Home Aktualitet Rrefen operatori: Enkelejda dha frymen e fundit ne duart tona

Rrefen operatori: Enkelejda dha frymen e fundit ne duart tona

1494
0

Enkelejda SkënderasiLeda dha frymën e fundit në duart tona. Ajo jetoi vetëm 3 minuta pas aksidentit”. Një rrëfim rrënqethës, që tregon momentet e fundit të gazetares Enkelejda Skënderasi para se ajo të jepte shpirt pas aksidentit tragjik në rrugën e fshatit Panarit në rrethin e Korçës. Kolegu, por edhe miku i saj, Renato Shkurti, një nga kameramanët që ka qenë me Ledën në momentin kur ndodhi aksidenti
rrëfen momentet tragjike të aksidentit.

Renato kur u nisët për të shkuar në fshatin Panarit?
U nisëm në mëngjes herët. Kishte kohë që na kishin thënë për atë aktivitet. Shkuam në fshat, mbaruam aktivitetin dhe u nisëm sërish për në Korçë. Por në fillim do ndalonim në Vithkuq, sepse aty do hanim drekën. Leda kishte marrë byrek me vete dhe do e hanim kur të ndalonim, por nuk mundëm. (Qan). Ne ishim shumë pranë fshatit Panarit, domethënë sa ishim nisur kur ndodhi ngjarja.

Çfarë ishit duke bërë para se të ndodhte aksidenti?
Pasi u nisëm, bëmë disa foto me Ledën. Ishim duke qeshur, madje duke biseduar për lajmet. Po diskutonim për hedhjen e planeve kur të shkonim në redaksi. Unë bashkë me dy operatorë të tjerë kemi qenë mbrapa, ndërsa Leda ka qenë në vend të parë, bashkë me shoferin. Makina ishte me timon anglez dhe ra pikërisht nga krahu i shoferit.

Si ndodhi që makina doli nga rruga?
Tek vendi që makina ra, para nesh kishte ndaluar një makinë tjetër nga e cila zbritën dy persona dhe shoferit tonë iu desh që të ndalonte, sepse rruga ishte shumë e ngushtë, vetëm njëkalimshe dhe nuk kishim mundësi që të kalonim. Në momentin që makina ka ndaluar, nga zhavorri në rrugë, goma e pasme ka dalë jashtë rrugës dhe në momentin që shoferi tentoi ta kthente makinën sërish në rrugë, jashtë rrugës doli edhe goma tjetër nga krahu i shoferit dhe ne kemi ndenjur ashtu pezull në ajër me dy gomat jashtë rrugës për rreth 30 sekonda. Nuk mundëm të lëviznim, por dëgjova vetëm shoferin që bërtiti: “Mbahuni se po biem!”. Mesa duket Leda në këtë moment ka tentuar që të hapë derën dhe të hidhej, ose ka dalë nga xhami se ai ka qenë i hapur. Makina u rrokullis poshtë nëpër gurë pothuajse 4-5 herë. Kur ramë në fund, pamë që ishim të katër në makinë, por Leda nuk ishte. Theva xhamin dhe dolëm, nisëm të kontrollonim për Ledën dhe s’e gjenim dot. E gjetëm 4 metra larg makinës, koka i kishte prekur në gur. I thirra disa herë, por nuk m’u përgjigj. Tentuam t’i jepnim ndihmën e parë, por gjithçka kishte mbaruar. Leda jetoi vetëm 3 minuta pas aksidentit, sepse kur shkuam ne, zemra i rrihte akoma, por frymën e fundit e dha në duart tona. Nuk arriti të thoshte asgjë, vetëm sa mori një herë frymë thellë dhe pastaj mbaroi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here