Home Aktualitet Verbofshi, i vrava se nuk me paguan leket e droges

Verbofshi, i vrava se nuk me paguan leket e droges

727
0

durres-vrasjeKatër ditë pas ekzekutimit dhe djegies së dy të rinjve në Durrës, Odise Verbofshi pranon gjakftohtë se krimin e ka kryer pasi ndihej i kërcënuar. Rreth orës 9:00 të mëngjesit të djeshëm, 32-vjeçari i shoqëruar nga dhjetëra forca policie është dërguar në banesën e tij në Shkozet, aty ku vrau Shaban Babasin, 27 vjeç, dhe Albert Kasallën, 32 vjeç, e më pas është dërguar në zonën e Kënetës, ku dogji dy trupat e viktimave. Burimet nga grupi hetimor, bënë me dije se Verbofshi është i traumatizuar, flet pak, por ka zbardhur të gjithë horrorin e shkaktuar për shkak të prishjes së pazareve të drogës. 32-vjeçari ka deklaruar se nëse nuk do i vriste Albert Kasallën dhe Shaban Babasin, do ta vrisnin ata. “Më thanë që do të më merrnin mallin, e pashë veten ngushtë. Nuk dija si të veproja. Edhe ata ishin të armatosur. Këta mund të më vrisnin, se e donin mallin pa para në dorë, derisa ta shisnin. Kështu u detyrova që t’i qëlloja”, ka thënë para hetuesve të çështjes, vrasësi. “Gazeta Shqiptare” ka zbardhur dëshminë e plotë të dhënë në vendin e ngjarjes për grupin hetimor të Verbofshit. Ndërkaq, me kërkesë të prokurorisë pritet zbardhja e tabulateve telefonike të autorit, për të parë nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë në krim, megjithëse 32-vjeçari ka pranuar autorësinë e vrasjeve krejtësisht i vetëm. Ai ka mohuar që Gazep Pili, personi i parë i arrestuar nga policia si bashkëpunëtor në vrasje, të jetë i implikuar në këtë ngjarje. Po kështu, Verbofshi ka përjashtuar në mënyrë kategorike vëllain e tij 30-vjeçar Ergysin se kishte dijeni për krimin. 32-vjeçari u arrestua në zonën e Bilishtit, në tentativë për të kaluar në shtetin grek.
HETUESI: I njihnit Babasin dhe Kasallën?
VRASESI: Po, kishim disa muaj që njiheshim. Ata më kishin porositur për të blerë hashashin dhe unë i prisja të vinin ditën e enjte në shtëpinë time. Për këtë nisa nusen dhe fëmijën e vogël tek babai i saj. Të dy ata erdhën rreth orës një në shtëpi për të marrë hashashin.
HETUESI: Çfarë ndodhi në shtëpinë tënde?
VRASESI: Ata erdhën dhe mallin e kishin gati. U thashë që doja lekët para se të jepja mallin, se edhe unë nuk e kisha marrë me para. Ata nuk kishin lekë me vete. Filluan të më ngrinin zërin dhe për momentin u ndjeva i kërcënuar. Sepse ata ishin dy, kundrejt një që isha unë. Më thanë se kur ta shisnin do të më jepnin lekët, por këtë gjë nuk e pranova. U zumë nja gjysmë ore dhe atëherë e pashë veten ngushtë. Nuk dija si të veproja. Edhe ata ishin të armatosur. Mund të më vrisnin mua të parin. Më qëlluan me grushta e me shkelma, sepse donin mallin. Mua, ata që ma kanë dhënë do të më vrisnin po të mos u ktheja lekët. Këta mund të më vrisnin, se e donin mallin pa para në dorë, derisa ta shisnin. Kështu u detyrova që t’i qëlloja. Isha i detyruar, se mund të më vrisnin ata. Mora një pistoletë që kisha në shtëpi dhe i kam qëlluar të dy me nga një plumb në kokë.
HETUESI: Kur i ke vrarë?
VRASESI: Rreth orës 13 e 13 të drekës. Më pas trupat e tyre i mbështolla me batanije brenda në shtëpi. Isha shumë i shqetësuar për atë që kishte ndodhur. Nuk mund të lajmëroja asnjë njeri, sepse vetë isha shumë keq, por kujtdo që t’i thosha do ta fusja në telashe. Pasi i mbështolla me batanije, i lashë aty deri në mbrëmje. Ata kishin lënë makinën para oborrit tim. Kam dalë jashtë dhe kam pirë cigare, nuk dija ç’të bëja.
HETUESI: Me kë i fute trupat në makinë?
VRASESI: Kur u errësua, që të mos më shikonin njerëzit, makinën e afrova deri afër derës. I tërhoqa zvarrë nga salloni deri tek dera e jashtme e shtëpisë. Njërin e futa në bagazh, tjetrin e vura në sediljen e pasme. Isha vetëm fare. Pastrova sallonin, e lava, se kishte shumë gjak. Edhe në kolltuqe kishte gjak. Nxora armët e tyre nga brezi, i lashë mbi krevat. Ato janë armët e tyre.
HETUESI: Çfarë roli ka Gazep Pili?
VRASESI: Gazepin e mora në telefon dhe i thashë të më sillte një bidon me benzinë se më ishte fikur makina. Ai e solli në shtëpinë time, vetëm kaq bëri. Vendosa t’i djeg në fund të rrugës së paasfaltuar. Vetë e kam spërkatur makinën me benzinë. I vura flakën dhe u largova me shpejtësi. Gjatë rrugës, që e bëra më këmbë, kam hedhur pistoletën.
HETUESI: Ku e hodhe?
VRASESI: Nuk e mbaj mend mirë, isha si i çmendur, i frikësuar.
HETUESI: Makina t’u prish rrugës që ndalove në atë vend, apo do vijoje rrugën akoma më tej, për në Porto Romano?
Jo, atje e mendova t’i vija zjarrin, se atje ka më pak banesa afër. Nuk mund të ecja më tej.
HETUESI: Po më pas, pse u larguat?
VRASESI: U largova gjithë frikë. Nuk e mbaj mend mirë orën, por jam larguar nga Durrësi dhe jam nisur për në Korçë. Mendova të ikja në Greqi, të kaloja kufirin.
HETUESI: A je penduar për atë që ke bërë?
VRASESI: Jam penduar shumë. Jam penduar sepse nuk mund ta kthej mbrapsht të gjithë këtë që ndodhi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here