Në fundjavën e shkuar isha në Budva dhe me të mbërritur atje zbulova se nuk isha i vetmi që kisha planifikuar ta kaloja të shtunën e të dielën në Mal të Zi. Në parkimin e hotelit, tetë në dhjetë makina ishin me targa shqiptare. Në recepsion më thanë se po, ishte e vërtetë, rreth 80% e klientëve ishin shqiptarë (një nga ditët e fundjavës përkonte me ditën e Shën Valentinit, që ne kemi zënë ta festojmë me bujë). Nuk ishte e fshehtë për mua që Mali i Zi parapëlqehej prej shqiptarëve për qëllime turistike, por nuk e dija që kjo dukuri të kishte përmasa të tilla. Atje, në atë rast, të dukej se ti nuk ishe në një vend të huaj. Dhe për personelin e hotelit kjo nuk ishte një e papritur. Shqiptarët ishin në mënyrë konstante klientë të tyre. Madje, në interieur-et e hotelit më kapi veshi veç më të rrallë ndonjë bisedë italisht, dhe tek-tuk ndonjë bisedë në gjuhën lokale. Gjithë të tjerët flisnin në gjuhën shqipe.
Të zotët e hotelit e kishin llogaritur këtë, gjë që dukej edhe nga repertori i muzikës live të interpretuar gjatë darkës. Një artiste malazeze, përveç muzikës tradicionale të vendit të vet, këndoi edhe disa këngë tonat. Me sa dukej, tërheqja (ndjellja) dhe mikpritja e shqiptarëve në rrethana të tilla ka hyrë prej kohësh në planet e biznesit të turizmit në Malin e Zi. Nuk kam të dhëna të sakta lidhur me ekonominë e këtij vendi të vogël ballkanik, por mendja ma thotë se të ardhurat prej shqiptarëve duhet të zënë, me siguri, pjesën e luanit në të ardhurat e përgjithshme në sektorin turistik (Sa më sipër nuk është se ndodhte veç në hotelin e Budvas ku kisha bujtur unë. Jo, ndodhte në të gjitha hotelet e këtij qyteti të vogël e të thjeshtë. Ndodhte, gjithashtu, edhe në Ulqin, edhe në Tivar, edhe në Kolashin, ku bëhet ski, edhe gjetkë). Ato dy ditë, për shembull, shqiptarët mund të kenë shpenzuar në Malin e Zi disa qindra mijëra euro. Sikur ta zëmë se kanë qenë dy mijë shqiptarët që kanë kaluar pikën kufitare të Muriqanit ato dy ditë, dhe se secili syresh ka harxhuar mesatarisht 200 euro (akomodimi, ushqimi, pijet, pak shopping, ndonjë furnizim me karburant, pak lojë në kazino etj), llogaritë mund t’i bëni vetë.
Ishte për të ardhur keq kur shihje në doganë që fluksi i makinave ishte njëdrejtimësh. Nuk kishte pothuaj asnjë malazez që të kishte marrë rrugën për në Shqipëri, në Shkodër a Tiranë, me idenë për ta festuar Shën Valentinin këtyre anëve. Dhe është logjike që të jetë kështu. Ja, supozoni se jeni malazezë vetë! Për ç’arsye do kishit dashur që ta festonit Shën Valentinin në Shqipëri? Ah, të vetmet arsye do kishin qenë ideja për t’i ikur një copë herë qetësisë, rregullit e sigurisë (është një ngasje humane edhe kjo), e kërshëria për të njohur vende të tjera më primitive, por është e qartë se të shumtit e njerëzve bëjnë të kundërtën, d.m.th. preferojnë të lënë, sa herë që mundin, vendin e tyre pak të sigurt e shumë të rrëmujshëm për të gjetur pak paqe e rregull diku gjetkë, në një botë më moderne. Mund të dalin njerëz e të thonë se diferencat mes Malit të Zi dhe Shqipërisë nuk janë kaq të mëdha. Madje, mund të ketë të tjerë që s’e kanë për gjë të thonë se ne jemi e njëjta gjë, për të mos thënë që Shqipëria është, në shumë drejtime, më mirë sesa Mali i Zi. Por unë nuk e di se ku e kanë fjalën njerëz të tillë. Kjo do të ishte një mburravecëri e pakuptimtë. Edhe ndonjë avantazh që mund të kemi (vura re se kamerierët e personeli i hotelit në Malin e Zi kishin një njohje diskrete të anglishtes; në Shqipëri ndodh më rrallë që një kamerier i ndonjë hoteli të madh në qytetet turistike të mos dijë anglisht), kjo gjë mbetet në hijen e shërbimit të keq që ofrohet këtyre anëve tona.
Mund të jetë e vërtetë që për sa i takon GDP-së/për capita diferencat janë të vogla (malazezët e kanë gati 8 mijë dollarë amerikanë, ne e kemi gati 5 mijë), por treguesit ekonomikë nuk janë më të rëndësishmit në këtë mes. Ka tregues të tjerë të fushave të tjera, që rëndom janë të pamatshëm, që e bëjnë një vend më ndjellës e më interesant sesa një tjetër. Një nga këto fusha është ajo e shërbimeve, ku ne shqiptarët, pavarësisht përparimeve që kemi bërë vitet e fundit, jemi dramatikisht pas Malit të Zi (dhe te shërbimet fus taksitë, transportin urban, energjinë elektrike, spitalet, shitësit, kamerierët, policin rrugor dhe atë të rendit, një nëpunës të doganës apo një nëpunës të administratës, me të cilin të bie të kesh punë etj., etj.). Një fushë tjetër është mjedisi urban e publik. Saranda, fjala vjen, është një qytet më i madh e më i gjallë sesa Budva, e megjithatë, në këtë stinë të vitit, qyteti ynë i jugut sillet si një ofertë turistike më e varfër sesa qyteti i Budvës. Në këtë të fundit, njeriu ka më shumë frymëmarrje, mjediset publike janë më të kuruara e më të mirëmbajtura, ka më shumë gjelbërim, ka më shumë rend e siguri (s’ka gjë se policë nuk të sheh syri), trafiku është më i disiplinuar, në lokalet e mjediset publike, sidozot bar-restorantet, parqet etj., ka më shumë familje, dhe femra, që dalin në shëtitje, e nuk të sheh syri sjellje të dhunshme apo njerëz të fortë (këtej kufirit janë të fortët që të fanepsen në çdo hap e që sundojnë gjithë territorin e hapësirat). Në Shqipëri ti mund të dalësh vetëm, a me familjen, për të drekuar/darkuar diku në qytetin tënd, apo për të kaluar një natë në një qytet tjetër, e do jesh i përndjekur gjithë kohën nga frika se do të dalë diçka se s’bën që do të ta prishë ditën, drekën/darkën a udhëtimin. Dhe kjo diçka mund të jetë qoftë një polic që të ndalon kot më kot në rrugë, qoftë një qen që e kanë shtypur me makinë në mes të rrugës (të ndodh edhe që, në vend të qenit, të shohësh një njeri), qoftë makina që të parakalojnë me shpejtësi mu sikur parakalimi të jetë i detyrueshëm, e jo optional, qoftë një kamerier që të shërben hundë e buzë, a thua se i ke ndonjë borxh, qoftë një kazan plehrash i përmbysur në mes të rrugës, qoftë një pikë karburanti që shet benzinë e naftë të holluar me ujë (meqë ra fjala, para se të niseshim për në Budva, morëm naftë aq sa na duhej për të arritur në kufi, ngaqë kështu do të mund të bënim një furnizim të plotë me të hyrë në Mal të Zi, ku nafta është e një cilësie shumë më të mirë), qoftë dikush që nxjerr dorën nga dritarja e makinës së vet e hedh përjashta një qese të mbushur me mbeturina ushqimesh, qoftë një makinë policie që ecën nëpër rrugë me idenë se rregullat e trafikut vlejnë për të tjerët, dhe se ai që është caktuar të ndjekë zbatimin e këtyre rregullave edhe mund t’i shkelë ato, qoftë një territor i shqyer prej ndërtimeve me e pa leje, qoftë një lumë i shqyer prej vjedhësve të zhavorrit në të dyja anët e tij etj., etj.
Mos vallë po e teproj duke lënë të kuptohet një gjendje të idealizuar në Mal të Zi? Tani, unë e di, siç e dini edhe ju, se Mali i Zi nuk është Suedia, unë e di se Mali i Zi është një vend ballkanik ndër më të prapambeturit, por prapëseprapë prapambetja jonë është ku e ku më e madhe sesa atje. Ne kemi kohë që kemi shpallur ambicien “të bëhemi si Europa”, por nuk do ishte keq që t’i merrnim gjërat me radhë. Le të bëhemi fillimisht si Mali i Zi.
Post Scriptum: Erdha pak rreth Budvës, dhe nëpër lokale nuk më zuri syri televizorë të hapur te kanalet me informacion të titruara 24 orë non stop dhe rrjedhimisht as njerëz që pinë kafe me sytë e ngulur në ekranin e televizorit, a thua se po ndjekin live fundin e botës.
“Shqip”