Mësues, pedagoge dhe edukatore festojne sot 7 marsin, që përkon me 124 vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë.
Përvjetori i Mësonjtores së Parë shqipe simbolizon rilindjen e madhe te shqiptarëve, luftën e tyre për identitet kombëtar, për liri dhe progres. Falë dashurisë dhe sakrificave të rilindasve tanë të shquar arsimi i rezistoi presioneve dhe i dha frutet e veta, një Shqipëri e pavarur, që iu bashkua rrjedhës së kombeve të tjera europiane, në rrugën e pavarësisë dhe zhvillimit.
Përpjekjet e përbashkëta nga atdhetarët shqiptarë të Korçës, Bukureshtit e Stambollit për çeljen e një shkolle të rregullt shqipe u intensifikuan në vitet e fundit të shekullit të XIX-të.
Ndër intelektualët tanë të njohur në atë kohë përmendim: Naum Veqilharxhi, Zef Jubani, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi, Thimi Marko, Naim e Saim Frashëri, Pashko Vasa, Hasan Tahsini e të tjerë.
Drejtuesit e Komitetit Shqiptar të Stambollit u kujdesën në atë kohë edhe për hartimin dhe miratimin e një alfabeti të përbashkët për të gjithë bashkëatdhetarët.
Me këtë alfabet ata botuan librin e parë “Alfabetarja e Gjuhës Shqipe”. Ndërsa në Korçë, nën drejtimin e Komitetit Kombëtar, ishin marrë të gjitha masat nga atdhetarët vendas për çeljen e shkollës së parë shqipe.
Kështu, më 7 mars 1887, u çel shkolla në gjuhën amtare që kishte fillimisht mbi 35 nxënës.
Megjithëse edhe më parë ishin bërë përpjekje për çeljen e shkollave shqipe, shkolla e parë e Korçës dallohej për fizionominë e saj kombëtare, laike dhe demokratike. Në të mësimi zhvillohej vetëm shqip, nuk kishte përmbajtje fetare dhe në të mësonin djem e vajza pa asnjë dallim. Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa, numri i nxënësve pas tre muajsh arriti në 60 dhe në vitin e dytë të saj numëronte 300 nxënës.
Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmenden atdhetarët e njohur Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja, etj.
Sot kemi një arsim të konsoliduar. Arsimi fillor, 9-vjeçar dhe i mesëm janë shtrirë në gjithë vendin. Arsimi i lartë, përveç Tiranës, ka dhe në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Vlorë e Durrës.