Mediat në Kosovë bëjnë të ditur se PDK dhe LDK kanë finalizuar sot marrëveshjen për bashkëqeverisje.
‘Express’ shkruan se Qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga Isa Mustafa. Zëvendëskryeministra do të jenë Hashim Thaçi, Muhamet Mustafa dhe Edita Tahiri.
Hashim Thaçi do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm në qeverinë e Isa Mustafës.
Raportohet se kryeministri aktual dhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Thaçi gjithashtu do të jetë edhe në postin e zëvendëskryeministrit në qeverinë e Isa Mustafës.
Është raportuar edhe për disa emra të mundshëm ministrash dhe zëvendëskryeministrash në qeverinë Mustafa.
Kryeparlamentar pritet të jetë Kadri Veseli, ashtu siç është përfolur edhe më parë.
Ministrinë e Punëve të Brendshme mund ta udhëheq Haki Demolli ndërkaqë atë të Shëndetësisë, Teuta Sahatqija.
TCH: Thaçi pret postin e Presidentit deri më 2016
Takimi i sotëm në mes liderëve të partive të koalicionit PDK-LDK, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, nga i cili nuk u lëshua asnjë deklaratë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje rreth ndarjes së pushtetit, i ka hapur rrugë spekulimeve të shumta mediatike. Disa tashmë kanë promovuar qeverinë e re, me emrin e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave, e disa edhe me emrat e disa ministrave.
Ndërkohë televizioni Top Channel, thotë se nga nesër Hashim Thaçi, mund të lërë edhe postin e deputetit dhe të mbajë vetëm postin e kreut të PDK-së, deri në momentin e zgjedhjes së tij si President i Kosovës në vitin 2016.
TopChannel shprehet se ka zbuluar draftin final të marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së.
Sipas kësaj marrëveshje parashikohet që Isa Mustafa të jetë kryeministër, ndërsa posti i kryeparlamentarit dhe ai i presidentit më 2016 do t’i takojnë PDK-së.
Marreveshja votohet te henen
Marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet të votohet të hënën.
Kështu ka paralajmëruar kryetari i PDK-së,Hashim Thaçi, pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.
Takimi ndërmjet Thaçit e Mustafës, ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të të dyja partive që kanë lidhur partneritet që nga 19 nëntori, ishte paralajmëruar si vendimtare për të arritur deri te finalizimi i marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Megjithatë, pas dy orë diskutimesh, Thaçi e Mustafa kanë shmangur kontaktet me mediat dhe kanë preferuar forma tjera të komunikimit, siç është rrjeti social Facebook.
“Jemi takuar me kryetarin e LDK, Isa Mustafa ku diskutuam për formalizimin e Marrëveshjes se koalicionit dhe u pajtuam se nënshkrimi i Marrëveshjes se koalicionit PDK-LDK të behet nesër ne ora 10 në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Po ashtu, ka vijuar ai, PDK dhe LDK janë pajtuar që ndërtimi i institucioneve qendrore të bëhet menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, po ditën e hënë.
Thaçi dhe Mustafa, megjithatë nuk kanë sqaruar disa dilema që e mbanin peng deri më tani nënshkrimin e marrëveshjes. Fjala është për postin e kryeministrit të Kosovës, të cilin e synonin të dy partitë e koalicionit.
Në deklaratat e mëhershme, Isa Mustafa kishte thënë se marrëveshja me PDK-në finalizohet vetëm nëse LDK e merr nën drejtim qeverinë e re.
“Ne jemi deklaruar edhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së se nuk do të bëjmë marrëveshje me askënd, në qoftë se LDK-ja nuk e ka pozicionin e kryeministrit”, kishte deklaruar Mustafa.
Partneriteti ndërmjet dy partive më të mëdha në Kosovë, që njëherësh njiheshin dikur edhe si dy partitë rivale, nuk e ka zanafillën tek kjo marrëveshje.
PDK dhe LDK kanë bashkëqeverisur edhe në periudhën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku pjesë e koalicionit ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.