Home Aktualitet Korrupsioni ne Gjyqesor, Fiks Fare denoncon pazaret

Korrupsioni ne Gjyqesor, Fiks Fare denoncon pazaret

635
0

fiks-fareInvestigimi ka nisur tre muaj më parë, kur një qytetar nga Puka denoncoi pranë redaksisë së emisionit “Fiks Fare” zvarritjet dhe padrejtësitë, që po i bëheshin në dyert e të ashtuquajturave institucione të drejtësisë së këtij rrethi, pasi ai dhe pesë anëtarë të familjes së tij u arrestuan për pjesëmarrje në një protestë ndaj kompanisë së përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz “BerAlb”.

Për ndryshimin e masës së sigurisë, për secilin prej të arrestuarve në këtë protestë, shuma që i kërkohej qytetarit ishte 5 milionë lek (të vjetra).

Investigimi disa mujor i “Fiks Fare” zbuloi një zinxhir sekserësh, të cilët kërkojnë parà në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndërsa ishin paguar për 5 anëtarë të kësaj familjeje, nga 5 milionë lek (të vjetra) për lirimin e secilit prej tyre, sekserë dhe avokatë i kërkojnë parà qytetarit në emër të gjyqtarëve, për të ndryshuar masën e sigurisë për pjesëtarin e fundit të familjes së tij, që ndodhet në burg.

Shuma përfundimtare për të liruar djalin e tij ishte 6 milionë lek (të vjetra). Në prani të oficerit të policisë gjyqësore, garantohet se prokurorit i janë dhënë paratë.

Në bisedat e transmetuara në “Fiks Fare”, me zë dhe figurë, sekretarja dhe kancelarja e Gjykatës së Shkallës së Parë pranojnë se për lirimin e dy anëtarëve të familjes së qytetarit janë paguar 5 milionë lek (të vjetra) për secilin.

Ngjarjet, që u transmetuan në “Fiks Fare”, i përkasin shkallës së parë të Gjyqësorit. Në ditët në vazhdim, investigimi i “Fiks Fare” do të tregojë se pazaret vazhdojnë më tej, edhe në shkallë të tjera të këtij sistemi.

Llalla pezullon prokurorin e Pukës
Masë edhe për oficerin e policisë gjyqësore. KLD: Të nisin hetimet.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i institucioneve më të larta drejtuese të Gjyqësorit. Në një deklaratë, të shpërndarë vetëm pak pas transmetimit të pamjeve në “Fiks Fare”, Këshilli i Lartë i Drejtësisë u shpreh se i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesën për nisjen e hetimeve të menjëhershme.

KLD i kërkoi organit të akuzës të hetojë me objektivitet ngjarjen dhe faktin nëse ka gjyqtarë të implikuar në të. Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbyll këtë deklaratë me garantimin e opinionit publik, se do të mbështesë dhe do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë me çdo institucion shtetëror, në hetimin objektiv ndaj çdo gjyqtari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo korruptive.

Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme, gjithashtu ka bërë me dije se kryeprokurori Adriatik Llalla ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Pukës, Pëllumb Prençi dhe oficerit të Policisë Gjyqësore, Hasan Alia.

Këtë veprim, kryeprokurori Adriatik Llalla thotë se e bazon në dyshimin për veprime antiligjore të tyre, referuar pamjeve të transmetuara në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm shton se zoti Llalla ka urdhëruar ngritjen e një “Task Force” në Prokurorinë e Tiranës, me qëllim hetimin e plotë dhe intensiv, për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë e të gjithë personave të përfshirë në këtë situatë, përfundon deklaratën e shpërndarë për mediat, organi qendror i akuzës.

*** NGJARJA E PLOTË ***

Pas një investigimi disa-mujor, emisioni “Fiks-Fare” nisi nga mbrëmja e së martës transmetimin e një cikli emisionesh për denoncimin e korrupsionit në gjyqësor.

Historia e një familjeje, 6 anëtarët e të cilës u arrestuan gjatë një proteste për të drejtat elementare të mbijetesës, zbuloi hallkat e korrupsionit në kete sistem.

Investigimi i “Fiks-Fare” solli një zinxhir sekserësh, të cilët kërkojnë para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sjellë me zë dhe figurë të vërtetën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në vend.

Korrupsioni në drejtësi që i referohet shpesh politika, raportet ndërkombëtare e deri tek ambasadori i SHBA kur tha se në Shqipëri ka gjyqtarë që duhet të ishin pas hekurave, erdhi në serinë e denoncimeve të Fiks Fare i provuar me fakte reale.

“Unë jam banor i Fushë Arrëzit. Në muajin Prill më arrestuan gjashtë pjestarë të familjes në një mënyrë kriminale. Arsyeja e arrestimit ishte një protestë e realizuar për arsye se kompania “Beralt” na ka shkatërruar ekonomikisht, na ka bllokuar tokën, ujin, ndot ambientin e shumë të tjera, diçka për të cilën nuk na ka kompenuar kurrë”, denoncoi në mikrofonat e “Fiks-Fare” banori që nuk deshi të identifikohej me emër dhe fytyrë.

“Protesta u zhvillua në 15 prill 2013. Gjatë protestave u arrestova dhe unë. U lirova pas dy muajsh e gjysmë, kur më ndryshuan masën e sigurisë në arrest shtëpie. Bëra kërkesë dhe u lirova me detyrim paraqitje. Nuk kishte shanse të liroheshe pa paguar. Liria më kushtoi katër milionë lekë (të vjetra)”, vazhdoi denoncimin viktima e kësaj skeme gjigante të korrupsionit në drejtësi.

“Nga Prilli deri në Gusht mund të kem shkuar në gjykata 20 herë dhe nuk pranonin të më merrin kërkesën, pasi kërkonin lekë. Unë s’isha mësuar me këtë, gjykatësit përdorin sekserë. Paratë kërkoheshin për prokurorin e gjyqtarin, kërkonin jo më pak se 5,5 mln lekë për lirim. Unë detyrohem të marr borxh, më vonë nëse vazhdon kështu do të detyrohem të shes shpinë dhe rrugë tjerë s’ka sepse nëse s’paguajmë ata s’do të dalin nga burgu”, vazhdoi denoncimin qytetari.

Të alarmuara nga ky denoncim, kamerat e “Fiks-Fare” mbërritën në vendngjarje, në Gjykatën e Rrethit Pukë, që pa shumë vështirësi mundën të takoheshin me sekserin. “Prokurori nuk ta qit djalin pa marrë kafen. Bën 6 milionë lekë. Prokurorët dhe gjyqtarët marrin në fillim kafet dhe më pas të mbarojnë punë”, thotë sekseri me zë dhe figurë përpara qytetarit.

Më pas, kamerat dokumentojnë oficerin e policisë gjyqësore, Hasan Allën, i cili ndërmjetëson lirimin pas pagimit të lekëve. Kamerat dokumentojnë takimin me avokatin Fariz Xhuxhi, i cili thotë: “Paguaj dhe për dhjetë ditë lirohet”. Ai del garant për të zgjidhur të gjithë situatën, ndërsa i pyetur nga qytetari se nëse ka rrezik që çështja të rihapet, Xhuxhi jep të sigurt se gjykatësi nuk do ta bëjë kurrë gjyqin.

“Unë do i them, në ta mban b…. liroje dhe merr lekët. Kështu funksionon, çështje interesi”, shton Xhuxhu, duke iu referuar gjyqtarit.

Në “Fiks-Fare”, në këtë emision të parë që hap një seri emisionesh që demaskojnë korrupsionin në drejtësi, dokumentohet pjesëmarrja në këtë skemë madhore edhe e kancelares e sekretares së gjykatës.

Sekretarja, nga ana e saj del garant që do të dorëzojë lekët gjykatësit dhe prokurorit, ndërsa kancelarja jep udhëzimet e duhura për mënyrën se si duhet të realizohet të gjitha veprimet. “Kam 21 vite që merrem me këtë punë, unë jam mafie”, thotë në një moment sekretarja.

Ngjarjet e transmetuara këtë të martë i përkasin shkallës së Parë të Gjyqësorit. Por, në ditët në vazhdim, investigimi i ”Fiks-Fare” do të tregojë se pazaret bëhen edhe në shkallët më të larta të gjyqesorit.

Biseda me sekretaren dhe kancelaren e Gjykates së Shkallës së Parë:

Kancelarja – Më tha mbaj letrat, mos i bëj konfirmimin, nesër vij unë në orën 9:30 tha, n.q.s vjen Pali.
Qytetari – Nuk do bëj konfimim?
Kancelarja – Më ka thënë të mos e bëjmë konfirmimin sot, do e bëjmë sikur e ke bërë të dielën… A ke folur me prokurorin ti?
Qytetari – Shiko si e kam punën, tani të flasim drejt, më kupton apo jo, kam hallin e lekëve.
Kancelarja – Nesër i ka thënë Bardhës me ardhur.
Qytetari – Nesër.
Kancelarja – Po don me ia marr Bardhës, nuk do me t’i marrë ty ajo.
Qytetari – Nuk do me m’i marr mua ajo!
Kancelarja – Kështu ka thënë.

Sekretarja – Tani Pal, jam duke hyrë direkt në temë. Unë kam folur dje me Shqefnin dhe më ka thënë të dorëzoj njërin, kaq.
Qytetari – Jo mo si të dojë, por dua me nxjerr dajlin, se më dhimbset, se është me kriza.
Sekretarja – Do me nxjerr djalin, do me lënë vëllanë atje ti?
Qytetari – Njëlloj i kam, si njërin, si tjetrin, a më dëgjon. Dëgjo unë kam hallin e lekëve, kush i merr?
Sekretarja – Lekët kam fol edhe me Bardhën, lekët i mbaj unë, një ditë përpara se të bëjmë gjyqin. Ose atë ditë që do e lejë Shtjefni, një orë përpara i fus lekët. Se, si të marrë lekët, nuk e vras mendjen më.
Qytetari – Një ditë përpara. Nuk bëhet fjalë me i marr sot?
Sekretarja – Nuk kam ku me i lënë, nuk kam ku me i lënë. Nuk kam ku i lë o Pal sot. Unë fola me Shtjefnin e më tha, unë jam për Palin, për vëllanë e vet.
Qytetari – Po tjetri kur del?
Sekretarja – Dëgjo Lilin, unë nuk e di kur del a kur nuk del tjetri, ai kështu më tha në telefon. Kam fol sot me të në telefon, më tha Lilajn, nuk bën të dy, se ndoshta bën bujë more Pal… E tjetrin si të eci puna. Më 1 fillon puna, data 27 sot. A do Astritit?
Qytetari – Ku t’i lë lekët?
Sekretarja-Kancelares – A po i mban ti këtu?
Qytetari – Jo këtu…
Sekretarja – Mirë, unë gjatë rrugës po marr në telefon kryetarin, që të më lerë datën dhe po i them se Pali e ka dorëzuar kërkesën, se ka thyer dorën nusja e Astritit dhe është shumë keq. Dhe ai më thotë bëj njoftime dhe unë, e unë të them Pal më datë kaq, ora kaq.
Sekretarja i drejtohet Kancelares – Po lekët.
Kancelarja – I mbaj unë në kasafortë.
Sekretarja – Se nuk kam ku i lë lekët.

Qytetari – Lekët tani, se i kam edhe të prokurorit komplet?
Sekretarja – Komplet.
Qytetari – Iku.
Kancelarja – Të kam thënë edhe atë ditë, se i ka marrë si ai, edhe ai.
Sekretarja – I kanë ndarë bashkë, tak, tak, tak.
Qytetari – 10 milionshin e kanë marrë 5 njëri, 5 tjetri.
Sekretarja – Pash këtë ujë, që lahet i gjallë e vdekur, po. Për kryet e katër fëmijëve, po. Pasha njatë djalë, se njatë djalë kam, pasha kryet e djalit, sikur m’i ka dhënë kunata jote, 5 milionë të parit, 5 milionë të dytit. Dhe ja kam shkruajtur në shifra, 2 500 000 prokurorit dhe 2 500 000 këtij (kryetarit të gjykatës). 2 500 000 atij, i kam dërguar katër zarfa, ia ka shkruajtur kunata jote 25. Harram m’i bëftë zoti… Shët bëja zotit dhe i kam thënë Bardhës futu brenda dhe thuaj a e ka marrë kafen.
Kancelarja – Vetëm se ka marrë lekët prokurori…
Sekretarja e kryetarit – Po i kam parë unë, vil-vil-vil kanë hyrë me çantë, e ka dalë pas… Unë jam mafije por nuk foli, kam 21 vite që e bëj atë punë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here