Ishte nisur në orën 9.07 të mëngjesit mbi anijen Vostok, nga bazë Baykonur, në atë kohë sekrete. Në kryeqytetin sovjetik ai 12 prill i vitit 1961 ishte madhështor dhe plot mister. Radio Moska 25 minuta pas nisjes, lëshoi një deklaratë të përgatitur nga KGB-ja, kishte edhe dy deklarata të tjera të gatshme nëse misioni do të ishte një dështim katastrofik. Por misioni doli me sukses dhe me 12 prill bota feston pushtimin e hapësirës. Pas kësaj ngjarje epokale e gjithë bota ra në dashuri me Yury Gagarin disa minuta pasi ai u kthye në tokë. Njeriu me buzëqeshjen legjendare, njeriu i parë në hapësirë do festonte ditëlindjen me 27 mars, pra muajin që kaloi. E Rusia mbush 50 vjet që nga dalja e njerëzve të parë në hapësirë. Thuhet se Gagarin ishte një njeri me fat. Ai ishte vetëm 27 vjeç dhe ishte zgjedhur së bashku me 19 pilotë të tjerë mes 3.461 kandidatëve.
Jeta e Gagarin
I lindur në vitin 1934 në një pjesë të largët të Rusisë pranë qytetit të Gzhatsk dhe i mbijetoi pushtimit nazist, edhe pse kjo e pengoi të shkonte në shkollë të mesme. Shokët e tij të fluturimit mbajnë mend se ai e kishte të vështirë të ulte avionin në fillimet e tij. Ai realizoi fluturimin e parë kozmik në moshën 27 vjeçare, ndërsa u nda nga jeta kur sapo i pat mbushur të 34 vjetët. Për Gagarinin dhe jetën e tij të shkurtër, siç mund të dukej, dihet gjithçka. Lindi ai në një familje fshatare, shërbimin ushtarak e kreu në viset përtej rrethit Polar, ku duke qenë pilot përvetësonte teknikën e re fluturuese. Shumë shpejt pas lëshimit të satelitit të parë artificial të Tokës ai u zgjodh në grupin e kozmonautëve dhe filloi të përgatitej intensivisht për realizimin e fluturimit me zell të veçantë. Dihet tashmë gjithçka për atë fluturim të paharruar 108 minutësh që ai kaloi në orbitë. Dihet pothuajse gjithçka për vdekjen e tij tragjike gjatë fluturimit si pilot kolaudator me aeroplan.
Fjalët që tha para nisjes…
Megjithatë çdo herë perceptohen me sy të ri hollësitë e atyre ngjarjeve dhe fjalët që ai tha përpara startit të anijes: “Pas disa minutash anija e fuqishme kozmike do të më çojë në hapësirat e largëta, honet e thella të Gjithësisë. Çfarë mund të them në këto minutat e fundit përpara nisjes? E gjithë jeta ime më duket mua tani si një çast i mrekullueshëm. Gjithçka që përjetova, çdo gjë që kam bërë përpara kësaj, e kam bërë për hir të kësaj minute. Unë provova ndjenjën e lumturisë së papërshkruar që të jem i pari njeri në hapësirën kozmike, të ndeshem një me një me natyrën. A mund të ëndërrojë vallë për ndonjë gjë më të madhe njeriu?”. Bota e mban mend mirë kozmonautin e vet të parë dhe buzëqeshjen e tij të ëmbël që të bënte për vete. Ai ishte i ri, optimist, zemërgjerë, por njëkohësisht synues dhe profesionist i vërtetë.
Gagarin, njeriu që i dha jetë profesionit të “kozmonautit”
Pikërisht Gagarini ishte ai që i dha start edhe vetë profesionit të “kozmonautit”. Tani në orbitë punojnë anëtarët e ekuipazhit kryesor të ekspeditës së vazhdueshme kozmike të 18-të të Stacionit Kozmik Ndërkombëtar – Yuri Lloncakov dhe Michael Fink – kozmonauti i 402 dhe 433 i botës. Ja sa janë shtuar tani radhët tona, thotë mjeku Valeri Polakov, një nga kozmonautët e Rusisë. Çdo gjë nisi me 108 minutat e Gagarinit në kozmos. Ai ishte i pari. Ndërsa i pari u prin të tjerëve. Të gjithëve ne na joshi në hapësirën kozmike pikërisht ai. Dhe unë mendoj, se njeriu, i cili dikur do të shkelë në sipërfaqen e Marsit, do të shprehet për Gagarinin kështu:”Ai na bëri thirrje të gjithëve ne për në Mars”. ” Dhe unë supozoj se fluturimi i pilotuar drejt Marsit do të bëhet dhuratë e veçantë, ndoshta, për 85 vjetorin e ditëlindjes së Gagarinit”, konfirmoi me bindje kozmonauti rus Valeri Polakov. Aktualisht fluturimi për në planetin e Kuq nuk është më perceptim nga sfera e fantastikës. Agjencia Kozmike Federale e Rusisë po punon mbi redaktimin e ri të programit kozmik, për periudhën pas vitit 2015. Në të do të përfshihen projektet për studimin e hapësirës së largët kozmike dhe më ambiciozi prej tyre-realizimi i fluturimit për në planetin Mars. Ndërsa tani për tani ekspeditat e ardhshme të ekuipazheve ndërkombëtare po modelohen në Tokë. Në fund të marsit në Institutin e Problemeve Mediko-Biologjike të Akademisë së Shkencave të Rusisë do të fillojë etapa e parë e projektit “Mars-500” për imitimin e fluturimit të parë drejt këtij planeti. Së fundmi, thuhet se është zbuluar dhe shkaku i vdekjes së Gagarin.
Vdekja mister
Rreth 40 vite pas vdekjes së kozmonautit rus Yuri Gagarin, njeriu i parë që “shkeli” hapësirën, zbulohen fakte të reja rreth vdekjes së tij mbetur mister për më se 4 dekada. Sipas të dhënave të publikuara së fundi, shkak i vdekjes ka qenë një aksident me aeroplan gjatë një ushtrimi krejt të zakonshëm. Shkaku i vdekjes, sipas “Telegraph” është zbuluar nga një raport i hulumtuesve rusë. Kërkuesit rusë pohojnë se kanë zbuluar të dhëna që tregojnë shkakun e vdekjes së Yuri Gagarin. Ai vdiq në moshën 34 vjeçare, më 27 mars të vitit 1968. Aksidenti ndodhi shtatë vjet pasi Gagarin u shënua si njeriu i parë i cili qëndroi në orbitën e Tokës për 68 minuta.
Teoritë e konspiracionit
Në dosjen e hetimit thuhet se vdekja e tij erdhi si pasojë e panikut që përjetoi vetë kozmonauti i cili kishte kuptuar se valvula e ajrit ishte hapur në kabinën e tij gjatë fluturimit.
Gagarin u rrëzua me avionin e tij Mig-15. Koloneli në pension i forcave ajrore ruse, Igor Kuzhnyecev, tha se ky zbulim do t’i japë fund teorive të konspiracionit për vdekjen e Gagarin.
Disa prej këtyre teorive dyshonin se astronauti ishte i dehur në pilotimin drejt vdekjes e madje një teori tjetër theksonte se aksidenti ishte organizuar nga ish-lideri sovjetik Leonid Brezhnjev për xhelozi.
Detaje
Eksplorimi i hapësirës
4 tetor 1957
Lëshimi i parë orbitor i suksesshëm ka qenë ai i satelitit rus “Sputnik” më 4 tetor 1957. Sateliti peshonte 83 kilogramë dhe besohet se ka arritur në orbitën e tokës me një lartësi prej 250 kilometrash.
3 nëntor 1957
Qeni rus Laika bëhet kafsha e parë dhe krijesa e parë e gjallë në orbitë më 3 nëntor 1957. Laika u stërvit me dy qen të tjerë dhe u zgjodh për të qenë krijesa e parë që do udhëtonte në bordin e “Sputnik 2”.
31 janar 1958
Suksesi i satelitit rus bëri që programi hapësinor amerikan të tentonte të lëshonte satelitin “Vanguard” në orbitë dy muaj më vonë, tentativë kjo që dështoi. Më 31 janar 1958 SHBA lëshoi në orbitë me sukses “Explorer I”.
12 prill 1961
Kozmonauti 27-vjeçar Yuri Gagarin bëhet njeriu i parë që fluturon në orbitë. Ai udhëtoi me anijen kozmike “Vostok 1” në një fluturim përreth orbitës së tokës në një udhëtim që zgjati një orë e 48 minuta.
20 shkurt 1962
Menjëherë pas fluturimit të parë të Gagarin në orbitën e tokës, SHBA lëshuan një person në hapësirë me fluturimin e “Mercury”. Fluturimin orbitor SHBA e arritën kur “Mercury-Atlas 6” i John Glenn fluturoi në orbitën e tokës.
16 qershor 1963
Qenia e parë e gjallë që fluturoi në hapësirë ishte qeni rus Laika. Njeriu i parë që fluturoi në orbitën e tokës ishte rusi Yuri Gagarin. Ndërsa femra e parë në hapësirë, e cila fluturoi 48 herë përreth orbitës ishte rusja Valentina Tereshkova.
15 tetor 2003
Kina lëshoi njeriun e parë në hapësirë rreth 42 vite pas lëshimit në hapësirë të “Vostok 1”. Për herë të parë në historinë e saj Kina arriti të dërgonte në hapësirë njeriun e parë Yang Liëi në bordin e anijes kozmike “Shenzou 5”.
1969
Misioni “Apollo 11” ishte i pari që bëri të mundur uljen e njerëzve në sipërfaqen e hënës. I lëshuar nga toka më 16 korrik 1969 “Apollo 11” mbante në bord Neil Armstrong, Edëin Eugene Aldrin dhe Michael Collins.
E ardhmja e fluturimeve në hapësirë
Dyzet vjet pas uljes së njeriut të parë në Hënë, NASA ka në plan që në vitin 2010 të heqë nga përdorimi anijet e tipit “shuttle”. Pas kësaj, do të duhet të kalojnë pesë vjet para se NASA të ketë gati një mjet tjetër fluturues për dërgimin e astronautëve në hapësirë dhe kjo ka shkaktuar shqetësime mes disa ekspertëve rreth së ardhmes së programit amerikan të hapësirës. Kane Farabaugh i Zërit të Amerikës bisedoi me astronautin e misioneve Apollo, Jim Lovell pikërisht rreth perspektivës së eksplorimit të hapësirës. Astronauti Jim Lovell tregon se gjatë misioneve Gemini dhe Apollo që synonin Hënën, mes njerëzve kudo në botë ekzistonte një sens i përbashkët entuziazmi dhe aventure. Ai shërbeu si rezervë për astronautin Neil Armstrong gjatë uljeve në Hënë të misionit Apollo 11 dhe i ndoqi zhvillimet dramatike nga qendra e kontrollit të NASA-s në Houston të Teksasit.
“Pas fluturimit, shkova në Europë dhe u habita si dhe u gëzova për faktin që thuajse të gjithë europianët ishin mjaft entusiastë për atë që kishim arritur ndoshta po aq sa edhe vetë amerikanët.” Lovell, i cili dikur mbante rekordin për qëndrimin më të gjatë në hapësirë, nuk shkeli kurrë në Hënë. Si komandant i Apollo 13-s e cila duhet të bënte zbarkimin e tretë në Hënë në vitin 1970, Lovell arriti t’i kthejë pa probleme në Tokë dy astroautët e tjerë Fred Haise dhe Jack Sëigert pas një shpërthimi brenda anijes i cili thuajse e paralizoi atë.40 vjet pas zbritjes së njeriut të parë në Hënë dhe 39 vjet pas kthimit të astronautit Lovell në Tokë, NASA ka në plan të mos i përdorë më anijet e hapësirës shuttle. Ky është i vetmi mjet që mund t’i dërgojë astronautët në hapësirë dhe Lovell është i shqetësuar rreth së ardhmes së programit të hapësirës.”Do të ketë një pauzë prej 5 vjetësh deri sa të ndërtojmë një mjet tjetër që të dërgojë njerëz në stacionin ndërkombëtar të hapësirës. Nuk do të kemi asnjë mjet tjetër veç sojuzeve ruse, anije të projektuara shumë vite më parë.”Në Qendrën e Hapësirës Marshall në Huntsville të Alabamës, NASA zhvilloi në korrik takime me një komisionin të pavarur, ngritja e të cilit u rekomandua nga Presidenti Barak Obama për të eksploruar të ardhmen e fluturimeve në hapësirë.
Një pjesë e takimit u përqendrua te anijet e brezit të ri që do të zëvendësonin anijet e tipit Shuttle. NASA po harton programin Constellation, i ngjashëm me Apollon por më i kompletuar. Ky program parashikon përdorimin e raketës Ares, për të dëguar në hapësirë një anije me një përdorim të quajtur Orion, e cila në të ardhmen do të ulet në Hënë.Steve Lindsay, në qendrën e Hapësirës Johnson të NASA-s, thotë se një ndër qëllimet kryesore që kërkohet të arrihet me mjetin e ri është pakësimi i rrezikut për astronautët.”Ne e dimë se në të ardhmen do të marrim mbi vete shumë rreziqe. Ne e dimë se edhe sot rreziqet e fluturimeve në hapësirë janë të shumta. Por edhe përmirësimet që do të bëhen, rreziqet përsëri do të jenë të mëdha. Por ne mendojmë se rreziku do të ulet sa më tepër përvojë që fitojmë. Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë këto rreziqe sepse ato janë pjesë e punës sonë dhe ne jemi krenarë për këtë.