Vendet anëtare të Bashkimt Evropian, me përjashtim të Britanisë së Madhe ranë sot dakord për një traktat me qëllim zgjidhjen e krizës financiare në eurozonë.
Britani kundërshtoi propozimin franko-gjerman për një disiplinë më të rreptë buxhetor dhe sanksione për shkelësit e kësaj disipline.
Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuj, tha në një konference shtypi në Bruksel se kundërshtimi i Britanisë ka të bëjë me paketën e rregullave të reja – të njohur si “kompakt fiskal”.
“Një traktat ndërqeveritar do ta bëjë këtë marrëveshje të detyrueshme. Në kombinim me legjislacionin dytësor dhe angazhimet e forta politike, kjo do t’i japë kompaktit fiskal forcën e plotë. Për më tepër, kjo marrëveshje do të jetë e hapur për vendet e jo-eurozonës. Me përjashtim të njërit, të gjitha vendet po konsiderojnë pjesëmarrjen”, ka thënë Rompuj.
Nga nëntë anëtarët e BE-së jashtë eurozonës, Hungaria, Republika Çeke dhe Suedia kanë thënë se do të duhet të konsultohen me parlamentet e tyre. Ndërsa gjashtë të tjera – Danimarka, Polonia, Bullgaria, Rumania, Letonia, Lituani, kanë rënë dakord që t’i bashkohen traktatit.