Reforma në administratë pritet të prekë një numër ende të pacaktuar punonjësish.
Por, ndërsa nuk dihet se kush do të largohet, zv/kryeministrja Senida Mesi tregoi një nga kriteret që duhet të plotësojnë ata që do të qëndrojnë: “Përfitoj nga rasti që të siguroj çdo nëpunës të administratës, të cilët me korrektësi dhe profesionalizëm kryejnë detyrën kundrejt qytetarëve, se qeveria është e angazhuar për t’i mbështetur dhe promovuar më tej ata. Në të njëjtën kohë, ne do të modernizojmë shërbimet, lehtësojmë punën e tyre dhe do të ulim burokracinë për qytetarët tanë në të gjitha pikat ku shteti u shërben atyre”.
Reforma e administratës mori vlerësime në progres-raportin e fundit të Bashkimit Europian për Shqipërinë, por, sipas përfaqësuesve të Bashkimit Europian, kërkohet ende më shumë qartësi me gjithë ndryshimet thelbësore që janë bërë: “Kemi një kohë të madhe për të parë se cilat kanë qenë zhvillimet në vend. Ka një sërë angazhimesh dhe politikash si riorganizimi i administratës, që mund të ndikojë reformën e administratës. Duhet më shumë qartësi. Ne kemi parë ndryshime thelbësore deri tani”.
Reformimi i administratës publike është një nga 5 prioritetet kyçe të cilat Shqipëria duhet të përmbushë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe ajo do të mbikqyret nga një grup i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe përfaqësues të të gjithë vendeve të Bashkimit Evropian.