Ndihmëssekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland apelon për pastrimin e gjyqësorit nga korrupsioni dhe këshillon vijimësinë e reformave në gjyqësor. Gjatë një interviste për “Top Channel”, ajo përgëzon përpjekjet e bëra nga vendi për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke porositur njëkohësisht vazhdimin e reformave.
Zj.Nuland, jeni takuar me të gjithë aktorët politikë dhe ndoshta keni dëgjuar nga qeveria lidhur me synimet e tyre për reformat dhe integrimin europian, si dhe ankesat e opozitës për një numër çështjesh. Ku duhet të përqendrohen reformat e menjëhershme? Cila është këshilla e SHBA nëse mungesa e konsensusit bllokon reformat?
Së pari, është e shkëlqyer që kthehem në Shqipëri. Kanë kaluar afro dy vjet nga vizita e fundit. Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi, në radhë të parë, për të përgëzuar popullin shqiptar për hapin e jashtëzakonshëm që ndërmorët dy javë më parë me statusin kandidat për në BE. E di që i gjithë vendi dhe të gjithë politikanët kanë punuar shumë fort për ta çuar Shqipërinë në këtë fazë. Është një votë e vërtetë besimi për përparimin tuaj dhe ne jemi shumë krenarë të jemi partneri juaj në të gjitha reformat që kanë qenë të nevojshme deri në këtë pikë dhe në reformat që ende keni përpara. Pra, më pyetët se për çfarë diskutuam sot. Mes gjërave për të cilat diskutuam sot është marrëdhënia jonë ekonomike. Do të doja të shihja më shumë biznese dhe investime amerikane këtu. Do të doja të shihja më shumë bashkëpunim mes nesh në fushën e sigurisë së energjisë. Keni potencial shumë të madh dhe ne kemi shumë projekte për të cilat mund të punojmë sëbashku: Nga gazsjellësi TAP tek reformimi i sistemit tuaj të tanishëm, te disa nga mundësitë nga kërkimet në det. Sigurisht, folëm edhe për procesin në vazhdim të reformës në gjyqësor. Isha shumë e kënaqur të shihja që ekzistonte unanimitet kudo në spektrin politik se kjo punë duhet të vazhdojë; që është ajo që pret dhe meriton populli shqiptar; kundërvënia ndaj korrupsionit, një sistemi të pastër dhe transparent gjyqësor dhe ne do të vazhdojmë të jemi partnerët tuaj në këtë udhëtim.
Vijmë tek lufta kundër korrupsionit. Korrupsioni ka qenë një prej vështirësive më të mëdha të Shqipërisë në 23 vitet e fundit. Siç ka deklaruar publikisht Komisioni Europian dhe qeveria e SHBA për vite me radhe (si dhe raporte të ndryshme ndërkombëtare), korrupsioni nga poshtë tek nivelet më të larta të qeverisjes ka qenë problem i madh dhe, deri tani, ne nuk kemi gjurmë të mira të zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të zyrtarëve të të gjitha niveleve. Problemi nuk është vetëm politik, por ka të bëjë edhe me keqfunksionimin e sistemit të drejtësisë. Nuk kemi vetëm politikanë të korruptuar, por edhe gjyqtarë të korruptuar.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria në këtë rast? Sa e thellë duhet të jetë reforma në drejtësi? A mendoni se kemi nevojë të zëvendësojmë dhe ndëshkojmë vetëm të korruptuarit apo kemi nevojë të ndryshojmë të gjithë sistemin që nuk ka funksionuar?
Më lejoni të them se kundërvënia ndaj korrupsionit është një sfidë për cilindo vend të planetit; është sfidë edhe në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka nevojë t’ua them unë shqiptarëve që keni nevojë për një sistem më të pastër dhe më pak të korruptuar, dhe që ka nevojë për më shumë punë këtu. Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, ajo që iu këshillojmë të gjitha vendeve dhe që përpiqemi të bëjmë edhe në vendin tonë është përpjekja për ta sulmuar korrupsionin nga disa kënde. Është e qartë që duhen ngritur çështje dhe të burgosen ata që janë të korruptuar, qofshin në sektorin e biznesit apo nëse janë zyrtarë publikë. Duhet të siguroni transparencën e kontratave; duhet të siguroni që të mos merret ryshfet. Ka shumë mënyra për ta sulmuar problemin; është ana e ligjzbatimit dhe drejtësisë si dhe ka gjëra si e-governance, e cila e bën më të vështirë që njerëzit të marrin ryshfet, por është edhe nevoja kulturore. Është edhe edukimi i popullsisë për të treguar tolerancë zero dhe për të raportuar korrupsionin dhe gjëra të ngjashme. Këtë punë mund ta bëni me sektorin e OJQ-ve, nëpërmjet edukimit, nëpërmjet mbështetjes komunitare. Pra, këshilla që iu japim vendeve është t’i kundërvihen nga disa drejtime.
Në një thirrje të kohëve të fundit për mungesat që ekzistojnë në vende strategjike europiane, si Hungaria, Turqia, Republika Çeke, Moldavia dhe Shqipëria, Sekretari Kerry tha, po citoj, “Pa autoritetin e një ambasadori, nuk mund të angazhohemi plotësisht me zyrtarë të niveleve më të larta në vendet ku vlerat e përbashkëta demokratike janë në rrezik”.
A është Shqipëria një prej këtyre vendeve?
Së pari, më lejoni të them që editoriali i Sekretarit Kerry i drejtohej Senatit të SHBA, ku ne kemi dyzina të tëra ambasadorësh që presin të marrin detyrën pas konfirmimit nga Senati dhe gjërat kanë ngecur në luftërat politike brenda Senatit. Ajo që donte t’i thoshte Senatit është që SHBA paguajnë një çmim kur kemi mungesa në nivel ambasadori. Siç është e qartë, në Shqipëri, kemi ambasadorin tonë të shkëlqyer Arvizu. Ka kohë të gjatë që është këtu. Zakonisht ambasadorët qëndrojnë për tre vjet. Jemi me shumë fat që ai është treguar i gatshëm të qëndrojë. Mendoj se ajo që donte të përcillte Sekretari është që në të gjitha këto vende, ne punojmë për zhvillimin demokratik, punojmë në Shtetet e Bashkuara, punojmë për të edhe në Shqipëri. Gjërat për të cilat kemi biseduar tani – sundimi i ligjit, reforma gjyqësore, janë pjesë e saj.
Jeni në një tur të Ballkanit. Si e shikoni situatën e re në Maqedoni ku shqiptarët po ankohen për diskriminim dhe ku Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar prej 13 vjetësh, pas krizës së madhe në atë vend?
Do të jem në Maqedoni të hënën. Siç e dini jam në një tur të Ballkanit me një delegacion të disa agjencive. Në këtë udhëtim, po vizitojmë pesë vende. Një prej arsyeve pse doja të sigurohesha që do të shkonim në Shkup ishte sepse jemi të shqetësuar për tensionet në rritje. Të gjithë kemi punuar shumë si miq të Maqedonisë, për t’i ndihmuar të ndërtojnë një shoqëri të fortë shumetnike, ku të drejtat në të dyja komunitetet janë të mbrojtura. Prandaj, pres me interes të dëgjoj nga të gjitha palët se si po shkojnë gjërat atje dhe se si mund të ndihmojmë. Folëm pak për Maqedoninë sot (këtu) si dhe në bisedat që pata në Malin e Zi. Të gjithë fqinjët janë po ashtu të interesuar të ndihmojnë.
Si e shikojnë Shtetet e Bashkuara të ardhmen e Shqipërisë?
Si e shohim të ardhmen tuaj? Ju e dini që … shpresoj ta dini që jam një tifoze shumë e madhe e Shqipërisë. Kam punuar me ju gjatë gjithë kohës kur isha në NATO, dy herë – së pari si zëvendëse dhe pastaj si ambasadore në NATO, kur Shqipëria bëri shtytjen e fundit për t’u bërë anëtare e NATO-s. Pra, jam shumë besimplotë për vendin tuaj. Mendoj se potenciali këtu është shumë i madh. Njerëzit janë të jashtëzakonshëm. Prandaj dhe doja të kthehesha, për të parë se çfarë mund të bëjmë më shumë sëbashku, sidomos në drejtimin ekonomik.