Kriza e Interit ka bërë që të hapen shumë skenarë rreth të ardhmes së pankinës zikaltër ku aktualisht De Bur duket se i ka ditët e numëruara pasi nuk po arrin të prodhojë as lojë e as rezultate. Si rrjedhojë kanë filluar të dalin në skenë emra të ndryshëm trajnerësh që mund ta zëvendësojnë holandezin, ndërsa ka filluar diskutimi nëse duhet një teknik afatgjatë, apo një trajner i mirë që të çojë skuadrën aktuale deri në fund të sezonit.
Këtë rol të fundit mund ta kryejë edhe trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi. Të paktën ky është mendimi i gazetarit dhe opinionistit të njohur sportiv italian në “RAI”, Ivan Zazaroni, i cili mendon se trajneri do të ishte zgjidhja perfekte për problemet e zikaltërve.
“Mendoj se në një moment si ky, Interit do t’i nevojitej një “normalizues”, i stilit De Biazi, e përse jo pikërisht ai?”, ishte mesazhi i publikuar në Twitter nga opinionisti italian. Ky i fundit është shprehur shpesh publikisht pro trajnerit të përfaqësueses shqiptare dhe ka qenë ndër personat i cili ka mbështetur fuqimisht emërimin e tij në pankinën e Italisë para se drejtimin e saj ta merrte Ventura.
Etiketa “normalizues” për trajnerët në Itali u bë e njohur në periudhën kur De Biazi u emërua dy herë radhazi trajner i Torinos në mes të sezonit duke shpëtuar skuadrën nga rënia.