Home Aktualitet Shtyhet sërish gjyqi:Turpi i drejtësisë shqiptare emrin e ka: Gërdec!

Shtyhet sërish gjyqi:Turpi i drejtësisë shqiptare emrin e ka: Gërdec!

536
0

Kalvari i dhimbshëm i procesit gjyqësor të Gërdecit duket se do të mbetet një njollë turpi për drejtësinë shqiptare pasi shtyrjet e njëpasnjëshme të seancave gjyqësore e vërtetojnë më së miri këtë gjë. Pavarësisht interesit të jashtëzakonshëm mbi këtë dosje ku janë 29 të pandehur, procesi gjyqësor është duke u zvarritur e duke u shndërruar në një maratonë seancash, që shtyhen duke kaluar të gjitha afatet kohore që parashikon ligji. Nga shpërthimi famëkeq pikërisht më 15 mars të tre viteve më parë humbën jetën nga një seri shpërthimesh të fuqishme në një fabrikë demontimi armësh dhe lëndësh luftarake, 26 vetë dhe më shumë se 300 të tjerë mbetën të lënduar. Pavarësisht kësaj gjyqtarët, prokurorët apo avokatët duket se janë indiferente, duke abuzuar edhe me kërkesa apo justifikime qesharake për mungesat e tyre në gjyqin e Gërdecit.

Skandali
Ditën e djeshme për të tretën herë brenda kësaj jave është shtyrë procesi gjyqësor, ku të pranishëm ishin si përherë familjarët e viktimave. Megjithëse Gjykata e Tiranës u duk se e gjeti zgjidhjen për shpejtimin e procesit “Gërdeci”, duke shtuar në axhendën e saj zhvillimin e gjyqit tre herë në javë, zvarritja e seancave vazhdon të mbetet një problem serioz. Këtë të premte procesi zgjati 15 minuta, kohë e cila ju desh gjyqtarit për të bërë apelin e palëve e më pas për të deklaruar shtyrjen e gjyqit për javën e ardhshme. Ndodh e njëjta gjë. Dikush prej avokatëve mungon siç raportohet për arsye shëndetësore dhe procesi shtyhet. Por ndërsa aktorët e këtij procesi lënë sallën për t’iu drejtuar një tjetër seance ata që e përjetojnë ndryshe këtë zvarritje dramatike të procesit gjyqësor janë ata që ndjejnë ende dhembje për viktimat e tragjedisë së Gërdecit.

Refuzimi
Kjo e premte ishte llogaritur për të dëgjuar dëshminë e Patrik Henrit, biznesmeni amerikan që drejtonte kompaninë “Sac”. Por Patrik Henri së bashku me tre dëshmitarë të tjerë amerikanë i janë përgjigjur me refuzim letër porosisë së gjykatës, duke e injoruar kërkesën. Nuk dihet nëse në seancën e radhës gjykata do ta përsërisë apo jo kërkesën e saj, sigurisht nëse procesi do zhvillohet. Pas alarmit për zvarritjen e procesit deri në dështim, i cili mbërriti deri në zyrën e presidentit të Republikës, gjykatësit vendosën të zhvillojnë tri seanca gjyqësore në javë, të cilat tashmë nuk janë gjë tjetër veçse tri shtyrje në javë, e për më tepër më shumë dhimbje për familjarët e dhjetëra viktimave të tragjedisë së Gerdecit. Top-Channel ka intervistuar ditën e djeshme nënën e djalit të vogël 9 vjeçar Erison Durda i cili humbi jetën në këtë tragjedi. Mesazhi i kësaj nëne të dëshpëruar deri në dhimbje për humbjen e birit të saj është i qartë.

TCH: Pse qave kur mbaroi gjyqi?

Nëna e Erison Durdës: “Qava se kjo është fyerje, është tallje me ne. Kjo është të llahtarisesh jo të qash, shteti jonë, u raftë pika o Zot, o Zot sa duroke!”.

Aksident në Ulëz, zhduket makina me tre persona brenda

Milot/- Një makinë me targa Tirane ka dalë nga rruga duke përfunduar në ujërat e liqenit të Shkopetit. Aksidenti rrugor ka ndodhur rreth orës 13:00 ditën e djeshme kur makina me targa TR 0403 U që po udhëtonte në rrugën nacionale Milot-Burrel, ka dalë nga rruga duke përfunduar në ujërat e hidroventralit të Shkopetit. Burime nga policia bëjnë të ditur se thellësia e këtij liqeni është mbi 30 metra dhe është e pamundur ndërhyrja nga forcat e policisë që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes , ndërkohë që është kërkuar ndihma e polumbarëve nga Tirana. Zyrtarisht nuk dihej se sa persona po udhëtonin në makinë, por sipas disa banorëve të zonës, që kanë qenë pranë vendit ku ndodhi aksidenti thonë se brenda në makinë mund të kenë qenë 3 persona. Sipas policisë makina ka qenë në pronësi të mjekut Tahir Alku i cili sipas të dhënave kryente shpesh me automjetin e tij rrugën Buqizë-Tiranë. Por policia sqaron se nuk dihet ende nëse në momentin e aksidentit ka qenë vetë mjeku 65 vjeçar në timon apo një person tjetër. Ajo çka dihet është se mjeku kryente shpesh rrugën Tiranë- Bulqizë.

Aksident në Zallher, vdes 20-vjeçari, plagoset kushëriri
Një person gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa djali i xhaxhait të tij u plagos rëndë si pasojë e një aksidenti të rëndë ditën e djeshme në Qendër Zallher. Ngjarja e rëndë ndodhi në mesditë, ku një kamion i cili transportonte inerte, përplasi për vdekje 20-vjeçarin Bledar Lami dhe plagosi rëndë Genci Lamin, 29 vjeç të cilët në ato momente po udhëtonin mbi motorr. Si pasojë e goditjes së fortë 20-vjeçari i cili ishte dhe drejtuesi i motorit humbi jetën, ndërsa djali i xhaxhait të tij u transportua menjëherë për në spitalin ushtarak ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje ndaloi drejtuesin e kamionit. Nga hetimet paraprake, mendohet se të dyja mjetet lëviznin me shpejtësi, por shkak i aksidentit mund të jetë bërë dhe pakujdesia e drejtuesit të kamionit identiteti, i të cilit ende nuk është bërë i ditur.

Vlorë, përplas kokën në shkëmb vdes 14-vjeçari
Një ngjarje rëndë ka tronditur dje qytetin e Vlorës. Një 14-vjeçar humbi jetën aksidentalisht teksa është hedhur për tu larë në zonën e Ujit të Ftohtë në afërsi të tunelit, duke përplasur kokën në shkëmb gjë që i ka shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të ditës së djeshme ndërkohë që viktima mësohet të jetë 14-vjeçari Rudin Selimaj. Selimaj ishte i shoqëruar nga shokët e tij, të cilët janë përpjekur ti japin ndihmën e parë dhe më pas e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Vlorës, por sipas mjekëve të këtij spitali goditja ka qenë fatale për 14-vjeçarin i  cili nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë që shokët e Selimaj të cilët shoqëronin në këtë pasdite bëjnë me dije se ngjarja është aksidentale.

Shkodër, shkrumbohet banesa, shpëtojnë familjarët
Një banesë dykatëshe është shkrumbuar nga flakët mëngjesin e djeshëm në Shkodër, në vendin e quajtur rrugica e Arrës së Madhe. Shtëpia në fjalë është pronë e shtetasit Prel Pali i cili në atë moment nuk ndodhej në banesë. Fillimisht vatra e zjarrit është shfaqur në katin e dytë të shtëpisë dhe flakët janë vënë re nga komshinjtë, të cilët kanë lajmëruar me pas zjarrfikëset. Një pjesë e çatisë së shtëpisë është shembur dhe për pasojë tjegullat kanë goditur një kalimtare, duke e plagosur atë lehtë në kokë. Dëmet materiale llogariten në miliona lekë, ndërsa dëme në njerëz nuk ka pasi brenda në banesë nuk ka patur njeri. Shkak i rënies së zjarrit, dyshohet të jetë bërë një goditje e energjisë elektrike që ka provokuar shkëndija zjarri në sistemin e amortizuar elektrik të banesës.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here