Home Sport Gjermania mund minimalisht Francen, shkon ne gjysemfinale

Gjermania mund minimalisht Francen, shkon ne gjysemfinale

628
0

gjermania-francaGjermania mund minimalisht Francën dhe shkon në gjysmëfinale të Botërorit të Brazilit. Holi i hershëm me kokë i Mat Humels, që në minutën e 12-të, ka përcaktuar fatin e një sfidë të shumëpritur, por që dhuroi pak emocione e spektakël. Mesa duket skuadrat i bëjnë llogaritë me “laps të hollë” tashmë, teksa finalja e madhe e 13 korrikut sa vjen e afrohet. Francezët janë shfaqur larg asaj që kishin dhënë në fazën e grupeve, të deprimuar dhe mjaft konfuzë në planin psikologjik. Goli i shpejtë i ka prishur balancat e “gjelave”, të cilët janë dashur minuta të tëra për t’u zgjuar nga njëlloj letargjie dhe synuar barazimin. E ka bërë këtë vetëm në cerekorëshin e fundit të lojës, kur Joakhim Lëv e ka orientuar më së miri “makinerinë” e vet në fushën e blertë, edhe duke e freskuar me lojtarë nga stoli. Pa efikasitet lëvizjet e Deshampit, që në ndeshjen më delikate të këtij Botërori për të nuk e kishte përgatitur si duhet skuadrën, sidomos në planin psikologjik.

FRANCE – GJERMANI 0:1
Golat: Humels 12′
FRANCA: H.Lloris, M.Debuchy, P.Evra, M.Sakho (L.Koscielny 72′), R.Varane, B.Matuidi, M.Valbuena (O. iroud 85′), Y.Cabaye (L.Rémy 73′), P.Pogba, K.Benzema, A.Griezmann. Trajner: D.Deschamps
GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, J.Boateng, B.Höwedes, M.Hummels, B.Schweinsteiger, M.Özil (M.Goetze 83′), S.Khedira, T.Kroos (C.Kramer 90+2′), M.Klose (A.Shyrle 69′), T.Müller. Trajner: J.Löw
Gjyqtare: N.Pitana, H.Maidana, J.Belatti
Kartonëtë verdhë: Khedira 55′, Schweinsteiger 80′

Gjermania kërkon të diktojë lojën që në start të saj. Përpjekjet për të qenë në mënyrë persistente në gjysmëfushën franceze duken qartë, ndërkohë që “gjelat” shfaqen tepër të kujdesshëm në prapavijë. Mesfusha është e mbipopullur me lojtarë, por më së shumti ky repart është në dorën e gjermanëve. Skuadra e Joakhim Lëvit del rrjedhshëm nga krahët dhe tenton pasimin final për te gjahtari i golave, Klose. Ka vështirësi për të dalë në fazën ofensive Franca, ndaj detyrohet të luajë me topa të gjatë për te Benzema, i pozicionuar në majë të formacionit të të tijve. Presingu për topin e parë dhe për të zotëruar terrenin është i madh nga “pancerat”, ndaj vuan skuadra e Deshampit. Goditja e parë e rrezikshme e ndeshjes regjistrohet në portën e Nojerit. Benzema merr një asist nga Valbuena dhe në një pozicion ballor me portën gjermane gjuan jo saktë, kur kishte të gjitha mundësitë për ta zhbllokuar rezultatin. Edhe në minutën e 10-të, “gjelat” shfaqen rrezikshëm te porta e Nojerit. Mbrojtja gjermane zihet në befasi në limitin e pozicionit jashtë loje, ndërkohë që Benzema shkakton “të cara” me lëvizjet e tij pa top. Por, nëse nuk shënon, do ta pësosh në futboll. Kështu i ndodh Francës në minutën e 13-të. Krosimi i Toni Kros nga goditja e dënimit gjen kokën e Mat Humels, që ngrihet mbi shtatlartët e prapavijës franceze, duke shënuar. Gabim në markim i Varane, një pikë mjaft defektoze në repartin e pasmë francez. Nisje tepër e mbarë për të besuarit e Lëvit, ndërsa trikolorët e Deshampit nuk konkluduan dot në tri mundësi mjaft të mira në dhjetë minutat e para.
Në minutën e 25-të ka një moment të diskutueshëm. Klose pengohet nga një mbrojtës francez, duke u rrëzuar, por kryesori argjentinas vijon lojën, pavarësisht protestave gjermane, që kërkojnë penallti. Nuk e merr dot veten Franca pas pësimit të golit, ka vështirësi në ndërtimin e aksioneve dhe organizimin e lojës. Mesfusha është reparti që zotërohet më së shumti nga “pancerat’, të cilët nuk i lejojnë hapësira kundërshtarit. Sulmi i “gjelave” mbetet i izoluar, nën mbikqyrje të rreptë të gjermanëve, kështu që porta e Nojerit mbetet si një “mollë e ndaluar” për trikolorët. Kjo ndodh edhe në minutën e 34-t, kur Vabuena dhe Benzema e shënjestrojnë dy herë radhazi, në pozicione ideale. Kanë shpërdoruar shumë “gjelat” në pjesën e parë, kur kanë patur dyfishin e rasteve të volitshme për shënim krahasuar me kundërshtarin, por goli që vendos fatin e një ndeshjeje futbolli u ka buzëqeshur gjermanëve.
Pjesa e dytë
Vijon të shfaqet ngacmuese e plot personalitet Gjermania, pavarësisht se është në avantazh. Pak gjëra ndryshon skuadra franceze, e cila tej dëshirës dhe nevojës që ka për të reaguar me forcë dhe barazpeshuar shifrat, nuk ka mundësi reale për ta ndërruar “marrshin’. Nuk lëshojnë terren gjermanët, luftojnë fort për topin e parë dhe përmes pasimesh të sakta e me veritikalizime arrijnë të jenë prezent rregullisht te porta e Lorisit. Nuk ka tërheqje mbrapa për “pancerat”, në mbrojtje të golit të Humelsit, një taktikë kjo mjaft efikase kjo, sepse nuk i jep shanse kundërshtarit për të marrë iniciativën. Përkundrazi, e mban nën presion dhe e shtyn në konfuzion psikologjik. Deshamp vijon t’i besojë të njëjtit formacion deri në minutën e 71-të, edhe pse sulmi, vecanërisht, është në hije të plotë. Griezman thuajse nuk bie fare në kontakt me topin, ndërsa Benzema mundohet të zgjidhë gjithcka vetë, por e ka të pamundur përballë murit mbrojtjës gjerman. Shkatërrimi i manovrës ofensive të “gjelave” ndodh që në mesfushë, në fakt, ku dyshja Shvajnstaiger-Khedira është filturesja e parë e cdo rreziku që iniciohet drejt portës së saj, por edhe e ndërhyrjeve të rrepta sa nuk lejohen, duke shkaktuar faulle e duke përfituar kësisoji minuta të vlefshme.
Franca, pas minutës së 60-të, tenton të ndryshojë temp, duke vështruar nga porta e Nojerit. Bëhen edhe zëvendësime në formacion, me qëllim freskimin e mesfushës, por minutat kalojnë pa ia ndryshuar fytyrën skuadrës së Deshampit. Në 20 minutat e fundit të ndeshjes shtohen përpjekjet e trikolorëve. Ata nuk kanë cfarë të humbasin, ndaj ngulmojnë me krosime të larta për te Benzema, por ky i fundit vijon të mbetet i mpirë dhe i neutralizuar nga kundërshtari. Ndeshja ka shumë ndërprerje dhe shoqërohet me pasime të gabuara, duke e minimizuar ndjeshëm spektaklin e pritshëm nga këto dy skuadra. Gjermania e ka arritur objektivin, me golin e Humels që në minutën e 12-të, ndaj nuk ka pse mendon shumë për kënaqësinë e të tjerëve, ndërsa francezët janë shumë larg paraqitjes së tyre në grup. Ata duken të pafuqishëm që në “letër” karshi gjermanëve, ndaj e tillë, pa frymëzim e besim, pa grintë dhe këmbëngulje zhvillohet edhe loja e tyre deri në fund. Mbyllet me një gol kjo supersfidë e shumëpritur, që zbuloi gjysmëfinalen e parë të këtij Botërori, Gjermaninë, por dhuroi pak spektakël dhe emocione të një futbolli të bukur. Franca duhet të bëjë gati valixhet tashmë e të kthehet në shtëpi, ndërsa misioni i gjermanëve vazhdon. Ata presin në gjysmëfinale fituesin e ciftit cerekfinal, Brazil-Kolumbi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here