Ministria e Zhvillimit Urban dhe Banka Botërore kanë nisur punën për Rehabilitimin Urban të Jugut të Shqipërisë.
Projekti kap vlerën 55 milion euro dhe do të shtrihet në 5 vitet e ardhshme në qarqet Berat, Fier, Gjirokastër e Vlorë, dhe bashkitë përkatëse.Qëllimi i projektit është të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit të Jugut, përmes projekteve të infrastrukturës urbane dhe projekteve të rigjenerimit urban.
Grupi ndërinstitucional dhe misioni i Bankës Botërore u takua sot me përfaqësuesit e bashkive që kanë aplikuar për projekte, për të detajuar kriteret mbi të cilat do të bëhet përzgjedhja e projekteve të paraqitura prej tyre.
Zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Urban, Gjon Radovani, tha se fondi i akorduar nga Banka Botërore është dy herë më i madh sesa ai fazës së parë të projektit nisur në vitin 2004 dhe përfunduar në vitin 2014.“Filozofia e investimeve do të jetë identifikimi i zonave fokusale, ku ekonomia do të mund të zhvillohet më shpejt nëse investohet në mënyrë integrale. Çdo bashki që nuk i qëndron kontratës për zbatimin e projekteve si në afate ashtu edhe në cilësinë e zbatimit do të ndëshkohet”, tha Radovani.
Banka Botërore ka zbritur në terren dhe ka hartuar një listë kriteresh mbi bazën e të cilave do të përzgjidhen zonat se ku do të ndërhyhet.Paula Restrepo Cadavid, menaxhere e Projekteve në misionin e Bankës Botërore, u beri me dije përfaqësuesve të bashkive se kriteri kryesor i miratimit të projekteve është ndikimi që ato do të kenë te banorët.Pas përzgjedhjes së projekteve më të mira, në muajin qershor pritet të nisë puna për zbatimin e tyre.