Home Artur Zheji Anti-berishizmi si justifikim i tejzgjatur

Anti-berishizmi si justifikim i tejzgjatur

1065
0

berisha-metaËshtë tanimë e lodhshme dhe intelektualisht rraskapitëse të dëgjosh akuza të pafundme dhe përsiatje shumëngjyrëshe kundër ish-kryeministrit Berisha. Kanë kaluar tanimë 17 muaj të bollshëm nga “Qeverisja e Re” dhe të përqendrohesh te trashëgimia “dramatike” e qeverisë Berisha, si një peshë e papërballueshme për t’u “ngritur mbi supe” dhe për t’u zhbërë, është dita- ditës më e pamjaftueshme. Thënë shqip, ky argumentim nuk mban më.

Në qoftë se këto akuza, që tingëllojnë sot më së shumti retorike, nëse do të vazhdojnë edhe për ca kohë, si edhe duket nga trendy i deritashëm, na jep me dije se ndoshta diçka thelbësore nuk shkon mirë. Nënkuptohet kështu që, kapaciteti për të ngritur lart kurbën e kërrusur ekonomike të krizës, të një krize jo vetëm shqiptare, por rajonale dhe europiane, është një kapacitet që po kalon edhe ai krizën e vet.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë më tej të ndahet me argumente letrare: në engjëj dhe në djaj.

E ka bërë këtë edhe Berisha, për shumë vite, si taktikë dhe si “modus operanti”, të të bërit politikë. Është pra një déjà vu në stilin e komunikimit dhe të parashtrimit të gjërave.

Më kujtohen fare mirë vite të shkuara, në kohën e qeverisë së Fatos Nanos, në vitet 2002-2005, që kishte nga ata ministra apo “drejtorë të mëdhenj” që dërgonin fjalë dhe premtime nëpër kanale të ndryshme dhe të fshehta komunikimi, tek Doktori, dhe i kërkonin Berishës, në mënyrë absurde, ndihmë për karrierën e tyre në krizë. Ndihma qëndronte në kërkesën që ai t’i sulmonte dhe t’i akuzonte politikisht në Kuvend. Kështu ata, të sulmuarit nga Doktori, shpresonin të fitonin pikë dhe të merrnin grada besueshmërie në Partinë Socialiste. Duke ndjekur Parlamentin e këtyre kohëve, më duket se ky fenomen duket sikur po fillon të përsëritet edhe sot.

Sepse, përveç kryeministrit Rama, që është detyrimisht në linjën e parë të protagonizmit dhe të përballjes politike, të tjerët, thjesht duhet të raportojnë Institucionalisht mbi arritjet apo mosarritjet e tyre.

Sporti retorik për të goditur verbalisht Berishën, largon debatin parashtrues, ose si e thotë latini, debatin propozitiv të këtyre zotërinjve. Dhe kjo është tanimë e bezdisshme, sepse shumica e diskutantëve, kuptohet në një klimë emocionale të tejzjarrtë, më së shumti nuk raportojnë se çfarë është bërë dhe se çfarë do të bëhet, por fillojnë e mbarojnë me “bilancet negative apo katastrofike” të qeverisë së shkuar. Simbas stilit: ngrihem për të diskutuar se çfarë nuk është bërë në kohën e qeverisë Berisha dhe jo për të diskutuar se çfarë kam bërë apo çfarë nuk kam bërë unë, si ministër apo diçka tjetër. Këtë le t’ua lënë gazetarëve apo analistëve politikë, profesionet nuk kanë përse të ngatërrohen qëllimisht.

Që qeveria e kaluar, sidomos në dy vitet e fundit, pati një rënie dramatike rezultatesh, kjo dihet tanimë. Nuk është as mister dhe as e panjohur. Më 23 qershor, për këtë bilanc dhe për ato energji në shterim e sipër të ish-qeverisë, pati edhe një rokadë të qartë e të thekshme elektorale pushteti. Sepse pati, nga Mazhoranca e Re, premtime dhe parashtrime që u besuan, të tipit “Rilindës”, të cilat krijonin bindjen dhe idenë tek shumica e zgjedhësve se Rokada e Pushtetit do të ishte Zgjidhja e Krizës.

Koha dhe parametrat e rezultateve të deritashme rrëfejnë që nuk paska qenë absolutisht kaq e thjeshtë. Ekuacioni qeverisës ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë më i komplikuar. Natyra njerëzore është po ajo, mëkatare dhe egoiste, përfituese dhe grabitqare. Kështu ka mbërritur të mbijetojë raca apo natyra e “homo sapiens” deri në ditët tona të evolucionit të vet, shekull mbas shekulli dhe mijëvjeçar pas mijëvjeçari.

Korrigjimi i kësaj natyre nuk mjaftohet dot kurrë me ndryshimin e një Maxhorance, e pra, me zëvendësimin e saj me një tjetër. Është një Evolucion i gjatë zhvillimi. Eksperienca e vetme, jo perfekte, por gjithsesi e suksesshme në botë, është qytetërimi i sotëm perëndimor. Dhe rrënjën e vet, ky model kaq i vështirë për t’u mbërritur, e ka tek ndryshimi gradual i institucioneve. Proces ky së paku 300-vjeçar dhe shumë i përgjakshëm, dhe shumë i reflektuar. Por edhe i mirëfinancuar nga grabitjet masive koloniale dhe postkoloniale, nga ana e vendeve të zhvilluara ndaj vendeve të tjera.

Për t’u kthyer në terrenin konkret, kur Rama shkonte drejt pushtetit në vitin 2013, e dinte fare mirë Shqipërinë që po merrte në duar dhe instrumentet që kish për qeverisjen e saj. Ai e braktisi me vetëdije betejën parlamentare për Presidentin në vitin 2012.

Dhe sot, Kryeministri duhet t’i bëjë hesapet me Bujar Nishanin, President të Republikës. Nuk ka përse ankohet për këtë. Dhe kjo vlen edhe për Prokurorin e Përgjithshëm, edhe për drejtorin e SHISH.

Rama, Kryeministri pra, ose duhet të bashkëjetojë si të mundet me ta, ose të bashkëpunojë brenda ca hapësirash të ngurta, ose të përshtatet, duke shtuar disa herë më shumë volumin e punës së ekzekutivit. Rrugë tjetër më të thjeshtë dhe më komode nuk ka, së paku edhe për disa vite të mira e të gjata njëkohësisht.

Mirëpo, gjithsesi vendosja në qendër të së “keqes”, apo të yçklës që nuk mirëfunksionon, me arsyen-justifikim se Berisha, edhe sot, i ka të gjitha fajet, është si t’i japësh gaz një makine pa karburant.

Berisha është në Tiranë. Në shtëpinë e vet politike apo familjare. Ballë për ballë dhe a “modo suo” (sipas mënyrës së vet). Me defektet, mëkatet, apo të mirat e tij.

Berisha, ka dhe do të ketë një influencë të padiskutueshme në mjaft struktura strategjike të shtetit. Por ky nuk është një koeficient i panjohur, sepse dihej edhe në qershor 2013, se do t’i kishte. Si njeri përcaktues për shumë karriera politike institucionale dhe si siguresa politike të së nesërmes. Pavarësisht interpretimeve në politikë, për atë tërësi interesash dhe influencash që përbën thelbin e pushtetit dhe politikës, ky fakt mbiquhet largpamësi politike.

Rama dhe qeveria e tij, ka gjithsesi shumë e shumë hapësira që të rrëfejë potencialin e vet reformator apo “shtetformues” dhe për këtë Berisha nuk mund ta pengojë, edhe sikur të donte. Parada e fjalimeve të zjarrta antiberishiste, të disa ministrave apo të disa aspirantëve për ministra, është duke u kthyer në një taktikë politike të pashijshme. Nuk mund të mbushen gropat e mossukseseve të aksh drejtori, apo të aksh ministrie, me vrulle pikante fjalësh sulmuese antiberishiste, që adresohen tek e kaluara, si justifikim, për mosmbërritjet e sotme.

Sepse Berisha apo “trashëgimia” e tij qeverisëse nuk “luftohet” me fjalime retorike, shpesh me përmbajtje të theksuar ideologjike. Përballja me të bëhet me bilance, me shifra dhe me vepra konkrete, në terren konkret.

Përndryshe, pas ca kohësh, duke gjykuar nga fjalët e pafundme ankimtare dhe akuzonjëse, nuk do të dallojmë dot kush është në pushtet dhe kush jo.
“Mapo”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here