Home Sport Holanda fiton 3 – 2 me Australine, gola dhe spektakel

Holanda fiton 3 – 2 me Australine, gola dhe spektakel

626
0

Van-Persi-dhe-RobenHolanda vuan, sidomos në pjesën e parë, e sheh veten dy herë në disavantazh, por ka potencialin dhe mundësitë të përmbysë gjithcka, duke grumbulluar pikët e plota në dy ndeshjet e para në Grupin B. Me 6 të tilla, skuadra e Van Galit është thuajse e kualifikuar tashmë, ndërkohë që pret të ballafaqohet edhe me Kilin, para se të njohë kundërshtarin e vet në 1/8. Dhuroi një ndeshje spektakolare edhe Australia deri në minutën e 70-të, shënoi dy herë, por nuk evitoi dot fundin e hidhur. Ndoshta shpenzoi shumë energji, sa në 20 minutat e fundit nuk u bëri më dot ballë portokallinjve. Humbja e dytë në këtë Botëror bën që “kangurët” të bëjnë gati valixhet për t’u kthyer në shtëpi.

AUSTRALI – HOLANDE 2-3
Golat: Cahill 21′, Jedinak 54′ (pen) / Roben 20′. Van Persie 58′, Depay 68′
AUSTRALIA: M.Ryan, M.Špiranović, R.McGowan, A.Wilkinson, J.Davidson, M.Bresciano (O.Bozanić 51′), T.Cahill (B.Halloran 69′), M.Jedinak, M.McKay, M.Leckie, T.Oar (A.Taggart 77′). Trajner: A.Postecoglou
HOLANDA: J.Cillessen, R.Vlaar, D.Janmaat, D.Blind, S.de Vrij, B.Martins Indi (M.Depay 45+2′), A.Robben, W.Sneijder, N.de Jong, J.de Guzmán (G.Wijnaldum 79′), R.van Persie ((J.Lens 87′). Trajner: L.van Gaal
Gjyqtarë: D.Haïmoudi, R.Achik, A.Etchiali
Kartonë të verdhë: Van Persi 47′ / Cahill 44′

Pjesa e parë
Ndeshja nis cuditërisht me portokallinjtë më të tërhequr dhe australianët në ofensivë. Guxojnë shumë “kangurët”, që luajnë shtrur e mirë, dalin në sulm nga krahët në mënyrë korale, duke detyruar kundërshtarin të përveshë mëngët. Mesfusha e Australisë është më e populluar, cka ia ngushton së tepërmi hapësirat Holandës. Kjo e fundit ka vështirësi në ndërtimin e aksioneve dhe daljen përpara në mënyrë të rrjedhshme. Pasimi i gjatë gjen në dy-tri raste Van Persin, por kapiteni holandez mbulohet rreptë nga dy-tre lojtarë kundërshtarë. Tenativa e parë e portokallinjve vjen në minutën e 18-të, kur Van Persi godet me kokë, por pa problem për portierin australian. Duhet thënë se formacioni është i njëjti si ndaj Spanjës, por lëvizshmëria dhe kreativiteti i skuadrës së Van Galit nuk është i tillë. Megjithatë, mjafton një sprint i Arjen Roben në minutën e 20-të që të lërë pas vetes krejt australianët dhe të shënojë golin e tij të tretë në këtë kampionat. Reagon “flakë për flakë” Australia, që nuk i jep as një minutë kohë gëzimit portokalli. Veterani Kahill realizon një supergol dhe barazon shifrat në minutën e 21-të. Këtu merr tjetër “ngjyrë” ndeshja, lojtarët clirohen më tepër psikologjikisht dhe ritmi i lojës sa vjen e rritet. Australia mbetet në sulm thuajse gjatë tërë pjesës së parë, tepër kërcënuese dhe befasuese për “tulipanët”, që nuk dolën dot në lojën e tyre në fraksionin e parë të sfidës.

Pjesa e dytë
Nis në ekuilibër rezultativ 1-1, ku Holanda tenton fitoren e dytë, që përkthehet ndryshe kualifikim në grupin B, ndërsa australianët luajnë gjithcka për gjithcka, që t’i ushqejnë shpresat për ta zgjatur së më shumë aventurën e tyre në Brazil. Van Persi merr kartonin e dytë të verdhë në dy ndeshjet e para, duke e humbur ballafaqimin e fundit në grup. Po kështu edhe Cahill tek Australia. Portokallinjtë kanë ndërruar “marsh” tashmë, shikojnë më shumë nga porta kundërshtare, të cilën e shënjestrojnë. Shnajder në minutën e 50-të për pak sa nuk shënon, duke e kaluar topin ngjitur me shtyllën pingule. Kundërpërgjigjet skuadra australiane, që fiton goditje nga penalltia në minutën e 54-t. Lojtari holandez e prek topin me dorë në zonën e portës, kështu që kryesori amerikan nuk heziton, tregon dorën nga pika e bardhë. Godet saktë Jedinak dhe i kalon të tijtë në epërsi për herë të dytë. E papritur, por e vërtëtë. Sidoqoftë, shumë shpejt Holanda barazon, si në pjesën e parë. Van Persi përfiton nga një hutim i mbrojtjes australiane dhe godet rreptë. Barazim 2-2. Emocionet nuk kanë fund, ndeshja dhuron spektakël të vërtetë. Dy skuadra të denja për njëra-tjetrën, që s’e hapin rrugën kollaj. Në minutën e 68-të, i futuri si zëvendësues, M.Depay, lëshon një predhë nga distanca, tokazi, duke shënuar golin e tretë, gjë që s’e bënte një minutë më parë kundërshtari, edhe pse ka shans të artë. Emocionet nuk mbarojnë këtu, por golat po. Portat nuk preken më, duke mbetur në fuqi rezultati 3-2 për Holandën. Skuadra e Van Galit ka 6 pikë të plota pas dy ndeshjesh në Grupin B, duke qenë e kualifikuar për 1/8 finale. Australia, që luajti vërtet mirë ndaj portokallinjve, duhet të bëjë gati valixhet…
Van Persi dhe RobenVan Persi e Roben: S’luajmë gjithnjë si ndaj Spanjës

Holanda e nisi keq ndeshjen kundër Australisë, duke vuajtur në pjesën e parë të lojës. Gjithsesi, arritën të përmbysin gjithçka, duke e mbyllur takimin me shifrat 3- 2 dhe duke siguruar kualifikimin për në raundin tjetër. Robin van Persi dhe Arjen Roben deklarojnë se është e vështirë që të paraqiten si kundër Spanjës në çdo përballje. Edhe pse pranojnë që australianët ishin një skuadër me përgatitje të lartë fizike, ata i kënaqen tripikëshit të marrë dhe paraqitjes së mirë në pjesën e dytë.

Van Persi “Pjesën e parë nuk e nisëm mirë. Zhvilluam një futboll të ngadaltë dhe Australia në vuri në vështirësi. Ky është një kompeticion ku luajnë skuadrat më të mira të botës dhe rivali ynë e tregoi një gjë të tillë. Nuk mund të luash çdo sfidë në nivelin e paraqitjes që zhvilluam kundër Spanjës. Çdo rival ka motivimin dhe impenjimin e tij. Rëndësi ka që ne arritëm të fitojmë dhe kemi marrë maksimumin e pikëve në dy takimet e para. Ky ishte objektivi që kishim dhe jemi të lumtur për këtë. Në pjesën e dytë e rritëm ritmin dhe ndryshimi i skemës na ndihmoi që të kishim më tepër forca në repartin sulmues, ndaj një skuadre që mbrohej me shumë futbollistë bëri diferencën”, deklaroi sulmuesi i Holandës, Van Persi.
Arjen Roben “Nuk e prisja që do kishim aq vështirësi në pjesën e parë, gjithsesi ne e fituam ndeshjen. Mbase prisnin që të luanim si në takimin e parë, por secila ndeshje është e komplikuar dhe ndryshon nga karakteristikat e kundërshtarit. Australia ishte me të vërtetë një skuadër e fortë dhe me përgatitje të lartë fizike. Ne u treguam të zgjuar në pjesën e dytë dhe shfrytëzuam rastet e krijuara. Mund të kishim shënuar edhe gol tjetër”, u shpreh Roben.

“Arbitri na penalizoi, Australia luajti me zemër”
Luis van Gal ka shprehur pakënaqësi për vendimet e arbitrit në ndeshjen e djeshme, edhe pse Holanda arriti të fitojë. “Mendoj se penalltia e Australisë nuk ishte dhe Van Persi u ndëshkua padrejtësisht me karton të verdhë, pasi po mbronte topin. Ishin disa vendime që na penalizuan”, tha ai. “E nisa ndeshjen me modulin 5-3-2, pasi doja që skuadra të avanconte me aksione graduale. Por, dështoi pasi lojtarët bënë shumë gabime në pasime dhe nuk dolën në stilin që prisja. Më pas ndryshova në 4-3-3 dhe dha rezultat. Jam i kënaqur që fituam edhe këtë herë. Australia na vuri në vështirësi, pasi futbollistët luajtën me zemër dhe nuk u dorëzuan për asnjë moment. Kishin një përgatitje shumë të lartë fizike”, tha Van Gal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here