Home Politike Kushërinjtë e Berishës, dy nga zyrtarët kyç që ruajnë kutitë

Kushërinjtë e Berishës, dy nga zyrtarët kyç që ruajnë kutitë

600
0

Shumë shqiptarë kanë pyetur veten këto ditë të trazuara pas votimeve të 8 majit: Ku ndodhen kutitë e votimit dhe kush janë njerëzit që i ruajnë? Kutitë ndodhen në magazinat e Rezervave të Shtetit në Lundër të Tiranës. Njeriu përgjegjës për to quhet Zaim Metaliaj. Ai është magazinier i përgjithshëm. Zaim Metaliaj nga Tropoja është djali i tezes së kryeministrit Sali Berisha. Ky është një fakt që e dinë të gjithë njerëzit që punojnë tek Rezervat e Shtetit.

Zaimi është emëruar në këtë detyrë pas vitit 2005. Juridikisht Rezervat e Shtetit janë në vartësi të Ministrisë së Brendshme, por sipas ligjit “Struktura dhe organika e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit… përcaktohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit”. Pra për emërimin e një personi në strukturat kryesore të Rezervave të Shtetit duhet marrë firma e kryeministrit të vendit.

Por Zaim Metaliaj nuk është i vetmi njeri i familjes, të cilin kryeministri Sali Berisha e ka caktuar në strukturën e zyrtarëve që kanë përgjegjësi direkte për vendin ku mbahen kutitë e votimit të 8 majit. Edhe vetë zv/drejtori i Rezervave të Shtetit, Ibrahim Berisha është kushëriri i kryeministrit. Nuk po flasim për kushëri të largët: Ibrahimi Zeqir Berisha është djali i xhaxhait të kryeministrit.

Madje lidhja mes kryeministrit dhe xhaxhait të tij njihet si shumë e fortë. Në Tropojë e dinë të gjithë që xhaxhai i kryeministrit të sotëm, pra babai i zotit Ibrahim është personi për të cilin kryeministri ka patur debulesë të veçantë sepse ishte ai që e dërgoi në rrugën e shkollimit.

Një udhëtim tek kutitë

Mesditën e djeshme ne vizituam magazinat ku mbahen fletët e votimit dhe njeriu i parë që takuam ishte Bedriu. Bedriu ka pirë “pak” këmbët nuk e mbajnë dhe flet çfarë ti vijë për mbarë. Është një prej rojeve të kompanisë që ka marrë përsipër të ruajë kutitë e votimit. Magazinat e vjetra janë të rrethuar me tela. Në një kolibe në hyrje thuajse dremisin dy roje të tjera, të cilët kanë për detyrë të mos lenë këmbë njeriu të pautorizuar të kapërcejnë portën me hekura të vjetra të magazinave të rezervave të shtetit.

Rojet të thonë se nën mbikëqyrjen se nën mbikëqyrjen e tyre janë magazinat, ndërsa kutitë e votimit ruhen me polici private dhe asnjë person i paautorizuar nuk mund të shkojë tek to. Asnjë person i paautorizuar. Po “të autorizuarit”?

Çfarë ndodh me kutitë e votimit?

Menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit, kutitë e votimit me fletët dhe materialet e votimit dërgohen në vendin e numërimit të votave. Materialet e tjera të përdorura gjatë procesit të votimit i dorëzohen KZAZ-së. Numëruesit numërojnë votat dhe në përfundim të procesit ato dërgohen në magazinat e Rezervave Materiale të Shtetit në Lundër, ku KQZ disponon dy magazina.

Nëse KQZ do të kërkojë që të rihapë kutitë siç edhe ka ndodhur, kutitë merren nga magazinat në Lundër dhe futen në një nga ambientet e KQZ-së deri sa të fillojë çështja për shqyrtim. Transportimi i tyre realizohet me makina të KQZ-së, qofshin automjete të vogla apo mikrobusë. Pas mbylljes së kutive, kutitë ridërgohen në Lundër për t’u ruajtur deri në pastrimin e tyre për zgjedhjet e tjera.

Familja e kryeministrit Sali Berisha në Tropojë

Ramë Halil Berisha, babai i Saliut, ka pasur dy djem dhe një vajzë. Djali i madh, Selim Berisha, ka qenë mësues dhe ka vdekur i ri, rreth 50 vjeç në vitin 1988 nga zemra. Në atë kohë dr. Berisha ishte një ndër kardiologët më të mirë të vendit. Saliu ka një motër mbi 70 vjeç, e martuar në Margegaj tani jetojnë në Tiranë), e quajtur Hajri Ramë Osmanaj.

Si prindërit dhe motra kanë qenë analfabetë, të pashkolluar, por siç e cekëm më lart, xhaxhai, Zeqir Halili ka qenë i mençur dhe ka shkolluar Saliun dhe Selimin. Bile, siç thonë të afërmit e Sali Berishës, për nga këmbëngulja, ai përngjet me xhaxhanë e tij. Sali Berisha është nip prej fisit të Gashit në Çelaj, ku akoma ndodhen disa nga të parët e prindërve të nënës së tij, Sheqeres.

Nga pinjollët e familjes sot janë me dhjetëra të shpërndarë brenda e jashtë Shqipërisë.
Babai i Saliut, Ramë Halili, ka pasur një vëlla e një motër. Edhe nëna e ish-kryebashkiakut të Tropojës, Nuredin Ahmetaj, është kushërirë e kryeministrit. I të njëjtit fis është edhe Miftar Berisha, drejtor i filialit të Telekomit Bajram Curri. Ata janë krenarë për kryeministrin e sotëm dhe mburren vazhdimisht me të.

Ahmet Xhema, një burrë rreth të 75 vjetëve, është njeriu më i afërm i Sali Berishës, që jeton aktualisht në qytetin Bajram Curri. Ai asnjëherë nuk mburret me Saliun, por e sheh rrallë nëpër rrugicat e qytetit të shoqëruar me shokët e tij pensionistë apo edhe më rrallë në ndonjë kafene, duke gjerbur kafenë e mëngjesit.

“Familja”

Sali Berisha është fëmija i tretë i Ramë dhe Sheqere Berishës nga lagja Prifç, fshati Viçidol, Tropojë- Fshat. Siç shpjegojnë pjesëtarë të fisit Berisha, babai i Saliut ishte fshatar i varfër, ndërsa xhaxhai i tij, Zeqir Halil Berisha, ishte një pleqnar i njohur.
Ky është njeriu që është kujdesur për shkollimin e Sali Berishës, një gjë shumë e rëndësishme në një zonë ku 90% ishin analfabetë. Vetëm ndërhyrja e xhaxhait Zeqir Halili ka bërë që dy djemtë e shtëpisë, Saliu dhe Selimi, të ndjekin shkollën. Me këmbëngulje, Zeqiri ka ndjekur deri në fund shkollimin e Sali Berishës. Të afërm të tij, por edhe persona që e njohin Sali Berishën që nga koha kur ishin në fakultet, pohojnë se kryeministri ka përmendur shumë herë faktin që ai është në një borxh të madh tek xhaxhai, i cili e ka ndihmuar në vitet e shkollës. Zeqiri ka lënë djem e vajza dhe një prej
tyre është Ibrahim Zeqir Berisha, ushtarak. Ai punon në Rezervat e Shtetit dhe merret pikërisht me kutitë e votimit të 8 majit. Sipas ligjit, organika e Rezervave të Shtetit caktohet nga kryeministri i vendit, Sali Berisha.

* * *

E kanë shkruar gabim..
Ndërsa numërohej kutia numër 1760 (KZAZ 47) në procesverbalet e saj thuhej se kishte dy vota për kryebashkiakun. Në fakt u gjend vetëm një votë. Kjo i përkiste kandidatit të PD-së, Lulzim Basha, ndërsa vota tjetër e raportuar nuk ndodhej. PS kërkoi shpjegime por Ristani u përgjigj: E kanë shkruar gabim..

Kodet e ndryshuar

Në kutinë e votimit për kryetarin e njësisë bashkiake të Qendrës së Votimit 1800, duhej të rivlerësoheshin 3 fletë për kryetarin e Bashkisë. Por, u vërejt se kodet e lexuara nga personeli i KQZ-së, nuk përputheshin me kodet e mbylljes nga grupi i numërimit. Socialistët denoncuan faktin, por Ristani mbylli debatin.

Fleta që erdhi nga kutia tjetër

Rasti më flagrant që provon direkt se në kuti janë futur duart është ai që ndodhi më datë 18 maj me kutinë e QV nr. 1797 të Njësisë Nr. 4. Pas hapjes së kutisë është gjetur një fletë votimi e kontestuar me vulat që i përkisnin QV nr. 1801. Pra e një qendre tjetër dhe që nuk kishte asnjë mundësi të gjendet në kë kuti. Gjetja e një flete votimi të vulosur nga Komisioni i një Qendre Votimi në një kuti të një qendre tjetër provon se manipulimi është kryer pas procesit të votimit duke nxjerrë dhe futur votat nga njëra kuti në tjetrën.

Mungojnë fletët

Në kutinë e votimit me numër 1762/1, mungonin dy fletë për kryetar, nga tre që duhej të numëroheshin. Përfaqësuesi i PSV ’91, Idajet Beqiri pyet kreun e KQZ-së Arben Ristani se ku ndodhen fletët e munguara? Përgjigjja që vjen nga Ristani është: Ta dija, ta thosha…

Marre nga Shekulli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here