parë në qytetin e Orikumit. Gjate orëve të para të mëngjesit të sotëm janë thyer xhamat dhe janë shkulur disa flamuj në shtabin elektoral të kandidatit të pavarur Hasan Labaj, në qytetin e Orikumit. Vet kandidati Labaj e ka dënuar këtë akt duke ja faturuar përgjegjësin dy kandidatëve të tjerë atij të LSI dhe të PS. Më konkretisht ai theksoi se, “është një veprim që tregon fytyrën e vërtet të kandidatëve të majtë apo të djathtë, qofshin ata. Ata i ka zënë paniku, por kjo nuk është forma e duhur që zgjedhin për të thyer xhamat e qendrës elektorale, për ta shkatërruar, dhunuar apo për të dëmtuar posterat”. Labaj është kandidat që përfaqëson një pjesë të banorëve të Dukatit, që pretendojnë dhe pronat në bregdet së bashku me ish-punonjësit e NB-së në Orikum.
LSI përdor me satirë parullën e PS-së për kandidatët kundërshtarë
Kandidatët nisin të bëjnë satirë dhe ironi me parullat e partive politike, duke i përdorur ndaj kundërshtarëve. Parulla “E vetmja rrugë” e “Aleancës të të ardhmes” është bërë objekt i incidentit të radhës në Çermë të Lushnjës. Banderola ofenduese për një prej kandidatëve në komunë, atë të PS-së, ka shkaktuar debate mes shtabeve elektorale të dy grupimeve të mëdha. Në të thuhej “E vetmja rrugë për të vjedhur Tërbufin”, fshat i Çermës, “E vetmja rrugë për të grabitur Lelin”, kjo referuar kandidatit. Për tabelën që kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Astrit Dervishi, i LSI-së, ka vendosur për rivalin e tij, kandidati socialist është shprehur i revoltuar. “Është vendosur logoja e koalicionit tonë dhe e PS-së. Kjo është një fyerje për mua personalisht dhe për gjithë PS-në. Po u bën presion njerëzve nga format më të ndryshme, u bën presion qytetarëve edhe pse ata kanë në zemër PS-në”, theksoi për mediet Eltinor Mahmutaj, kandidati i PS-së në Çermë. Kurse rivali i tij nga LSI, që kërkon mandatin e tretë në komunë, ka mbrojtur veprimin e tij. “Kjo parullë nuk është ofenduese. Jemi në fushatë dhe nëse është në përputhje me ligjin, nuk ka asnjë problem”, tha Astrit Dervishi. Edhe banorët e Çermës nuk e kanë pritur mirë këtë incident, duke kërkuar qetësi dhe përgjegjësi nga forcat politike për fushatë të ndershme.