Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e djeshme fshatin Balldre në Lezhë. Një i ri 16 vjeçar ka humbur jetën gjatë një përballje me policinë. Sipas Policisë së Shtetit, incidenti ndodhi pasi automjeti me targa TR 7870 R, nuk pranoi të ndalonte në postbllokun e policisë. Të shtëna të shumta armësh kanë terrorizuar banorët e zonës të cilët kanë qenë dëshmitarë të një shkëmbimi zjarri mes policisë dhe disa personave të kërkuar për grabitjen e shtetasve malazezë disa ditë më parë.
Identifikimi i personave
Pasi të rinjtë nuk u janë bindur patrullës policore, makina ka vazhduar lëvizjen ndërsa efektivat e policisë kanë qëlluar me armë në ajër për të ndaluar mjetin. Ndërkohë nga makina është hapur zjarr në drejtim të policisë dhe në këtë mënyrë ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit i cili përfundoi me vrasjen e njërit prej personave që ndodheshin në makinë. Të dhënat e para nga vendngjarja flasin për një 16-vjeçar të vdekur, i cili është vëllai i njërit prej grabitësve, që ndodhej brenda mjetit tip Benz me targa TR 7870 R. Policia bën të ditur se makina më targa të Tiranës, në të cilën udhëtonin disa të rinj është vënë në ndjekje nga policia për shkak se në të udhëtonin 2 persona të identifikuar si grabitësit e shtetasve malazezë në Lezhë. Pak ditë më parë, tre shtetas malazezë kanë qenë viktima të një grabitje me maska në një lokal në hyrje të autostradës Lezhë-Shkodër. Persona të maskuar i kanë grabitur atyre rreth 20 mijë dollarë, dokumentet amerikane që dispononin, si dhe makinën me të cilën udhëtonin.
Ngjarja
Pas identifikimit të të rinjve, policia ka tentuar të ndalojë makinën në një postbllok, por të rinjtë nuk i janë përgjigjur thirrjes duke përplasur motorin e njërit prej efektivëve të policisë. Për pasojë ka mbetur i plagosur polici 40-vjeçar, Dritan Loreci i cili është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal. Më pas policia ka ndjekur makinën nga Lezha deri në fshatin Balldre, ku ka ndodhur edhe një shkëmbim zjarri mes policisë dhe të rinjve. Personat e kërkuar kanë braktisur mjetin në thellësi të fshatit ndërsa brenda makinës është gjetur i vdekur një 16-vjeçar, me iniciale A.S. Forca të shumta policie janë mbledhur menjëherë në fshatin Balldre ndërsa kanë nisur aksionet për kapjen e të rinjve.
Vritet 17-vjeçari shqiptar në Kanada
Një i ri shqiptar emigrant në Kanada është ekzekutuar me thikë nga një person me precedentë penalë pas konfliktit për dëmtimin e makinës. I riu shqiptar mbeti i vdekur në Vankuver të Kanadase ditën e mërkurë nga një 20-vjeçar. Viktima, Adem Aliu, vetëm 17 vjeç, u sulmua nga 20-vjeçari, Mulligan Brum, një person ky me precedent penal, pasi siç duket shqiptari i kishte shkatërruar makinën. Aliu, i cili kishte emigruar nga Shqipëria drejt Kanadasë tre vjet më parë jetonte në Surrey së bashku me xhaxhain e tij ndërsa ndiqte shkollën e mesme në Guildford Learning Centre. Sipas autoriteteve kanadaze, 17-vjeçari shqiptar kishte nisur të qëndronte me një grup vandalësh, të cilët konsumonin shumë alkool dhe shkatërronin makinat e të tjerëve. Policia tha se vrasësi pasi vuri që makina e tij ishte shkatërruar goditi me thikë të riun shqiptar. Policia bëri të ditur se arrestoi 20-vjeçarin, Mulligan Brum, i cili njihet edhe për një sërë aktesh të tjera kriminale nga policia e qytetit.
Tiranë, merr flakë një makinë në Laprakë
Një automjet ka marrë flakë dje paradite në Laprakë duke shkaktuar një kaos në trafik dhe panik tek qytetarët. Makina tip Land Rover mori flakë rreth orës 10:10 minuta në zonën e Laprakës dhe u dogj e gjitha brenda pak minutash. Zjarrfikëse dhe policia mbërritën në vendngjarje. Zjarrfikësit mundën të lokalizojnë flakët që kërcënonin të tjera automjete dhe objekte pranë automjetit. Fatmirësisht në momentin që mori flakë, në automjet nuk kishte njerëz. Djegia e makinës solli dhe bllokimin e aksit ku ndodhej automjeti duke shkaktuar kështu dhe kaos në trafikun e kësaj zone. Policia aktualisht po heton për rrethanat e djegies së automjetit.
Fier/Drejtonte makinën i përgjumur, vdes polici rrugor
Një polic trafiku ka gjetur vdekjen ditën e djeshme nga një aksident i ndodhur dje paradite në qytetin e Fierit. Polici ka gjetur vdekjen pasi automjeti që ai drejtonte u përplas me një kamion të parkuar në rrugë. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:30 minuta kur efektivi i policisë rrugore Roland Musaraj, 50 vjeç ishte duke udhëtuar në Unazën e re në Fier me automjetin e tij “Benz” TR 9438 A u përplas me një kamion të parkuar me targa TR 5979 B. Dyshohet se shkak për aksidentin mund të ketë gjendja e përgjumur e efektivit rrugor. Musaraj ishte nisur për në shtëpi me benzin e tij pas përfundimit të turnit. Ndërkohë që policia po heton për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.