Parlamenti i hapi dje dritën jeshile privatizimit të katër hidro-elektro-centraleve (HEC) me fuqi të mesme, me 73 votat e deputetëve të djathtë. Në një seancë ku mungonte opozita, maxhoranca kaloi pa asnjë debat, projektligjin për heqjen e këtyre HEC-ve nga pronësia e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Ky projektligj parashikon krijimin e pesë shoqërive të veçanta (SH.A.), si hapi i parë drejt dhënies me koncesion apo shitjes së plotë të tyre tek privatët. HEC-et që janë planifikuar të privatizohen janë Bistrica 1 dhe 2, Shkopeti dhe Ulëza, ndërkohë që listë është edhe ai i Lanabregasit në Tiranë, por momentalisht ekzekutivi është mjaftuar me heqjen e tij nga pronësia e KESH duke shtyrë shitjen apo dhënien me koncesion për një kohë tjetër.
Thuajse njëzëri, deputetët e djathtë miratuan nismën në fjalë duke vlerësuar rritjen e eficëncës dhe të shërbimit në këtë sektor si edhe fillimin e një faze tjetër të heqjes dorë të shtetit nga prona publike, atë të privatizimit total edhe të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Për nisjen e kësaj politike privatizimi të KESH-it e të HEC-eve, është zotuar që një vit më parë edhe nga vetë Kryeministri Berisha, gjatë një mbledhje qeverie.
Në thelb, ligji nuk parashikon ndonjë formë të caktuar për privatizimin e HEC-eve, dhe kjo gjë do të përcaktohet nga vetë Këshilli i Ministrave pas negociatave me kompani konsulente ndërkombëtare siç është përshembull IFC-ja. Drafti parashikon të dy variantet, atë të dhënies me koncesion për një periudhë të caktuar tek privatët si edhe atë të shitjes një herë e përgjithmonë të 51 % të aksioneve shtetërore në këto HEC-e tek ndonjë investitor strategjik.
Varianti i parë, ai i dhënies me koncesion është edhe më i mundshmi edhe më i leverdisshmi për shtetin shqiptar, pasi vepra mbetet ende pronë shtetërore veç se administrimi është privat. Gjithsesi, forma përfundimtare e dhënies së tyre tek privati do të vendoset nga vetë qeveria.
Drafti i miratuar dje ka disa ndryshime të rendësishme krahasuar me atë të propozuar fillimisht nga ekzekutivi. Shqyrtimi në Komisionin e Ekonomisë dhe debati publik ka bërë që Kuvendi të ndërmarrë disa rregullime në ligj. Fillimisht, qeveria kishte propozuar që bashkë me investimin, privatit t’i jepej edhe pronësia mbi basenin dhe tokën, ndërkohë që me ndryshimet e miratuara dje, këto do të vazhdojnë t’i mbeten shtetit edhe nëse HEC-i shitet. Ndryshimet në fjalë ishin sugjerime të deputetit demokrat Sherefedin Shehu gjatë diskutimit të draftit në Komisionin e Ekonomisë.
Zakonisht, mënyra e shitjes apo dhënies me koncesion të aseteve shtetërore, miratohet me vendim të qeverisë, por fakti që këto vepra janë cilësuar si sektorë strategjikë, rregulli e do që të miratohen në Kuvend.
443
milionë kilovat/orë energji kanë prodhuar në total gjatë vitit 2010 të pestë HEC-et që janë nxjerrë në shitje
Fuqia e instaluar e HEC-eve
Të pestë HEC-et, përbëjnë rreth 6 për qind të kapacitetit prodhues të KESH-it dhe kanë një fuqi të instaluar nga 5 deri në 25 MW/h
Bistrica 1 25 MW
Ulza 25 MW
Shkopeti 24 MW
Bistrica 2 5 MW
Lanabregas 5 MW
Pasi t’i shesim HEC-et, të njëjtën energji do ta blejmë 34 milionë USD
Të pestë sëbashku, HEC-et e nxjerrë në shitje përbëjnë vetëm 6 për qind të kapacitetit prodhues të KESH-it, me një fuqi të instaluar totale prej rreth 80 Megavat/orë. Shifrat janë të thata, por nëse vlerën e tyre e përkthejmë në para, treguesit pasqyrojnë një panoramë të qartë dhe më të plotë të asaj ç’ka kemi nxjerrë në shitje.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, mësohet se gjatë vitit të shkuar, të pestë këto HEC-e kanë prodhuar rreth 443 milionë kilovat/orë energji elektrike. E shumëzuar me çmimet e miratuara nga ERE për një kilovat/orë energji të prodhuar nga HEC-et në vend, përllogaritet që minimalisht vlera totale e energjisë së prodhuar nga këto HEC-e gjatë vitit të shkuar të jetë rreth 656 milionë lekë ose rreth 6.7 milionë dollarë.
Vlera në fjalë është përllogaritur sipas tabelës së miratuar nga ERE për vitin 2011, sikur energjia të jetë shitur me çmimet e KESH-it. Ky i fundit, si furnizues me shumicë e shet energjinë energjinë shumë më lirë se sa HEC-et private, pra me 1.48 lekë për kilovat/orë. Tabela e çmimeve të miratuara nga ERE në dhjetor të vitit të shkuar parashikon çmimin e shitjes nga furnizuesi publik (1.48 lekë për KW/h), nga HEC-et e dhëna me koncesion (7.57 lekë për KW/h).
Në rastin tonë, HEC-et parashikohet të shiten përfundimisht tek privatët ose të jepen me koncesion, pra çmimi nuk do të përllogaritet më me nivelin sikur të ishte furnizues publik me shumicë por privatë dhe rrjedhimisht, për këto të fundit aplikohet një çmim shumë më i lartë. Nisur nga kjo, edhe vlera e energjisë së prodhuar prej tyre do të jetë shumë më e madhe.
Nëse i referohemi tabelës së çmimeve të miratuara nga ERE për HEC-et e dhëna me koncesion, vlera e energjisë së prodhuar gjatë vitit të shkuar nga “Bistrica 1 dhe 2”, “Shkopeti”, “Ulëza” dhe “Lanabregasi” të marra sëbashku përllogaritet në rreth 3.27 miliardë lekë ose rreth 34 milionë dollarë.
Duke marrë parasysh faktin që të katër HEC-et janë në kushte të mira pune, të dhënat financiare tregojnë që investitori qëdo të blejë secilin prej tyre e ka të sigurtë fitimin për shkak edhe të çmimeve me të cilën pritet t’a shesë energjinë e prodhuar. Këto janë tarifat aktuale, por pritet që të vitet në vazhdim të ketë një rritje të mëtejshme të tyre duke e bërë edhe më të sigurt investimin në këto vepra.
Çështja tjetër ka të bëjë me kohën kur HEC-et janë nxjerrë në shitje. Ato janë të gjendje optimale pune. Të paktën për HEC-et e Bistricës investimi sapo ka mbaruar. Në vitin 2002, qeveria shqiptare siguroi një kredi nga KfË me vlerë 33 milionë euro për rehabilitimin e tyre dhe të rrjetit transmetues në zonën e Jugut të vendit. Investimi i kryer në dy faza dhe i mbështetur edhe nga qeveria gjermane tashmë ka mbaruar dhe infrastruktura energjetike në këtë zonë është në kushte shumë të mira.
Ulëza
Ndërtimi i HEC-it të Ulëzës daton midis viteve 1953-1957. Hidrocentrali është më i madhi ndër ata që janë në listën e shitjes me nje fuqi të instaluar prej 25 MW. Gjatë vitit të shkuar, “Ulëza” prodhoi 138 milionë KW/h me vlerë 203 milionë lekë. E njëjta sasi energjie do të vlejë 1 miliardë e 42 milionë lekë kur HEC-i të shitet.
Shkopeti
Hidrocentali i Shkopetit është ndërtuar në vitin 1963 mbi lumin Mat. Ka një fuqi të instaluar prej 24 MW. Gjatë vitit të shkuar mësohet të ketë prodhuar rreth 110 milionë KW/h energji elektrike, me vlerë 163 milionë lekë. Ky është çmimi që e shet KESH-i, por e njëjta sasi energjie do të vlejë 835 milionë lekë kur HEC-i të shitet.
Bistrica 1 dhe 2
HEC-et janë ndërtuar njëkohësisht përgjatë viteve 1961-1965. Të dy HEC-et kanë një fuqi të instaluar prej 28 MË, ku pjesën dërrmuese e ka i pari ( 23 MW) për shkak edhe të rënies së madhe. Në vitin 2010, të dy HEC-et prodhuan sëbashku rreth 158 milionë KW/h me vlerë 233 milionë lekë. Por, nëse energjia do të shitej me çmimin sikur HEC-i të ishte privat, vlera e energjisë së prodhuar shkon në 1.2 miliardë lekë.
Lanabregasi
Hidrocentrali i Lanabregasit ose siç njihet ndryshe “HEC Tirana” është hequr nga pronësia e KESH-it por ndryshe nga katër të tjerët, nuk planifikohet të shitet tani, por në një moment të dytë. Ndërtimi i HEC-it ka filluar në vitin e largët 1947 deri në 1951. Ka një fuqi të instaluar prej 5 MW dhe gjatë vitit të shkuar ka prodhuar 36 milionë KW/h me vlerë 57 milionë lekë. Nëse do të ishte privat, e njëjta energji do të vlente 279 milionë lekë
* * *
Opinione
Sherefedin Shehu
Deputet i PD
“Po thuhet që jemi duke shitur pronën shtetërore, por nëpërmjet këtij akti jepet një tjetër formë përdorimi siç është lëshimi i një kontrate koncesioni ose nëpërmjet shitjes së investimit tek privati. Piroritet është dhënie me koncesion, por nëse konsulenti ndërkombëtar rekomandon shitjen, atëherë privatit do t’i jepen asetet që lidhen me këtë investim, siç është diga dhe makineritë. Nuk do të shiten pasuritë natyrore, siç është uji apo baseni i hidrocentralit. Koncesioni i këtyre HEC-eve do të rrisë presionin ndaj sektorit publik për përmirësimin e shërbimit”.
Erion Braçe
Deputet i PS
“Është fakt se këto hidrocentrale i sjellin shtetit fitim prej 20-25 milionë euro në vit. Ky është shpronësim masiv i shqiptarëve dhe pronësim korruptiv i një grushti politikanësh dhe klientelës së tyre. Çdo proces i ngjashëm, i administruar nga Berisha në këto 6 vite ka përfunduar këtu, tek politikanet e familjes së vet, dhe te klientela e tyre! Në anë tjeter, pas shpronësimit, interesat e shqiptarëve goditen sërish. Pronësia publike është ruajtur deri tani për të ndikuar çmimet e shërbimeve. Privatizimi sjell pasoja ekonomike e sociale mbi çdo familje. OSSH e tjetërsuar në CEZ dëshmon qartë se ç’ndodh kur çmimi rritet pa jusifikim. Por tani rritje do të kërkojnë edhe pronarët e rinj të HEC-eve”.