Home Aktualitet Vritet me shtatë plumba biznesmeni nga Vlora

Vritet me shtatë plumba biznesmeni nga Vlora

963
0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në qytetin e Vlorës. Kaçandon Shehaj 37 vjeç ka mbetur i vrarë me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur poshtë banesës së viktimës në një nga pallatet te Shkolla e Marinës, në afërsi të zonës së “Ujit të Ftohtë”, zonë e mjaft populluar këtë stinë vere. 37-vjeçari ka qenë duke mbyllur garazhin, pas parkimit të makinës kur është qëlluar me armë. Sipas policisë motiv kryesor i ngjarjes duket se janë probleme të pronësisë, pasi Shehaj ishte ortak në disa pallate që ndërtohen aktualisht në Vlorë. Deri tani janë të paidentifikuar autorët e ngjarjes, për të cilët vijojnë hetimet.
Vrasja
Biznesmeni Kaçandon Shehaj, 37 vjeç, sapo kishte parkuar automjetin dhe në momentin kur po mbyllte dyert e garazhit është qëlluar me 7 plumba nga persona te paindentifikuar qe kanë përfituar nga errësira. Dy prej plumbave të pistoletës e kanë goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia e cila ka mbërritur në vendngjarje pas informacioneve për të shtëna armësh ka gjetur trupin e të riut të mbuluar nga gjaku dhe pa jetë. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, shkaqet e të cilës mbeten ende të panjohura. Burime zyrtare nga policia, kanë konfirmuar se 37-vjeçari kishte precedent penal, dhe pak kohë më parë ishte arrestuar si i dyshuar për vjedhje automjeti, e më pas është lënë i lirë.
Ekspertiza
Sipas të dhënave të policisë, motivi kryesor i ngjarjes duket të jenë probleme të pronësisë, pasi 37-vjeçari ishte ortak në disa pallate që ndërtohen aktualisht në Vlorë. Deri tani janë të paidentifikuar autorët e ngjarjes për të cilët vijojnë hetimet. Hetuesit thanë se shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë aktiviteti i viktimës në biznesin e ndërtimit. Nga hetimet e bëra policia ka ngritur dy pista hetimi. Konfliktet e pronësisë për disa sheshe ndërtimi ku po ngriheshin pallate në të cilat viktima Kaçandon Shehaj ishte aksioner, si dhe precedentët penalë të biznesmenit, janë dy pistat e hetimit të ngritura pas hetimeve të para mbi vrasjen. Policia ka pohuar se është vënë në dijeni të disa konflikteve të pronësisë për trojet ku biznesmeni Shehaj kishte ndërtuar pallate. Ndërkohë sipërmarrësi i ndërtimit ishte arrestuar pak kohë më parë nga policia me akuzën e vjedhjes së një automjeti. Policia po verifikon precedentë të tjerë penalë të biznesmenit pasi kjo është një nga pistat kryesore të hetimit lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e të enjtes.

————————————————————————————————————————————————
Si nis dhe si përfundon dita e Rruzhdi Saraçit në shërbim të njerëzve
Historia e rrallë e invalidit, 30 vjet gazetashitës

Njerëzit normalë duhet ta kenë zili vullnetin invalidit që i lë ata “nën hije”. Ai quhet Rruzhdi Saraçi dhe është një ndër ata persona që na lë përshtypje në jetë. Dita e tij nis pa zbardhur ende, në 5 të mëngjesit, kur në atë orë njerëzit normalë zgjohen vetëm për halle. Del nga shtëpia e tij në fshatin Gosë të Kavajës dhe niset drejt Rrogozhinës, destinacionit të tij të përditshëm. Pasi shfleton mirë e mirë faqet e të gjitha gazetave të mundshme, nis tu bëjë reklamë tek klientët. Jeta e Rruzhdi Saraçit nuk ka kuptim pa shtypin e printuar, pasi ai ka plot 30 vite që i shërben atij, dhe për çudi asnjëherë nuk janë mërzitur me njëri-tjetrin. Shitësi ambulant nuk është si të gjithë të tjerët. Jeta e ka munduar tejmase, ku vite më parë, fati deshte që një aksident i trishtë ta linte invalid për jetë. “Jam goditur në kokë te Ura e Bushtricës kur isha në aksion në hekurudhën Librazhd-Përrenjas dhe që atëherë nuk mbaj mend asgjë”, rrëfen ai. Aksidenti i rezervoi atij një rrjedhë jete të trishtë, pasi 50-vjeçari jeton i vetëm në fshatin e tij dhe gjen ngushëllim vetëm tek ngjarjet e gazetave. Ruzhdiu ka fituar respektin e të gjithë njerëzve në zonën ku ai punon, të cilët e nderojnë dhe e mirëpresin sa herë e shikojnë. Tashmë ai është bërë si i shtëpisë për ta, pasi kanë 30 vite që e njohin. Nga Rrogozhina, pasi merr gazetat tek pika e Çelik Kolgecaj, Rruzhdiu niset drejt fshatrave përreth. Të rralla janë rastet kur ai udhëton me ndonjë makinë të rastit, pasi çdo ditë ecën në kë,bë. Banorët e asaj zone flasin shumë mirë për këtë njeri, i cili u çon “ushqimin” e përditshëm të informacioneve.
Përplasen 2 makina, aksidentohen rëndë 4 maturantë

Një aksident i rëndë automobilistik është shënuar dje në aksin Milot-Rrëshen, si pasojë e të cilit kanë mbetur të plagosur 4 persona. Mëngjesin e së premtes, dy automjete, një me targa MR 2905 A dhe një me LA 5841 janë përplasur mes tyre. Një njërin prej automjeteve të aksidentuar ndodheshin 4 maturantë, të cilët mbetën të plagosur rëndë. Ata janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës. Policia e cila po heton në vendngjarje dyshon se aksidenti mund të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën udhëtonin, maturantët.
Zbulohen 80 lloj ilacesh kontrabandë në Elbasan

Zbulohen 80 lloj ilacesh të ndryshme pa pullën e ministrisë së Shëndetësisë në 3 prej farmacive të qytetit të Elbasanit. Sektori i Krimit pas kontrolleve të kryera finalizoi me sukses mesditën e djeshme operacionin e koduar “Flour Day”, duke sekuestruar 80 lloje të ndryshme medikamentesh, që ishin pa pullën e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas policisë këto medikamente mjekësore ishin siguruar në mënyrë të paligjshme në tregun e Tiranës, ndërsa mësohet se ndaj tre farmacistëve ka nisur proçedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale tregëtim dhe transportim të ilaceve kontrabandë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here