Njoftimi i papritur i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në datën 1 dhjetor në Ankara, se Rusia heq dorë nga projekti i gazsjellësit “South Stream”, shënon një fazë të re në intrigat energjetike ndërkombëtare, por sidomos në përplasjet gjeopolitike mes Rusisë dhe Europës. Përtej llogaritjes së kostove financiare e politike, që po bëjnë shtetet e përfshira në projektin e anuluar rus, rezultati kryesor i këtij vendimi është krijimi i një rrethane të re gjeopolitike në Europën Juglindore. Kjo rrethanë e re gjeopolitike ka të bëjë me largimin nga skena rajonale të njërit nga instrumentet kryesore të influencës dhe kontrollit energjetik dhe strategjik rus në Europën Juglindore, siç ishte projekti i gazsjellësit “South Stream”. Tërheqja e Rusisë nga gazsjellësi “South Stream” duhet konsideruar një dështim gjeopolitik i Moskës, sepse shënon një tërheqje nga një projekt strategjik, i cili do t’i siguronte Rusisë një ndikim më të madh në gjashtë shtete anëtare të BE dhe në një shtet kandidat të BE, pjesëmarrës të projektit rus. Tani instrumenti i ndikimit energjetik, politik dhe strategjik, me emrin “South Stream”, del nga loja e madhe gjeopolitike ndërkombëtare dhe kjo përbën një zhvillim të ri, si në kuadrin europian, ashtu dhe në kuadrin rajonal.
Në këtë dinamikë të re gjeopolitike, për qeverinë e Shqipërisë del detyra e re e analizës dhe e kuptimit të efekteve të kësaj rrethane të re gjeopolitike, pavarësisht se Shqipëria nuk ka lidhje dhe as pasojë të drejtpërdrejtë, sepse nuk është pjesë e këtij projekti rus. Shqipëria duhet ta konsiderojë veten me fat që Kremlini, për arsye të panjohura, e neglizhoi kërkesën e qeverisë shqiptare në vitin 2006, drejtuar me letër zyrtare “Gazprom”-it rus, që të përfshinte edhe Shqipërinë në projektet e tij ballkanike.
Krijimi i një rrethane të re gjeopolitike në rajon me anulimin e projektit të gazsjellësit rus, i krijon Shqipërisë një hapësirë të re veprimi energjetik, politik, ekonomik, diplomatik dhe strategjik, në planin perspektiv. Cilat janë elementet e kësaj rrethane të re gjeopolitike në rajonin tonë?
Së pari, duhet theksuar se anulimi i projektit përbën një dobësim të rolit dhe të peshës së Rusisë në Ballkan në një nga domenet e saj më të rëndësishme, siç është energjetika. Në projektin rus “South Stream” ishin përfshirë Bullgaria, Serbia, “Serpska Republika”, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Austria dhe Greqia. Kushtet e marrëveshjeve të nënshkruara nga Rusia me nivelet më të larta shtetërore ishin të tilla, që krijonin jo vetëm monopolin energjetik të Rusisë, por edhe një peshë më të madhe në kontrollin e sovranitetit ekonomik të palëve pjesëmarrëse në projekt. U konturua një çarje jo vetëm në politikën energjetike dhe në sigurinë energjetike europiane, por edhe në planin politik dhe diplomatik u shfaqën lëkundje orientimesh në disa shtete, si Bullgaria, Hungaria etj., pa folur për Serbinë, që është zyrtarisht aleati strategjik numër një i Rusisë në Ballkan. BE me të drejtë ndërmori hapin për të mbrojtur legjislacionin dhe interesat energjetike të organizatës, gjë që shënoi shkallëzimin e përplasjes gjeopolitike me Rusinë. Kriza ukrainase, me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainën Lindore dhe me aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia, e bëri më urgjent nevojën e një shtrëngimi të radhëve të organizatës së Bashkimit Europian dhe të përcaktimit të qartë të kufijve ndarës mes interesave strategjike europiane dhe interesave strategjike ruse. Duke qenë se gazsjellësi rus kalon dhe dominon në hartën gjeografike të Ballkanit, vazhdimi i tij shtonte kërcënimet për sigurinë e rajonit, sikundër anulimi i tij i tanishëm krijon një siguri më të madhe gjeopolitike për rajonin.
Së dyti, anulimi i projektit “South Stream” mënjanon nga fusha e lojës energjetike aspiratën dhe strategjinë e Serbisë për t’u bërë qendra e furnizimit të gazit rus për Europën, nëpërmjet tranzitimit të gazsjellësit rus, por sidomos nëpërmjet planit rus për të ndërtuar në Serbi depozitën kryesore të stacionimit të gazit rus për në Europë. Serbia, e cila është e obsesionuar nga ëndrra e vjetër e parealizuar për të qenë qendra drejtuese e Ballkanit, fitonte me gazsjellësin rus një mekanizëm të rëndësishëm të presionit dhe të ndikimit të saj në Europën Juglindore. Projekti “South Stream” i jepte Serbisë rolin e një gardiani energjetik të Rusisë në Ballkan dhe në Europë. Nga Serbia ishin planifikuar të shkonin degëzime të gazsjellësit rus në “Serpska Republika”, në Kroaci dhe në Maqedoni. Beogradi planifikonte një degëzim edhe për në Kosovë. Kjo hartë ballkanike e shpërndarjes së rrjetit të gazsjellësit do të rriste fuqishëm rolin e Serbisë në rajon. Tani ky rol qendror energjetik i Serbisë në rajon shuhet bashkë me projektin dhe Serbia do ta ketë të vështirë, në mos të pamundur, të gjejë instrumente energjetike për të kapur rolin, që shpresonte me gazsjellësin rus. “Përderisa rusët ranë dakord me Turqinë që gazsjellësi të shkojë në territorin e saj, ne serbët nuk jemi më të nevojshëm”, – konkludon analisti ekonomik serb, Mahmut Bushatlija. Serbia është shteti rival i Shqipërisë në Ballkan për rol vendimtar në skakierën rajonale. Në korrelacion gjeopolitik forcimi i Serbisë është dobësim i interesit tonë kombëtar. Ndaj Serbia e ka parë me xhelozi projektin e gazsjellësit europian TAP dhe sidomos përfshirjen e Shqipërisë në këtë projekt. Tani që Serbia del jashtë loje me anulimin e projektit rus, i trembet më shumë rritjes së rolit dhe të kapaciteteve konkurruese të Shqipërisë në fushën energjetike dhe gjeopolitike.
Së treti, anulimi i projektit rus dhe ridrejtimi i tij drejt Turqisë, i jep një rol të ri Turqisë në politikën energjetike ndërkombëtare. Putin njoftoi në Ankara në 1 dhjetor se Rusia do të ndërtojë një gazsjellës të ri në Detin e Zi, që do të lidhë direkt Turqinë dhe ku do të transmetohet e gjithë sasia e gazit prej 63 bilionë metrash kub në vit, që parashikohej me gazsjellësin “South Stream”. Për këtë qëllim u nënshkrua edhe një “Memorandum Mirëkuptimi” mes Rusisë dhe Turqisë gjatë vizitës së presidentit rus në Ankara. Në territorin e Turqisë do të ndërtohet depozita e madhe e grumbullimit të gazit, që do kalojë nëpër gazsjellësin e ri ruso-turk për në Europë. Në këtë mënyrë Turqia merr rolin e rëndësishëm të një faktori dhe lojtari energjetik të veçantë në Europën Juglindore dhe në Europë. Po të kemi parasysh se në Turqi do të ndërtohet gazsjellësi Transanatolia, TANAP, që do të lidhet me gazsjellësin TAP, evidentohet konsolidimi i Turqisë si qendra e domosdoshme e kalimit të gazsjellësve, që do të çojnë në Europë gazin rus, azer, turkmen, iranian e madje edhe izraelit. Marrja e këtij roli nga Turqia, e cila shndërrohet në udhëkryqin e rrjeteve ndërkombëtare shpërndarëse të energjisë, përbën një zhvillim pozitiv për Shqipërinë, sepse nuk është më Serbia si qendër e grumbullimit dhe shpërndarjes së gazit, por është Turqia. Nga ana tjetër, Turqia është një shtet anëtar i NATO-s, dhe gjithashtu një fuqi rajonale, me të cilën Rusia nuk mund të sillet apo të diktojë, siç mund të bënte me Serbinë apo me Bullgarinë. Dhe kryesorja: forcimi i rolit energjetik ndërkombëtar të Turqisë është në favor të Shqipërisë, sepse Turqia është një aleat strategjik luajal i Shqipërisë dhe shtohen shanset e avancimit të interesave shtetërore dhe kombëtare shqiptare në rajonin e Europës Juglindore.
Pasi Rusia bëri që të dështojë projekti i BE-së me gazsjellësin “Nabucco”, që do të sillte gazin jorus nga deti Kaspik në Europë, BE bëri që të dështojë projekti i Rusisë me gazsjellësin “South Stream”, që do të shtonte varësinë energjetike të Europës nga Rusia. Në këto kushte mbetet në skenë vetëm gazsjellësi Transadriatic, TAP, si i vetmi gazsjellës i konkretizuar në të gjitha marrëveshjet dhe fazat e tij. Pas anulimit të gazsjellësit rus, gazsjellësi TAP fiton kështu një prioritet dhe rëndësi akoma më të madhe si projekt i furnizimit të gazit të Azerbajxhanit për në Europë dhe i pakësimit të vartësisë energjetike nga Rusia. Diplomatët dhe analistët energjetikë duhej t’i kishin kushtuar vëmendje deklaratës së ministres italiane të Zhvillimit Ekonomik, Federica Guidi, e cila që në 19 nëntor pat theksuar se për Italinë projekti “South Stream” nuk është më prioritet dhe për Italinë projekti TAP është strategjik. E thënë nga ministrja e shtetit, kompania e madhe e të cilit, ENI, merrte pjesë me 20 për qind në projektin e gazsjellësit rus, ishte një sinjal për zhvillime të pritshme, që do të ndodhnin, siç edhe ndodhën.
Në skemën e re energjetike rajonale, që krijohet pas mbylljes së gazsjellësit “South Stream”, dhe ku TAP mbetet i vetmi gazsjellës, Shqipëria ka hapësirën që të fitojë një rol të ri në Europën Juglindore. Shqipëria është vendi kryesor i kryqëzimit të dy gazsjellësve të rëndësishëm ndërkombëtarë, atij Transadriatic, TAP, dhe Adriatiko-Jonian, IAP, të cilët mbesin të vetmit gazsjellës të miratuar, që do të kalojnë nëpër Europën Juglindore dhe që kanë mbështetjen e BE. Në korridorin energjetik europian të Jugut Shqipëria merr një rëndësi të posaçme dhe një profil të ri, sepse nga territori shqiptar do të lidhet nëpërmjet detit me gazsjellësin TAP Italia, dhe në territorin shqiptar do të zërë fill gazsjellësi, që do të dërgojë gazin e detit Kaspik në Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Si vendkryqëzim i dy gazsjellësve ndërkombëtarë, Shqipëria merr një pozicion strategjik në sigurinë dhe pavarësinë energjetike të vendeve europiane. Shqipëria ka avantazhin që nga territori i saj mund të planifikohen degëzime të gazsjellësit TAP për në Kosovë, në Maqedoni dhe ndoshta edhe në Serbi.
Pozita e re gjeostrategjike e krijuar me rrjetet energjetike ballkanike e forcon pozitën biseduese të Shqipërisë në tratativat për marrëveshjet ndërkombëtare, që do të nënshkruhen për ndërtimin e gazsjellësve. Qeveria e Shqipërisë duhet të ketë në konsideratë përvojat negative të disa vendeve ballkanike në bisedimet me Rusinë për pjesëmarrjen e tyre në projektin e anuluar rus të gazsjellësit. Tratativat, që qeveria e Shqipërisë po zhvillon apo do të zhvillojë me shtetet apo kompanitë e mëdha, që do të ndërtojnë apo do të furnizojnë gazin nëpër tubacionet që do të kalojnë në territorin shqiptar, duhet të intonohen me situatat e reja të krijuara në rrjetin energjetik ndërkombëtar. Mjafton të marrim shembullin e Turqisë, e cila në bisedimet e zhvilluara mes presidentit të Rusisë dhe presidentit të Turqisë në 1 dhjetor në Ankara për ndërtimin e gazsjellësit të ri Rusi-Turqi, që zëvendëson gazsjellësin “South Stream”, arriti një ulje prej 6 për qind të çmimit të gazit rus, që merr Turqia për nevojat e brendshme, ulje që do të arrijë të njëjtin nivel me çmimin e gazit, që Rusia i shet Gjermanisë nëpërmjet gazsjellësit të drejtpërdrejtë Rusi-Gjermani, “North Stream”.
Në këto kushte, qeveria e Shqipërisë bën mirë të përfshijë në platformën e saj biseduese disa qëndrime dhe objektiva të qarta, të përshtatura me zhvillimet jo vetëm në tregun energjetik dhe në hartat e reja të rrjeteve energjetike, por dhe në prioritetet dhe veçoritë strategjike në rritje të vendit tonë.
1- Është e nevojshme që të përcaktohet në përputhje me interesat e vendit një taksë reale e tranzitimit shqiptar të gazit, si nga gazsjellësi TAP, ashtu dhe nga gazsjellësi IAP, dhe kjo t’i bëhet e njohur publikut.
2- Është e nevojshme të zbatohet legjislacioni i BE-së për të përcaktuar që pronësia e tubacioneve të gazit, që do të shtrihen në territorin shqiptar, të mos jetë e të njëjtëve aktorë furnizues të gazit, që do të kalojë nëpër këto tubacione.
3- Është e nevojshme të krijohet një kompani shtetërore kombëtare e administrimit të gazsjellësit, dhe jo kompani private, të cilat në vendet ish-komuniste i marrin gjithmonë kushërinjtë e parë të udhëheqësve të partive, të cilët si rregull janë edhe kontaktet e para të vendit tranzitues me kompanitë apo me shtetet ndërtuese të gazsjellësit apo furnizuese të gazit.
4- Të ndiqen me rigorozitet parametrat dhe shembulli i ndërtimit të gazsjellësve në Austri dhe jo i atyre në Bullgari, ku kostoja e ndërtimit të një kilometri gazsjellës është dy herë më e lartë se ajo në Austri. Në vendet ish-komuniste kostoja e lartë e ndërtimit të gazsjellësit paguhet me dëmtimin e arkës së shtetit dhe me fryrjen e llogarive bankare të qeveritarëve, që organizojnë tenderat.
Po asistojmë në lindjen dhe në zhvillimin një dinamike të re gjeopolitike, e cila krijon mundësira për avantazhe energjetike, ekonomike, financiare, politike, diplomatike dhe strategjike për Shqipërinë. Duke qenë një shtet anëtar i NATO-s dhe një shtet kandidat për në BE, duke qenë një shtet i cili nuk ka lidhje dhe hipoteka politike, historike, gjuhësore, kulturore apo fetare me Rusinë, duke qenë shteti i vetëm i Europës Juglindore, që nuk ka asnjë lloj varësie nga gazi rus, Shqipëria ofron një nivel të ri sigurie për Europën dhe Perëndimin. Por rrethanat e reja gjeopolitike kërkojnë aftësinë e të kuptuarit të tyre, aftësinë e të vepruarit në përputhje me konjukturat e reja dhe me interesat e larta shtetërore dhe kombëtare të vendit. Është një shans për forcimin e pozitës rajonale dhe ndërkombëtare të Shqipërisë.