Home Sport Spanja largohet e turperuar nga boterori

Spanja largohet e turperuar nga boterori

679
0

iniesta41E papritura më e madhe, ajo që nuk e kishte parashikuar askush, ndodhi. Befasia e parë e këtij Botërori mbërriti. Kampionët e Botës në shkurorëzim e sipër, dy herë radhazi kampionët e Europës, duhet të bëjnë gati valixhet dhe të kthehen në atdhe. Të turpëruar, kokulur, pa lënë asnjë shenjë në “Brazil 2014”. Me 7 gola të pësuar dhe vetëm një të shënuar në dy ndeshjet e luajtura në Grupin B, Spanja e Del Boskes mund të konsiderohet me plot gojën zhgënjimi më i madh. “La Roja” është jashtë 1/8 finale të Kupës së Botës së kësaj vere, duke e dorëzuar kurorën shumë shpejt. Një Spanjë e lodhur, pa ide dhe frymëmarrje, e mpirë dhe tejet konfuze është paraqitur edhe të mërkurën mbrëma, kur pritej autokritika e saj, ndaj ka dështuar edhe ndaj Kilit, një kundërshtari simpatik, por që nuk e njihte fitoren në asnjë prej 10 precedentëve të mëparshëm me iberikët. Bilanci i “furive të kuqe” deri dje ishte 8 fitore dhe 2 barazime me kilenët, por ato s’kanë asnjë vlerë para humbjes së të mërkurës mbrëma, që e ka dërguar Spanjën në shtëpi.
Ajo, së bashku me Australinë, janë “lamtumirat” e para nga ky Botëror, ndërsa Holanda dhe Kili, dy “biletat” e para për në 1/8 finale.

SPANJE-KILI 0:2
Golat: Vargas 20′, Aránguiz 44′
SPANJA: Casillas, S.Ramos, Azpilicueta, J.Alba, Iniesta, Xabi Alonso (Koke 46′), D.Silva, J.Martínez, Busquets, Diego Costa (F.Torres 64′), Pedro (CAsorla 76′). Trajner: Del Bosque
KILI: C.Bravo, G.Jara, E.Mena, A.Vidal (Carmona 88′), M.Isla, M.Diaz, G.Medel, F.Silva, C.Aránguiz (F.Gutiérrez 64′), A.Sánchez, E.Vargas (J.Valdivia 85′). Trajner: J.Sampaoli
Gjyqtare: M.Geiger, M.Hurd, J.Fletcher
Kartonë të verdhë: Xabi Alonso 40′ / Vidal 26′, Mena 60′

Pjesa e parë
iniesta Nis me dy raste të mira për kilenët, që e shënjestrojnë portën e Kasijasit brenda 60 sekondave dhe mund ta nisnin me një gol që nga “tuneli”. Duket qartë se spanjollët janë të ngarkuar me përgjegjësi të madhe, teksa humbja me Holandën nuk mund të kapërdihet kollaj, për vetë përmasat që pati ajo. Duke qenë se përballja me Kilin është si një finale për kampionët e Botës në fuqi, sepse i vetmi rezultat që bën punë është fitorja. Cdo gjë tjetër do t’i linte jashtë 1/8 finale të Kupës së Botës së Brazilit iberikët. Dicka që do të përbënte zhgënjim të madh jo vetëm për popullin spanjoll, i mësuar me trofe në Europë dhe Botë nga viti 2008, por edhe “humbje” për vetë garën. Të gjitha këto llogari rëndojnë mbi kokat e lojtarëve të Del Boskes, që ka bërë dy ndryshime krahasuar me ndeshjen e parë të këtij Botërori. Pike ka “hapur krahun” për Havi Martinez në mbrojtje, ndërsa Ksavi Hernandez e ka humbur “balotazhin” me Pedron në mesfushë. Sulmi iberik i besohet sërish brazilianit Diego Kosta, edhe pse pak bëri ndaj Holandës. Kili i ka sytë te dyshja Vidal dhe Sancez, dy lojtarë që kanë spikatur me klubet e tyre. Rasti i parë për gol shënohet në portën kilene, në minutën e 15-të. Xabi Alonso dhe David Silva gjenden thuajse të vetëm me portierin kundërshtar, gjuajnë dy herë radhazi, por nuk e dërgojnë dot topin në rrjetë. Kili gjendet nën presion, ndaj bën gabime në pasimin e parë, duke e dorëzuar ofesivën e vet pa kaluar gjysmëfushën. Qarkullimi i dendur i topit dhe vertikalizimet në të dy krahët ngjasojnë shumë me një “tiki taka”, që e “trullosin” Kilin në cerekorëshin e parë të lojës, por nuk sjellin golin e shumëdëshiruar. E kundërta ndodh në minutën e 20-të, kur prapavija iberike dhe portieri Kasijas gabojnë, duke pranuar ndëshkimin nga Vargas. Spanja merr një tjetër goditje psikologjike, ndërsa misioni i saj vështirësohet akoma më shumë. Nervozizmi shtohet dhe kjo derivon në ndërhyrje të gabuara, duke i dhënë munësinë kilenëve të godasin disa goditje dënimi. Nuk duket askund reagimi spanjoll, por vjen dyfishimi i rezultatit në minutën e 44-t. Aránguiz ndëshkon sërish portën e Kasijasit, duke nxjerrë në pah situatën për të ardhur keq të kampionëve të Botës, ende në fuqi.

Pjesa e dytë
Del Boske e nis me një zëvendësim. Koke hidhet në lojë në vend të Xabi Alonsos, që ishte shumë konfuz në pjesën e parë dhe kishte marrë një karton të verdhë. Diego Kosta bën të pabesueshmen në minutën e 50-të, duke mos shënuar dot në një pozicion të artë. Sulmuesi i Atletikos së Madridit vijon të jetë zhgënjim në kombëtaren iberike. Tri minuta më vonë i cudit të gjithë Buskets, që i vetëm me portën kilene ngatërrohet me këmbët e veta, duke humbur një tjetër mundësi flagrante shënimi.

Spanjollët bëjnë lëvizjen e radhës në minutën e 64-t duke aktivizuar sulmuesin Torres, me shpresën e vakët se mund të ndryshojnë fatin e keq të kësaj ndeshjeje, por edhe evituar turpërimin në këtë Botëror, nga i cili largohen në mënyrën më të paparashikueshme nga të gjithë, që pas fazës së grupeve. Ndeshja e fundit në Grupin B do të jetë për statistikë për iberikët, sepse Holanda dhe Kili, me pikë të plota, nga 6 të tilla, janë të kualifikuar që tani.

Titujt e medias
“AS”: Tjetër Marakanazo dhe lamtumirë Botëror!
“MARCA”: Të shkurorëzuar!
“GLOBOESPORTE”: Lamtumirë kampionëve!
“GAZZETTA DELLO SPORT”: E bujshme. Spanja del jashtë
“CORRIERE DELLO SPORT”: Marakana mbyll aventurën e Spanjës
“KICKER”: Kili i fut shkelmin Spanjës
“BILD”: Bien kampionët e botës. Makthi gjerman ndalet në grupe
“L’EQUIPE”: Spanjës i humbet kurora
“DAILY MAIL”: Spanja largohet më shpejt se… Anglia ”
A BOLA”: Hasta la vista Espana

Del Boske: Eliminim i drejtë, do ketë pasoja
Visente del Boske e cilëson si të drejtë eliminimin nga Kupa e Botës dhe paralajmëron se do ketë pasoja. Gjithsesi, ai refuzon të zbulojë se kush rrezikon dhe se çfarë pritet të ndodhë.

Si e komentoni eliminimin?
Sigurisht që është një eliminim i drejtë, gjithsesi kemi treguar karakter. Kemi bërë hapa përpara, por na ka munguar goli. Për këtë pjesë, nuk kemi asnjë faj. Të gjithë kanë bërë një sforco të madhe. Në pjesën e parë kundër Kilit ishim shumë “të butë”, mbase duhet të kishim luajtur pak më ndryshe.

Ka pasur probleme fizike skuadra?
Fizikisht mendoj se kemi vrapuar shumë, sidomos kur kemi pasur aksione sulmuese.

Do ketë pasoja pas këtij zhgënjimi?
Nuk është momenti për të bërë vlerësime. Kemi mjaft kohë në dispozicion. Por, kur ndodh diçka e tillë, gjithmonë ka pasoja.

Pse mendoni se eliminimi ishte i drejtë?
Kemi luajtur dy ndeshje dhe në asnjë prej tyre nuk kemi dominuar në fushën e lojës. Nuk ishim të aftë për të qenë superiorë. Nuk kemi pasur agresivitetin e duhur për të barazuar, sa herë që ishim në disavantazh.

A ishte gati Spanja për këtë Kupë Bote?
Ne zhvilluam një fazë përgatitore prej 25 ditësh dhe të gjithë besonim se ishim gati. Por, në pjesën e dytë kundër Holandës dhe në pjesën e parë ndaj Kilit, kemi hedhur poshtë të gjithë punën e bërë.

A do ketë revolucion në Kombëtare?
E thashë edhe më parë që nuk është momenti për të marrë vendime. Gjithsesi, normale që do ketë ndryshime.

Çfarë do kishit bërë ndryshe nëse do e nisnit nga fillimi?
Asgjë. Siç thashë më parë, ne besonim se ishim në maksimumin tonë. Futbollistët duhet të ishin treguar pak më kurajozë në lojën e tyre. Nuk do ndryshoja asgjë në përzgjedhjen e lojtarëve apo në rreshtimin e tyre.

E prisnit që Kili të ishte aq i fortë?
Po. E dija që do ishte e vështirë, por kisha parashikuar që do dominonin në qarkullimin e topit dhe që do ta kishim lojën nën kontroll. Fatkeqësisht lejuam që Kili të zhvillojë stilin e tij, duke shkatërruar aksionet tona dhe duke bërë kundërsulme të rrufeshme.
Spanja 3Edhe të tjerë, si Spanja…

Lamtumirë kampionë bote! Spanja, një cikël i mbyllur! Yjorët e dy titujve radhazi kampionë Europe dhe triumfuesit në Afrikën e Jugut para 4 vitesh i përkasin së shkuarës tashmë, duhen arkivuar. Kombëtarja iberike ikën kokulur nga Brazili, e rënë me një imazh të varfër që në fazën e grupeve. Kështu kishte ndodhur me Italinë, teksa shkurorëzohej në Afrikën e Jugut. Ajo mbërriti si kampione bote, e shpallur në “Gjermani 2006”, por mori bagazhet dhe u kthye në shtëpi pas një faze katastrofike në grup. Tetë vjet më parë, Franca, gjithashtu, nuk arriti të mbrojë kurorën e saj. Ajo u kthye në Paris e eliminuar në një grup që kishte në përbërje edhe Danimarkën, Senegalin dhe Uruguajin. Në 1966, Brazili kishte kërkuar për të përsëritur titullin me një fitore, por dështoi dhe u rendit prapa Portugalisë dhe Hungarisë në grupin e vet. Në vitin 1950, kampioni i parë që dështoi në finalet e Kupës së Botës ishte Italia. Së fundi, kjo gjë i ndodh Spanjës së Del Boskes. Kompeticioni që po zhvillohet në Brazil duhet të harrohet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse rekordet janë vërtet për të ardhur keq: shtatë gola gola të pësuar në dy ndeshje dhe vetëm një i tillë i realizuar. Përtej të gjithë numrave të mundshëm, duhet të theksohet mbi të gjitha loja e dobët e një ekipi pa fuqi fizike dhe me mungesë dëshire për të sakrifikuar sadopak. Angazhimet e lojtarëve të “La Roja” me klubet e tyre, në disa kompeticione, duket se i kishte kthyer ata në “yje të shuar”. Holanda dhe Kili e evidentuar më së miri këtë gjë. Kurora e kampiones së Botës u dorëzua në “Marakana”, për të pritur deri më 13 korrik, kur në të njëjtin stadium mitik do të mësohet edhe kampionia e re e Botës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here