Home Aktualitet BE: Panoramë e zymtë mbi ecurinë e Shqiperise

BE: Panoramë e zymtë mbi ecurinë e Shqiperise

518
0

Raporti i ardhshëm i Bashkimit Europian për Shqipërinë, jo vetëm që nuk do të shënojë rritje pozitive, por do të japë një panoramë të zymtë mbi ecurinë e vendit tonë gjatë dy viteve të fundit. Sinjali jo i mirë është dhënë dje nga shefja e njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit, Marta Garsia Fidalgo, e cila ka nënvizuar se vendi nuk ka plotësuar asnjë prej kritereve dhe prioriteteve të vendosur nga Bashkimi Europian. Gjatë diskutimeve të delegacionit për Europën Juglindore të Parlamentit Europian, një sërë shqetësimesh janë shprehur edhe mbi procesin postzgjedhor, ku vërehet problemi i numërimit të votave në kutitë e gabuara. Për raportin e BE-së që do të publikohet në fund të muajit tetor, situata pas procesit të numërimit të votave do të jetë kyçe. “Duhet të jemi të qartë për mënyrën se si vendimi është marrë në këtë moment të fazës së pasnumërimit. Është gjithashtu e rëndësishme që tanimë procesi i ankesave të bëhet me qetësi, në respekt të rregullave institucionale. Çështja e saktësisë ligjore për këtë hap të ndërmarrë, nevojitet qartazi që të zgjidhet, në mënyrë transparente, të ndershme dhe në mënyrë ligjore, duke respektuar rendin ligjor shqiptar”, – sqaroi Fidalgo. Më pas ajo ka rreshtuar 12 kushtet e Komisionit Europian dhe në secilën prej tyre asnjë nuk është përmbushur nga vendi ynë. Sipas saj, “situata ashtu siç qëndron sot është më pak e ndritur se 2 vite më parë”. Zyrtarët e Parlamentit Europian do të takohen më 14-15 qershor me deputetët shqiptarë në Bruksel për të diskutuar mbi integrimin e Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here