Një sasi tritoli i është vendosur makinës së një binesmeni ndërtimi në qytetin e Durrësit ditën e sotme. Lënda eksplozive shpërtheu teksa automjeti tip “Citroen” me targë AA759EY po lëvizte në aksin nacional Plazh-Plepa.
Policia bën me dije se i plagosur ka mbetur Xhemal Çela biznesmen ndërtimi. Për shkak të gjendjes së rëndë biznesmeni Çela është transportuar drejt Tiranës për të marrë një ndihmë më të specializuar. Sipas mjekëve ai ndodhet në gjendje kome dhe ka hemorragji të brendshme. Biznesmeni Çela ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e këmbëve.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe fillimisht ka nisur të plagosurin drejt spitalit të qytetit të Durrësit. Ndërkohë drejt vendit të ngjarjes shkuan dhe një makinë zjarrfikëse. Ende nuk dihet cilat janë shkaqet e rënies së zjarrit në makinë. Policia ka nisur hetimet. Për shkak të zjarrit është bllokuar levizja në njërin krah të aksit rrugor.
Vetëm pak ditë më pare një shpërthim i ngjashëm ndodhi në qendër të qytetit të Vlorës, në bulevardin ‘Ismail Qemali’ në afërsi të poliklinikes, ku një sasi eksplozivi “hodhi në erë” automjetin e kryetarit të Komunës Qendër Fredo Berberi. Ai ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.