Home Aktualitet I ati i Mariglenit: “Lufta ne Siri nuk eshte xhihad”

I ati i Mariglenit: “Lufta ne Siri nuk eshte xhihad”

725
0

xhihad-shqiperiDy të rinj nga fshati Rëmenj i Pogradecit rezultojnë se kanë shkuar në Siri. Njëri prej tyre është Maringlen Dervishi, i cili vetëm një muaj më parë ka marrë me vete dhe bashkëshorten e djalin e tij 2 vjeç. I tronditur, babai i të riut, Demir Dervishi dje deklaroi se është hera e dytë që i biri shkon në Siri. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, i moshuari pohoi se u tmerrua kur djali i tij u kthye nga Siria dhe se po ta dinte se do ikte sërish kurrsesi nuk do e linte. Ndërkohë, Demiri pohon se nuk i dënon personat që i mashtruan të birin për të ikur në Siri, pasi ata i dënon Allahu.

Kur është larguar nga Shqipëria djali juaj?
Më 25 tetor të vitit të kaluar. Fillimisht na e mbante të fshehtë vendndodhjen, duke na thënë disa herë se ndodhej në Francë dhe më pas në Turqi, ku dhe punonte në një supermarket. Kaluan shumë kohë dhe më pas tregoi të vërtetën. Flasim shpesh në telefon dhe ai na qetëson duke thënë se është mirë së bashku me bashkëshorten dhe djalin dy vjeç, të cilët i ka marrë së fundmi në Siri.

Kur e mori bashkëshorten dhe djalin në Siri?
Në shkurt të këtij viti. Më 14 shkurt erdhi nusja, e cila është shumë besimtare, dhe na kërkoi 40 mijë lekë. Ne ia dhamë, por nuk e dinim që i donte për të shkuar në Siri. Kur e morëm vesh, ajo kishte marrë djalin dhe kishte ikur tek Marigleni. Një Zot e di sesi. Ishte Marigleni që na mori në telefon pas disa ditësh dhe tha se ata ndodheshin me të në Siri.

Keni dijeni se me kë u largua djali juaj?
Jo. Në fakt kjo është hera e dytë që ai shkon në Siri. Herën e parë qëndroi atje një vit e gjysmë, më pas erdhi në shtëpi. Ajo ditë ishte e tmerrshme, pasi ai ishte kërrusur. Dukej tamam si i ardhur nga lufta. Na thanë që e kishte zënë nervi në kurriz dhe e kuruam gjatë. Nëse do e dija se do ikte sërish në Siri nuk do e kisha kuruar.

Si u ndjetë kur e mësuat lajmin se kishte shkuar sërish në Siri?
U trondita, pasi nëse do e dija, nuk do e lejoja kurrë që të shkonte në Siri. Im bir më ka thënë se punon në Siri dhe se është përfshirë në luftë. Megjithatë, unë nuk e kam falur, pasi Kurani nuk e fal gënjeshtrën. Ai realisht më gënjeu.

Ishte besimtar Marigleni?
Ishte shumë besimtar. Shkonte dhe falej në xhaminë e Pogradecit shpesh. Disa herë shkonte dhe në Tiranë, por nuk e di se ku dhe me kë shoqërohej.

I keni kërkuar të kthehet në Shqipëri?
Patjetër që po, por gjithçka është e kotë. Ai e ka vendosur, nuk kthehet më në Shqipëri. Në Tiranë u bënë disa arrestime pak javë më parë lidhur me rekrutimin e qytetarëve shqiptarë dhe dërgimin e tyre në Siri.

Keni një koment?
I kam ndjekur me vëmendje, por nuk mund t’i gjykoj. Kështu e kishte shkruar Allahu, ai është mbi të gjithë. Një myslimani të vërtetë nuk i lejohet asnjëherë të bëhet gjykatës. Ata le t’i dënojë Allahu.

Ju ka folur Marigleni ndonjëherë për xhihad?
Xhihadi është të luftosh me veten, me problemet dhe hallet e familjes apo vendit tënd. Këtë i kam thënë dhe unë, por ai thotë se në Siri ka xhihad.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here